Tuesday, January 15, 2008

Rite de Passage


Te Shperngulurit
nga Altin Topi
Shekulli Gusht 2007

Ne nuk jemi te pakte, perkundrazi, ne jemi shume. Ndoshta mund te jete “e merziteshme” per disa, por a mund te perseritim nje logo te njohur, pa ju bezdisur sadopak? Sigurisht qe mundemi, perderisa neve nuk na merzit aspak: - “Ne jemi pjesetare te nje fisi, nje race te vjeter, ndoshta me e vjeter se vete Evropa plake. Ne jemi shqiptare, te lindur nga prinder shqiptare, e si te tille perfitojme nga nje kod i vjeter i gjakut njerezor dhe i natyres, - jus sanguinis(e drejta e gjakut prej nga rrjedh), - ligji i kthimit ne origjine, kanuni qe na legjitimizon te gjithe neve te shperngulurve te drejten e kthimin ne memedhe.”


Per shumicen nga ne, tash per tash, as qe behet fjale se mund ta perdorim kete te drejte. Bota dhe te qenurit qytetar i saj, nje zgjedhje e bere nga vete ne, me vullnet te lire, per shumicen nga ne, nuk eshte vetem vendi i volitshem i mundesive te pafund, por shtepia e re nga kendveshtrimi ekonomik, kultural, e politik, tek e fundit, edhe catia jone e re gjuhesore. Por a do te deshironim ne, qe ne keto rrethana te na e hiqte dikush te drejten per t’u kthyer ne origjine? Absolutisht qe jo; me tej, duke i shtuar kesaj te drejte teper domethenese dicka thelbesore, - pa i rene forcerisht daulleve te shiut, - kurrsesi e kudo qe ne ndodhemi, nuk do te mohonim identitetin tone edhe si shqiptare. Por, ne momentin qe pohojme me plot gojen kete fakt te thjeshte te jetes, fillojne edhe telashet e ngaterresat tona, ne rradhe te pare me bashkekombasit, e duke zgjeruar rrethin, deri tek jo-shqiptaret.

Te gjithe ne, nuk mund t’i shpetojme, - kur monologojme ne vetmine tone, apo duke diskutuar me ze te larte ne shoqeri me te tjere, - nje pyetjeje te tille: - “A duhet ta konsiderojme kete prirjen tone per te kthyer koken mbrapa, si nje atribut, shfaqje e dashurise tone per Shqiperine dhe shqiptaret, si vend e komb? Permendja e fjales dashuri, do te tingellonte me reale, me e prekeshme, nese do t’i atribohej nje qenie tjeter, nje fytyre te dashur, nje grupi te ngushte njerezish sic eshte familja, apo miqesia e ngushte. Kur kjo ndjenje perqafon permasa te tilla, sic eshte nje vend apo nje komb, do te tingellonte nje vetperkedhelje, nje narcisizem tejmase. Sido qe ta sjellesh e persjellesh, duke hulumtuar vendin qe ze zemra ne kete ballafaqim me permasa te tilla, duke e peshuar si nje keqperdorim apo ftohtesi te saj, ne nuk duhet ta ndjejme veten asnjehere te shkeputur nga subjekti kryesor, - te qenurit shqiptar.

Shumica nga ne, kurdohere e sheh shqiptarizmin(te qenurit shqiptar), si nje nga ato faktet e padiskutueshme te jetes; pa shkendijen me te vogel te deshires per ta ndryshuar apo per te mohuar nje fakt te tille. Ne thellesine e brendesise sone, pavarsisht tallazeve te jetes ne kerkim te qytetarise te botes, kemi ushqyer nje mirenjohje elementare per gjithshka qe eshte ashtu sic eshte, - e paravendosur, - e per ate qe nuk ka qene e nuk mund te ishte e tille. Kjo menyre e te shikuarit te fakteve te jetes te secilit nga ne, sic thoshte Hannah Arendt, hebreja qe hulumtoi totalitarizmin, eshte apolitike. Rrethanat, kur dallohen per pangjashmerine, e paperseritshmerine e tyre, sic eshte rasti i Shqiperise, politikes pa krye te saj, mundet te bejne qe ky shikim, te kete edhe tingellime te ndikuara prej rrethanave e pasojave politike, A ka ndonje kontradikte midis mirenjohjes per ate qe eshte e dhene, ekzistenciale, e paracaktuar ne jeten tone, - te qenurit shqiptar, - dhe zgjedhjes sone per t’u bere qytetare te botes ? Nese do te heshtnim adrenalinen kakofonike peseminuteshe te shqiptarizmit te kafeneve shqipefolese virtuale apo reale, - jashte apo brenda kufijve fizike te Shqiperise, - syte e mendjes nuk do te na shihnim nje antagonizem te tille, nje konflikt ta panevojshem. Nuk do te viheshim para asaj thirrjeje me gjasa patriotike: - “Duhet te zgjedhesh!” Cfare duhet te zgjedhim ne te shperngulurit, kur zgjedhja eshte kaq e veshtire, e krejt e pamundur?

Tani na duhet te zgjedhim midis principeve te larta, konceptit te memedheut e botes; respektit per gjerat e paracaktuara, te vulosura te jetes sone, sic eshte certifikata e lindjes, emri i babait e nenes, data e vendi ku kemi lindur, dhe certifikates te natyralizmit, e pasaportes, qe na shnderron njekohesisht ne qytetare te botes. Na duhet te zgjedhim midis shpirterores dhe fizikes; midis vlerave te sapokrijuara dhe mirenjohjes per ato te hereshmet, te mbartura me vete mbi kurriz; midis te drejtes per te zgjedhur dhe nenes qe na lindi. Na duhet te zgjedhim midis universalitetit, hapjes kundrejt botes dhe trashigimise; midis te ndergjegjesuarit se i perkasim nje destinimi tjeter dhe besnikerise ndaj vendit, kombit, qe na solli ne jete. Na duhet te zgjedhim midis mireqenies e qetesise, - duke kujtuar ketu fjalet e poemes te Bodlerit “Ftese per rrugetim”(per te shetitur e pare boten): - “La, tout n’est qu’ordre at beaute,luxe,calme at volupte.”(Atje, gjithshka eshte rregull, bukuri, pasje, qetesi e argetim hedonist.), - dhe shperfytyrimit, shperberjes, kaosit dhe klanizmit kataklizmik. Kujt prej ketyre zgjedhjeve duhet t’i shpallim besnikerine tone?


Pasi na sillet kjo pyetje neper kembet e te perditeshmes, ne cdo moment kerkojme te sigurohemi, se nuk eshte vene per asnje cast ne pikepyetje militantizmi dhe dashuria jone per gjithshka shqiptare; duke filluar nga gatimi, muzika, e deri te (pa)dobija e nje diskutimi folklorik odash shqiptare, duke pire boze meli, nje ekspreso apo kafe turke, e pse jo, e shoqeruar me nje teke, raki te zgjedhur rrushi, me etiketen origjinale “Raki Skrapari”. Megjithate, asnjeri nga ne, te shperngulurit, nuk deshirojme ta shohim ekzistencen tone si vene ne nje peshore, ne alternative, midis botes e tribalizmit. Kjo per secilin nga ne, do te ishte teper shtrenguese, e ngjashme me zgjedhjen nen totalitarizmin e Arendt-it, e si zgjedhje do t’i largohej nje zgjedhjeje te bere nga podimi homerik i paanshmerise, neutralitetit te civilizmit homerik. Homeri solli ne bote paanshmerine; si poet, i kendoi si bemave te trojaneve, ashtu edhe veprave te grekerve, i kendoi njelloj si lavdise tokesore te Hektorit, ashtu edhe asaj te nje gjysem-perendije, Akilit. E pare keshtu, zgjedhje jone ka nje shtyse homerike, per te civilizuar veten, ashtu sic eshte civilizimi vet, bir i vepres homerike.

Sakaq, duke kthyer anen tjeter te medaljes, a eshte bota e sotme, qytetare te se ciles ne jemi apo deshirojme te behemi, nje civilizim i tille homerik, e lire prej tribalizmit te vet? Si cdo civilizim, bota ne pergjithesi, i gjykon gjerat sipas kutit te vet, te dale nga shumellojshmeria e vlerave e traditave te saj. Me dhuntine e komikut qe kapercen edhe sensin e humorit te vet krijuesit, bota e civilizuar, fatkeqesisht jo rralle, i sheh vendet si Shqiperia, memedheu jone i perbashket, si vendi i disa te huajve teper te eger e barbare. E verbuar nga civilizimi i saj, botes i duket se sheh deri edhe pende ne trupat tane te pa mbuluar, lakuriqe, si prej nevojes per te mbuluar lakuriqesine e primitivitetit tone tribal. Verberia homerike ishte asnjeanese, kurse verberia e qyteterimit te botes, kur shfaqet e vepron e ndikuar nga paragjykime te tilla, ka nje qellim dashakeqas, gatuan e krijon nje ambjent armiqesor. Per pasoje, fare mire, mund te krijoje kushtet per nje zhvendosje sizmike te fuqishme ndjenjash, kur ndodh qe ne te shperngulurit perballemi me nje ambjent te tille armiqesor e shperfilles. Hendeku qe krijohet nga kjo sizmologji armiqesore, rrezikon te ciflose e shkermoqe admirimin tone per boten e qyteterimin e saj, duke vene ne pikepyetje edhe cdo zgjedhje tonen prej te shperngulurish.

Por nuk mbaron e keqja ketu, doza e hidherimi mund te shumefishohet. Ka edhe nga ata shqiptare te lindur si te tille, ose prej “jus sanguinis”, qe gjezdisin boten si shtetas e qytetare te saj, por as qe deshirojne t’i kujtojne vetes dicka te tille, si origjina e tyre. Perkundrazi, perpiqen te braktisin duke e vervitur skutave te erreta te qenies se tyre, faktin elementar te te qenurit shqiptar, qe i ka dhene jete ekzistences se tyre. Kujtojne se ne kete menyre, bota nuk do te mund te zbuloje “pendet e tribalizmit” te origjines se tyre, qe fshihen nen petkun e ri te kozmopolitanit, te paisurin me pasaporten e shtetasit te botes. A nuk duhet t’i kujtohet atyre edhe nje here, se pavarsisht se civilizimi kerkon te heqe viza te drejta, t’i drejtoje njerezit e t’i ve ne rresht e marshuar vec kah perpara, Shqiperia “raketike”, vendi i origjines se tyre, nuk eshte nje relike e historise, per t’u vene ne vitrinat e muzeumeve. Shqiperia duhet te merret me te mire, te perkedhelet, te merret per dore, e te prezantohet si nena e drobitur qe ka nevoje per fjale te mira, nje dore te bute e perkedhelese. E te paret qe duhet ta bejne kete duhet te jene shperngulurit, qytetaret e botes.

No comments: