Friday, January 11, 2008

Jete Urbane/Internet


Dilemat e Internetit
Nga Altin Topi
Shekulli Maj 2003


Ne Perendim kalohej nga modernizmi ne postmodernizem, kur blloqe apo copa betoni nga Muri i Berlinit, i shiteshin si “suvenire” muzeumeve, parqeve publike e koleksioneve private ne metropolet e tranzicioneve postmoderne. Ndoshta jo krejt e rastesishme, por postmodernizmi trokiti ne portat e ketyre dy qyteterimeve te ndare fizikisht (e metaforikisht) nga ky mur fizik, ne nje forme krejtesisht te re, duke kapercyer konceptet e deri atehereshme te njerezimit per hapsiren dhe kohen. Ishte nje “trashendence” ne nje bote virtuale, ku sfidohej nocioni i prekshem fizik i hapsires e kohes. Kjo teresi bashkesishe virtuale do te njihej me emrin Internet ose thjesht Net.


Ardhja e Internetit ne vitet 90te u konsiderua si nje rikthim virtual i “kafeneve” te 1800s, nje nga shfaqet me efektive te sferes publike per promovimin e demokracise ne kete shekull te ri. “Agorat” e Greqise te lashte, sheshet e grumbullimeve publike, kafenete, kendet e rruget e lagjeve, sherbyen me pare si “pika te nxehta”, arena te debatit publik, ku perdite shkembehej informacioni e pikepamjet e shoqerise. Nga nje miriade e tille takimesh, grimca debatesh e bisedash te lira, dalngadale u ndertua ai institucion njerezor, qe per civilizimin e sotem modern njihet si “opinioni publik”, nje institucion populist, qe ndryshon forme e permbajtje sipas frymes politiko-shoqerore te kohes. Ne gjysmen e dyte te shekullit te XX-te, radio, televizioni, shtypi i perditshem e format e tjera elektronike te medias, e zhvendosen qendren e debatit publik prej ketyre vendeve publike. Arenat e debatit nuk ishin me “kafenete” europiane te 1800s, ku qytetaret takoheshin e diskutonin rreth artit, politikes, literatures e shoqerise ne pergjithesi, duke kontribuar ne zhvillimin e demokracise te koheve moderne. Nderkohe kur Interneti, perdite e me shume po nderthuret kaq pazgjithshmerisht ne jeten tone, behet natyrshem pyetja: A mundet Interneti me “kafenete” e tij virtuale te jete sfera publike per te promovuar demokracine postmoderne, e ngjashme dhe efektive ashtu si dikur “agorat” e lashtesise greke, sheshet publike, ku eksperimentohej demokracia per here te pare?

Ne nje krahasim vis-à-vis te “agorave” greke me “kafenete” virtuale ne Internet, vihen re disa ndryshimet thelbesore midis ketyre dy lloj shfaqeve te sferes publike. “Agorat” ishin vende publike, ku statusi publik i nje personi nuk behej pengese qe njerezit te komunikonin si te barabarte. Secili shprehte mendimin e tij lirshem, e qellimi i debateve ishte te arrihej pas nje ballafaqimi te llogjikshem te pikapamjeve te paleve, ne nje konsensus te pergjithshem. Identiteti i nje personi, se pari percaktohej nga kontakti i drejperdrejte fizik. Vetvetiu, ky identitet i bazuar se pari ne ekzistencen fizike te njohur te pjesemarresve ne debat, krijonte te gjitha premisat per nje besueshmeri te ndersjellte, shoqeruar kjo me teatralitetin e dramaticitetin emocional te natyrshem te sferes publike. Ne “kafenete” virtuale te Internetit, megjithese njerezit mund te komunikojne si te barabarte, pavarsisht nga statusi i pjesemarresve, arritja e nje konsensusi duket pothuajse e pamundur. Kjo pamundesi per konsensus e triumf te racionalitetit eshte e lidhur me specifiken e Internetit, qe i lejon njerezit te zgjedhin vete identitetin e tyre, e sipas rastit t’a ndryshojne ate. Identiteti shfaqet si nje amebe qe vazhdimisht ndryshon forme. Dikush ne nje moment mund te shfaqet ne “kafene” si nje vajze snobe e tekanjoze, me vone mund te shnderrohet ne nje mesoburre thinjosh me keshilla akademike per audiencen e “kafenese”. Kjo gje padyshim, nuk mund te kontriboje ne krijimin e nje komuniteti ku mund te arrihet ne konsensus politik apo shoqeror. Roli i karizmes, kultures, intelektualitetit, ekspertizes, pozites sociale, punesimit, arsimit te nje personi apo nje grupi njerezish ne “kafenene” virtuale, perderisa identiteti i njerezve eshte heterogjen, i ndryshueshem, fizikisht jo prezent, nuk ka asnje lloj force te krijoje ate konsensus kaq te nevojshem ne sferen publike qe i jep forme e permbajtje “opinionit publik”.

Interneti duke qene deliberativ e mosparagjykues nga natyra, nuk udhehiqet nga rregulla apo vlera morale te paracaktuara. Interneti me “kafenete” e tij virtuale, vetvetiu krijon nje vakum persa i takon legjitimizimit te vlerave te caktuara. Tendenca qe vihet re ne “kafenete” virtuale eshte pluralizmi pa kufi i vlerave. Perderisa pjesemarresit e “kafenese” virtuale jane ne te shumten e rasteve anonime, ato nuk kane asnje detyrim moral karshi njeri-tjetrit, sic do te ishte rasti i bashkesive shoqerore, ku pjestaret mund te mbahen pergjegjes per pozicionet qe marrin ne publik. Shoqeria postmoderne perendimore po eksperimenton me dekonstruktimin e vlerave e miteve qe njerezimi deri tash i ka marre si te mireqena. Gjeja me interesante e ketij dekonstruktivizmi te vlerave e miteve eshte se deri tash jane bere me shume pyetje se sa jane gjetur pergjigjet. Interneti po luan nje rol te rendesishem ne kete dekonstruktivizem. Pjesemarresit e “kafeneve” virtuale, marrin pjese ne dialogun e madh te shoqerise, pa qene nevoja per te hyre ne nje dialog te vertete. Nga vete natyra izoluese, e decentralizuar e Internetit dhe mundesia per “perzgjedhje” te identitetit sipas nevojave te secilit, pjesmarresit sipas tematikes i levizin, i ndryshojne identitetet e tyre, duke iu shamangur pyetjeve apo marrjes te nje qendrimi te caktuar, gje qe kerkon nga pjesemarresit, ndergjegjesim e pergjegjesi morale personale. Keshtu qe, arti qe mjeshterohet me shume ne “kafenete” virtuale nuk eshte dialogu, metoda sokratike, ku cdo pyetje kerkon nje pergjigje, e cdo pergjigje lind nje pyetje te re qe pret nje pergjigje te re, por eshte arti i te qenurit deklarativ e retorik: pyetje, dekonstruktivizem, pyetje, dekonstrutivizem, e kjo ne pafundesi. Ne shumicen e rasteve “kafenete publike virtuale” mbeten deklarative, duke hedhur dyshimin mbi cdo vlere e mit te konsoliduar, duke fragmentarizuar cdo mundesi e perpjekje per ngjizje te nje “opinioni publik” mbi nje teme te caktuar, gje qe ne disa raste mund te jete me rendesi jetike per mbarevajtjen e nje kombi apo shoqerie.

Megjithese efektet e Internetit ne Shqiperi jane akoma anesore e te paperfilleshme eshte me interes te hidhet nje veshtrim ndikimit qe ka e do te kete Interneti ne shoqerine shqiptare. Per shumicen e shqiptareve ne Shqiperi, Interneti mbetet akoma nje luks, e nuk eshte bere akoma nje dritare informacioni e perditeshme 24 oreshe. Por jashte kufijve te Shqiperise, Interneti ne vitet e fundit, ka krijuar nje rrjet te padukshem te decentralizuar komunikimi midis shqiptareve te ndodhur kudo ne bote, e “kafenete” virtuale jane “pikat e nxehta”, ku ballafaqohen dilemat e medha morale, historike, politike, ekonomike te shqiptareve. Interneti, si nje media alternative, me specifikat qe permenda me siper, pavarsisht pamundesise per te legjitimizuar nje konsensus midis shqiptareve, ka sherbyer si nje treg i moderuar spartan i ideve e botekuptimeve te ndryshme. Gjykimi, idete e secilit jane te ekspozuara lakuriq karshi syrit kritik te gjithe pjesmarresve, konflikti dhe perplasjet ne shoqerine shqiptare, ekspozohen te pacensuruara, pozicionet polarizohen edhe me dukshem ne gjuhen e ne formen e theshethemeve te “kafeneve” te Internetit. Ne pergjithesi, pavaresisht “nxehtesise” te krijuar nga argumentimi apo mos renia dakort ne debatet e lira, ne “kafenete” virtuale “te populluara” nga shqiptaret, gjithnje e me shpesh vihet re te mbizoteroje kultura e moderimit. Interneti, duke qene se eshte i lire per t’u perdorur nga te gjithe, nuk ka nje mekanizem qe mund te kontrolloje hapjen, diskutimin, apo shuarjen e interesit per tema te ndryshme. Si nje mekanizem i decentralizuar, i pandergjegjshem, duke mos qene ligjevenes, vendim-marres, e kthen ne atribut te vetin kontroversialitetin e nevojen per moderim, duke mos i sherbyer nje grupi te caktuar me nje qellim te vetin, qofte kjo me qitje te afert apo te larget. Kjo ka bere qe “kafenete” virtuale, nepermjet mekanizmit te tyre vetrregullues te padukshem, duke i vene njerezit, idete, botkuptimet, gjykimet e tyre perballe njeri-tjetrit, virtualisht te krijojne nje fryme emancipimi, duke bere te mundur qe cdo njeri te lexoje e te perballet me mendimin alternativ, pavarsisht nese bie dakord ose jo me te. Kjo eshte arritja me e dukeshme e pozitive e Internetit. e shume e deshirueshme per ne shqiptaret.

Askush nga ne, nuk mund te parashikoj se cfare efektesh specifike do te kete Interneti ne shoqerine shqiptare. Ndersa Perendimi kalon nje faze eksperimentale dekonstruktivizmi vlerash e mitesh te krijuara e te vena ne prove nga koha tashme prej shekujsh, shoqerite post-komuniste si shoqeria shqiptare, trashegojne pothuajse nje vakum vlerash, te cilat ose ndoshta nuk i kane patur fare, ose jane duke kerkuar t’i gjejne atje ku i ka varrosur per se gjalli epoka e pameshireshme e t’i nxjerrin ne pah ne driten e diellit. Pavarsisht nga rezultati i eksperimentit dekonstruktivist, Perendimi me nje kapercim, mund te kthehet perseri ne nje terren te njohur, te pasur e historik, vlerash e mitesh te konsoliduara. Por cfare do te ndodhe me shqiptaret qe te mbytur ne nje fragmentarizem, shperthim pluralist pa kufi vlerash, si kopjace te keqinj, te vazhdojne te pyesin pa rreshtur ato vlera te tyre te pakta te mbetura, duke dekonstruktuar ne pafundesi historine e traditat e tyre? Shqiptaret shpesh te kujtojne ate skulptorin qe pasi e con deri ne gjysem vepren e tij, gjithmone i pakenaqur, e shkelmon pertej skulpturen, pa qene ne gjendje te mbaroje nje punim te tijin te plote. Ne studion e tij do te shohesh vetem punime te lena pergjysem, harruar cepave, skulptura te demtuara, te thyera ne furine e pakenaqesise te momentit.

Interneti pa u ndjere ka filluar te ndryshoje nocionin per demokracine, ky ndryshim do te jete radikal e me nje efekt te fuqishem ne politike e ne shoqeri. Sot ne nuk jemi akoma ne gjendje ta perqafojme sic duhet nocionin e ardhmerise te demokracise, ku Interneti me doren e tij virtuale do te luaje nje rol dominues ne krijimin e opinioneve pluraliste, duke permbysur perfytyrimin tone tradicional qe kemi per opinionin publik, si nje ngjizje e nje konsensus te pergjithshem.

No comments: