Wednesday, January 16, 2008

Literature/Gjuhesi

Universi Kulturor i Shqiptareve – Projekti "SOKOLI"
nga Altin Topi
Shekulli Janar 2007

Nderkohe kur institucionet kulturore shqiptare ndodhen para dilemave te medha, ka nje gjallerim te interesit ndaj kontributit te vecante te personaliteteve te spikatur te kultures shqiptare. Seminari nderkombetar, ne nderim te figures dhe korpusit te vepres kulturore te Prof. Ramadan Sokolit, ishte nje rast i tille. Ky seminar na hapi dyert per te vizituar kete projekt kulturor individual, nje lloj institucioni kulturor me vete, me nje shtrirje kohore prej gjashte dekadash te jetes te profesorit te nderuar 86 vjecar, tashme ne nje mplakje olimpike. Ne kete kuader, nuk eshte habi qe ndersa te gjithe po perjetojme globalizmin kulturor, te ndjejme nevojen e institucioneve kombetare kulturore, si katalizatore per te ndihmuar audiences kombetare ne nje interpretim te ri, qe reflekton vecantine dhe ndikimin e ndersjellte ne kulturen lokale apo kombetare. Nuk ngjan te jete ndonje cudi per te gjithe ata te cilet vetequhen apo konsiderohen shqiptare, te jene te vetedijshem a priori per perkatesine e tyre ne kete komunitet, ku ne forma e ndikime te ndryshme mendojne se ndajne nje fat te perbashket.


Projekti “Sokoli”, nese mund ta quajme keshtu, eshte nje ndermarrje individuale, por me ndikime kulturore kombetare. Eshte nje vazhdim i perpjekjeve te elitave shqiptare, me fillesat ne shekullin e 19te per te krijuar nje identitet te vecante, te ri. Identiteti i ri do te legjitimizonte levizjen kombetare per arritjen e qellimit final, identitetin politik te nje shteti shqiptar te pavarur. Per elitat shqiptare te shekullit 19th, shenjterimi i ketij identitetit politik ishte nje domosdoshmeri imediate. Sot, ata kujtohen si stratege te palodhur qe paten meriten e patjetersueshme te mbjelljes brenda nje kohe relativisht te shkurter te fares te nacionalizmit shqiptar. Si komunikuese efikase, me forma te ndryshme, zgjuan nder shqiptare, ndjesine historike te nje memedheu te prekshem, te realizueshem. Si propagandiste te talentuar, ata krijuan sensin historik te nje kujtese kolektive me mitet dhe ritualet aq te domosdoshme. Si rezultat i ndermarrjes se tyre titanike, me ne fund shqiptaret krijuan shtetin e tyre.

Projekti kulturor i Prof. R. Sokolit eshte nje ndermarrje e guximshme. Ai ka deshmuar parreshtur nepermjet hulumtive te shtrira ne nje larmi fushash etno-kulturore, se atmosfera patriotike, ndjenjat kombetare qe elitat e dikurshme qe i mbollen e ja ushqyen shqiptareve, nuk ishte nje shpikje per te krijuar nje komb ne nje terren te zbrazet, nje komb nga asgjeja. Profesori hulumtoi e studioi muziken, vallet, legjendat, zakonet, gjuhen, veshjet, arkitekturen, artin, zejtarine, kanunin, etj, qe nga prehistoria e deri ne ditet tona, Ne teresine e korpusit te vepres se tij, si nje shkencetar, folklorist, etno-muzikolog, estet, antropolog, kompozitor, pedagog, etj., Sokoli ngriti ne kembe nje projekt krejt te vecante, si kulturalist i shumeanshem. Magnum opusi i profesorit te nderuar, ne teresine e kompleksitetit te tij, deshmon se shqiptaret krijuan kombin e tyre mbi bazen e disa cilesive te perbrendeshme te nje komuniteti historik e kulturor me nje shtrirje gjeografike te dallueshme. Si nje komunitet historik legjitimisht i konsideron te vetat tiparet themelore kulturore te trashiguara, te cilat rregullojne marredheniet, te drejtat e detyrat e cdo anetari te ketij komuniteti. Sokoli, ne cdo hulumtim e studim, deshmon se elitat shqiptare konceptin e kombit e krijuan mbi bazen e berthames etnike, metafores se fisit. Metafora e fisit eshte karakterizuar nga besimi ne nje origjine(trung, gjak, fis, etj.), kulture e histori te perbashket prej nga ku ushqehet miti i gjakut te perbashket dhe kujtesa kolektive qe percillet tek ne prej mjegullnajes se kohes para-moderne. Me simboliken dhe vlerat e tyre, historia e kultura ishin nje trashegimi krejt e mjaftueshme per t’u ngjizur si nje kulture e vetme duke ravijezuar kufijte e kombit per mobilizimin politik te shqiptareve, qe rezultoi se fundi ne krijimin e shtetit te sotem te tyre. Ky projekt mbeshtetet fund e krye ne ekspeditat, zbulimet e te dhenat e vazhdueshme prej tyre; analizat, logjiken e argumentimin shkencor te fakteve etno-historike qe sherbejne si nje urezim e rrugetim kohor midis paraardhesve te shqiptareve te sotem, e koheve moderne, konstruksionin e produktin e tyre historik, - kombin shqiptar.

E vecanta tjeter e Ramadan Sokolit eshte se, nuk ve shenjen e barazise midis identitetin etnik dhe identitetit kulturor: - nuk e thjeshtezon identitetin kulturor ne thjesht identitet etnik. Perndryshe, nuk do mund te interpretosh diversitetin kulturor, shfaqet e shumellojshme te kultures shqiptare brenda te njejtit identitet etnik. Ky eshte nje moment kritik, nje kthese ne filozofine e kulturalisteve shqiptare, nje kendveshtrim me nje konkluzion shume te rendesishem. Profesori i nderuar nuk bie ne gracken e “multikulturalizmit”, qe do te thermonte artificialisht metaforen e fisit, berthamen e perbashket etnike. Identiteti etnik eshte nje lloj identiteti me atribute te perbashketa socio-historike e psikologjike, por nuk eshte nje kanotacion universal qe fut ne qerthullin e vet identitetet e tjera si gjinine, statusin social, perkatesine fetare apo dialekto-krahinore, grupmoshat, etj. “Multikulturalistet” tentojne te njehsojne, te thjeshtezojne identitetin e kulturen ne pergjithesi, brenda kallepit etnik, ta barazojne me identitetin etnik. Identitetit etnik i japin atribute me teper se cfare i takon, duke e bere panevojshmerisht, nje identitet gjitheperfshires, gllaberues i identiteteve te tjera te vecanta. Nen kete kendveshtrim simplist percudnues: si nje identitet gjitheperfshires, - diversiteti kulturor brenda te njejtes kulture, - nuk do te na dukej me i tille. Dikur do te fillonim te imagjinojme kufi ndares, te ngreme mure e gardhe imagjinare, te bejme ndarje territoriale e krahinore, si shfaqje te kulturave te ndryshme. Me pas, vetvetiu do te fillonim te dyshojme ne parkatesine e origjinen tone te perbashket, ne etnosin shqiptar.

Projekti kulturor “Sokoli”, na ofron te shohim me thelle per te eksploruar ne identitetin kulturor te shqiptareve. Koncepti i kultures dhe identitetit per Sokolin nuk eshte statik, por eshte pluralist dhe krijues. Hulumtimin dhe studimin e tradites e kultures nuk e konsideron aspak si nje kthim didaktik ne nje te kaluar tashme te lavdishme, te perkryer, por njekohesisht te humbur. Tradita kulturore per profesorin, eshte nje rezervuar ku nxjerrja e informacionit, e me pas intepretimi i tij, shihet ne vetvete si nje proces e akt krijues, qe eksploron te gjitha pse-te, variantet e mundeshme te shfaqes e te permbajtjes, te domethenieve te kultures, apo veprave te trasheguara nga e kaluara. Ramadan Sokoli nuk e mistifikon apo e mitizon traditen dhe identitetin kulturor te shqiptareve; zerat, imazhet, ritualet e se kaluares e te ardhura deri ne ditet tone, ne vepren e tij shfaqen ne nje dimension njerezor. Traditen dhe identitetin kulturor shqiptar, Sokoli na e percjell pa ndonje pathos elitist, na e percjell teper tokesor, te lidhur e te ndikuar edhe nga universet e tjera kulturore.

Leitmotivi filozofik qe perseritet ne cdo studim te tij, eshte se etnosi shqiptar, pergjate rrugetimit te gjate historik ishte i sukseshem te mbijetonte, sepse nuk u fraksionalizua, nuk u copetua ne shume kultura, por rezistoi si nje kulture e vetme, me nje larmishmeri marramendese motivesh, zerash, e imazhes te shfaqes se saj. Kjo u mundesua edhe per arsye te nje karakteristike thelbesore te shqiptareve, - kozmopolitanizmin. Shqiptaret nuk i paragjykojne kulturat e tjera. Kozmopolitanizmi kulturor i tyre eshte shfaqur natyrshem. Influencat e kulturave te tjera ne identitetin kulturor te shqiptareve per Sokolin, jane shprehje e nje shoqerie te shendoshe, e gateshme dhe e afte per te hyre ne dialog me kulturat e tjera, per te pervetsuar apo vice-versa, elemente te ndryshem nga universi i kulturave. Ky lloj kozmopolitanizmi ka qene e mbetet i dobishem per shqiptaret, sepse pasuron horizontin dhe repertorin e identitetin kulturor te etnosit shqiptar.

No comments: