Saturday, March 8, 2008

Literature/Gjuhesi


Kë Shqetëson Vepra e Arshi Pipës?
Agron Tufa
Shekulli, 08 Mars 2008

Dikur Martin Camaj shkruante se "Shqipëria do të jetë vërtet e lirë, vetëm atëherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të lexojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa". Gjithkushi mund ta receptojë dhe të ndërtojë meditimin e vet si të dojë mbi këtë test të Camajt mbi një shkrimtar shqiptar. Por për mua fjalët e Camajt janë një kut matës i perceptimeve që ndërton shoqëria ndaj shkrimtarit të vet dhe, së këndejmi, vihet në provë një e vërtetë më e madhe: a i duhen shoqërisë shkrimtarët dhe çfarë roli luan shkrimtari në psikwn dhe konstruktin moral e shpirtëror të shoqërisë, së cilës i drejtohet.


Natyrisht alternativa e Camajt nuk u provua pozitivisht. Të paktën në lidhje me Arshi Pipën shoqëria shqiptare dështoi brenda përcaktimit të Camajt, ngase shqiptarët nuk dëshmuan se janë të lirë, sepse as nuk e lexuan, as nuk e studiuan dhe as nuk e vlerësuan veprën e shkrimtarit të tyre. Meditimi, tash për tash, nuk ka të bëjë aq shumë me Pipën, se sa me anën teorike të çështjes. Çfarë ndodh me shoqërinë dhe shkrimtarin dhe a ka një marrëdhënie apo indiferencë të ndërsjelltë mes tyre? Dhe nëse po, cilat janë të mirat dhe cilat janë të këqijat e këtyre raporteve?

Nëse poeti ka ndonjë detyrim para shoqërisë, atëherë detyrimi i vetëm është: të shkruajë mirë! Duke qenë se ai i përket pakicës përballë shoqërisë, ai nuk ka alternativë tjetër. Por nëse nuk e shlyen këtë borxh, poeti kridhet në harrim. Shumica pra, shoqëria, përveç leximit të poezive, mund të ketë dhe punë të tjera, sado mirë qofshin shkruar ato. Por duke mos i lexuar poezitë, krijimtarinë e shkrimtarit të saj të mirë, shoqëria katandiset deri në nivele të mjera ligjërimi, sa të bjerë lehtë pre e demagogëve dhe tiranëve. Dhe pikërisht një shoqëri e tillë është ekuivalente me harrimin, prej të cilit, sigurisht, përfiton tirani. Mos ndodhi ndryshe me përvojën tonë të pasluftës së Dytë?

Në një formulim të tillë kam mbërritur pas leximit të një pjese të mirë të veprës së shumëllojshme të Arshi Pipës, i cili, përveç modeleve origjinale që ka lënë në kritikën dhe shkencat letrare-filologjike, në përkthimin artistik, në politologji dhe mendimin filozofik, mbetet, megjithatë, një poet shumë i rëndwsishëm shqiptar i shekullit XX.

Metodologjia jonë e studimeve letrare, herë inekzistente, herë e gjymtë, nuk ka dashur të përballet me këtë poetikë, aq të pjekur e mjeshtërore, por edhe në rastet kur ka tentuar, ka dëshmuar një paaftësi dhe vulgaritet shokues. Madje ke përshtypjen se ato pak shënime për Pipën, janë shkruar thjesht për nevojë ekzotike dhe se askush nuk ka lexuar një varg. R. Elsie e ka karakterizuar poezinë e Pipës (nëse e ka lexuar vërtet) si një "përmbledhje në frymën romantike dhe nostalgjike të Xhakomo Leopardit". Duke iu kundërvënë me gjasë gjykimeve të Elsie-së dhe Namik Resulit, Rexhep Ismajli bëhet akoma më konfuz, mandej përfundon ta paraqesë poezinë e Pipës sipas vetë shënimeve të Pipës. Mandej kërkohen demarshe sociale në poemën "Intermexo", deri sa del në një përfundim, sipas nesh, tërësisht të gabuar, kur thotë: "Tani që vepra e Pipës u mbyll (interesante, por korpusi i poezive të tij në anglisht dhe gjuhë të tjera?), mbase ka qenë e mundshme të shqiptohen dhe vlerësime më përgjithësuese, të gjendet vendi i tij i veçantë në poezinë shqipe të kohës, të shqiptohet gjykimi për dijen që vërtet e shquan në fusha të tjera, ashtu dhe në gjuhën e poezisë, në mjeshtërinë e vargut, në ide, por edhe për talentin e tij mesatar poetik". Nuk të besohet që në një paragraf të tillë të shkurtër të shqiptohen kaq shumë pasaktësi. Dhe kjo ndodh në parathënien e përmbledhjes së poezive që e prezanton për herë të parë poetin me lexuesin që nuk komunikoi me të për gjysmë shekulli. Por meqenëse mendimi kritik për poezinë e Pipës, thuajse nuk na është prezantuar me ndonjë tezë, përveç një studimi të thukët të Milazim Krasniqit mbi sonetet e "Libri i Burgut", na duhet ta sqarojmë pak situatën e mësipërme.

Prej se është botuar në Romë me 1959 "Libri i Burgut", kritika letrare shqiptare e vjetër dhe e re, si brenda Shqipërisë, ashtu dhe në diasporë, ka qenë krejtësisht e lirë të procedojë me veprën e poetit, duke e lënë menjanë barrën e "gjetjes së vendit të tij në poezinë shqipe të kohës", siç shkruan prof. Rexhep Ismajli. Pyetja e natyrshme duhej të formulohej kështu: "Pse nuk e bëri kritika jonë këtë? Kush e pengoi, fjala vjen, në Kosovë?"

Unë mendoj se domethënëse në këto kushte do të kishte qenë publikimi i veprës së Pipës, veçmas korpusi i tij poetik, përfshirja e tij në programet e detyrueshme shkollore, universitare, hapja e krijimtarisë së tij në auditore që do të lejonte mundësinë e dialogimit me të e, mandej, reflektimi. Për fat të keq kjo nuk u bë dhe ende botimet e A. Pipës, poezitë,kanë mbetur dy episode të vetmuara e të harruara bibliografike "Feniks" 2004 dhe "Dukagjini" 2008. Mund të gjesh në libraritë tona sa të duash skorje socrealiste, por jo veprat e Pipës. Prandaj, në kushtet e mosnjohjes dhe mosdashjes për ta njohur, është e tepërt t'i shtohet dhe një atentat i ri, të shkohet aq larg si "t'i gjendet vendi Pipës në poezinë shqipe të kohës, dhe aq më e papranueshme ideja sabotuese e frazës "...ku të dëshmohet talenti i tij mesatar poetik". Sepse kjo ngjan me direktivë: "të dëshmohet!".

Por më logjike dhe tërësisht e pranueshme do të ishte të shpreheshim: pra se të guxohet t'i gjendet Arshi Pipës një vend në poezinë shqipe, ne, ose akoma më mirë – kritika shqiptare të përmendej njëherë nga kllapia dhe koma dhe, pasi të vijë në vete, të verifikojë njëherë nëse ka vend ajo vetë. Ndërsa vlerësimin "talent mesatar poetik", në kushtet kur poezia e Pipës është thuaj krejt e panjohur për lexuesin shqiptar, e konsideroj si një strategji të keqorientimit, e cila, si minimum, studiuesit të mirënjohur kosovar, nuk i bën aspak nder.

Arshi Pipa e përmbushi me pasion e përkushtim të rrallë misionin e tij para shoqërisë shqiptare – të shkruajë mirë. Me gjithë kulturën e rafinuar dhe dijet enciklopedike, në njohjen e modeleve të lirikës shqiptare dhe asaj evropiane, me gjithë njohjen e hollë e të thellë të teorive dhe estetikave klasike, moderne e bashkëkohore, me gjithë përvojën vetjake të prozodive orale dhe të kultivuara, Pipa ka ditur të ruajë një ekuilibër të përsosur në krijimtarinë e tij poetike origjinale, duke mos e tharë me erudicion "ujin e gjallë" të poezisë. Pipa si rrallëkush në poezinë shqipe e ka pasuruar arshivën dhe parametrat e prozodisë shqipe me llojet e vargjeve, rimave, strofave, kryesisht të traditës neolatine. Dhe në këtë pikëpamje ekskursi i tij eksperimental është i pakrahasueshëm me poetët shqiptarë të pasluftës së Dytë, çka është një kontribut thelbësor në vitalizmin e poetikës sonë kombëtare, me fizionomi të përçudnuar jugosllavo-sovjete. Përveç vargut të lirë (vers libre) me rima spontane ("Prelude") – një eksperimentim origjinal nga hermetikët italianë – në pjesën më të madhe Pipa u përqendrua në përsosjen e formave klasike e postklasike të strukturës metrike, duke ngjallur habitshëm një ndër format më të ngurta kanonike – sonetin. Nëse nuk llogarisim llojin e baladave dhe elegjive, apo ringritjen e zhanrit të romanit mesjetar (me etikën kalorësiake – "Rusha"), - atëherë kredoja poetike e Pipës kulmon me poemën sonetike "Kanali" – një afresk i llahtarshëm dantesk, përplot tablo makabre dhe përqethje ekzistenciale.

Është interesante metoda e teknikës dhe instrumentalit poetik të Dantes që Pipa e zgjedh, e qëmton dhe ia pranvë, duke bashkëshoqëruar poezinë e Eugenio Montale-s. Në përgjithësi vetëm një poet i madh mund ta përballojë me pasion zhbirilimin e laboratorit krijues të një tjetër poeti të madh. Intuita e Pipës që i parapriu njohjes ndërkombëtare të Montales me çmimin "Nobël", bazohej në një përvojë origjinale artistike, shumë herë më izoluese të vetmisë vetiake, çka përbënte edhe kushtëzimin e "unit" transcendental të fshehur, por që e njihte të projektuar te të tjerët. Këtë përvojë transcendente "uni" i Pipës e kishte ushtruar në zgavrat më të errëta të hadesit shqiptar – në kap-burgjet e Durrësit, Tiranës dhe sidomos në Vloçisht, gjatë tharjes së kënëtës së Maliqit, ku u shkrua dhe poema "Kanali" – një rast unikal në krejt poezinë shqipe. Përvoja danteske në këtë poemë është çmitizuar thjesht në shëmtinë e një ndëshkimi johyjnor: ata "zhele mishi"që goditen me grushta e shqelma nuk janë mëkatarë dhe dënimin ua jep Satanai, jo Hyji. Nëse do ta gjykonim nga ky pikvështrim këtë pjesë të krijimtarisë së Pipës , atëherë në analogji me ta, mund të lundronim në anë të Dantes dhe të konturohej me plot arsye një studim i përligjur me titull "Pipa dhe Dante".

Arshi Pipa e shlyu detyrimin e tij ndaj shoqërisë: ai shkruajti mrekullueshëm, duke mbetur ai tip poeti, në të cilin "mbahet gjallë gjuha". Shoqëria jonë nuk e lexoi, nuk arriti nivelin e ligjërimit që sugjeronte të Vërteta e tij dhe, dihet: përputhtazi me ligjësinë – kjo shoqëri u bë pre e demagogëve dhe diktatorit, duke e kredhur veten në harrim, sikundërse po e bën ende tani përballë tij.

No comments: