Saturday, January 12, 2008

Jete Urbane/Internet


Tirana, - metropoli shqiptar i pushtetit e i kultures
Nga Altin Topi
Shekulli Tetor 2003

Tirana “liminale”
Hapsire “liminal”-e thuhet per nje gjendje “ne midis”, ne kufirin e dy ambjenteve historiko-kulturor, koncepteve ndertimore-arkitektonike te ndryshme. Eshte nje term relativisht i ri i arkitektures bashkekohore i huazuar nga sociologjia. Liminaliteti, ne kuptimin me te ngushte, eshte nje vecori urbane, ku karakteri lokal, ruajtja e origjinalitetit, duke humbur monopolin mbi urbanistiken e qytetit, i le vend gjithnje e me shume, karakterit bashkekohor te ndertimeve. Kjo gje ka ndodhur me Tiranen, e ne nje fare menyre, liminaliteti midis kozmopolitanizmit dhe asaj qe identifikohet si “autoktone”, “karakteristike tiranase”, ka komplikuar perpjekjet per t’i dhene asaj nje identitet te vetin.


Tirana e sotme ka pesuar nje transformim marramendesh. Ka ndryshuar kryekeput raporti midis natyrales dhe artificiales, midis origjinales dhe modernes, midis hapsires private e publike, vlerave te perdorimit te tyre. Vet sjellja e njerezve ka ndryshuar, duke vene ne pikpyetje kufijte, ndarjet urbane, fillimet e mbarimet e hapsirave te qytetit. Grupmoshat me status social-ekonomik te ndryshem, i kane dhene permbajtje e kuptim te ri te gjitha hapsirave kryeqytetase. Ka ndryshuar kuptimi i dikurshem antropologjik i hapsires publike e private. Rolet e hapsirave, ambjenteve me historite e tyre urbane-arkitekturale jane perzjere. Liminaliteti urban, nderthurja, funksionet kalimtare te hapsirave, e kane kthyer te gjithe Tiranen ne nje gjendje “liminale”. Eshte krijuar nje konfuzion ontologjik ne vet hapsiren individuale, boten e brendeshme, te qytetareve te hershem e te rinj te Tiranes. Fantazia kolektive perseri dominon mbi ate individualen. Eshte nje fantazi e komercializuar. Masat e njerezve, perdite jane ne ndikimin e drejtperdrejt te baticave e zbaticave retrospektive e futuriste te komercializuara, te vleres dhe antivleres te jetes urbane kryeqytetase.

Shumica e transformimeve urbane te Tiranes eshte bere ne kushtet e rizhvillimit, adaptimit te hapsirave e arkitektures te nje ish-kryeqyteti socialist. Logjika e ndertimeve te meparshme ishte kryesisht e karakterit utilitar-propogandistik, e tejngopur nga tullat, te murrme e te hirta, blloqet e hekur-betonit “alla sovjetik” apo te “silikatit e parafabrikatit kinez”. Kthimi gjithnje me i madh drejt konsumerizmit, ka rritur si asnjehere investimet urbane, ku materialet e reja te ndertimit dhe konceptimi i ri arkitektonik jane pjese e nje marrje-dhenie globale. Rolet e hapsirave e te historive po perzien e nderthuren gjithnje e me shume. Tirana jo vetem qe ka ndryshuar pamjen, por edhe vlerat kulturore, rutinen e perditeshme te punes, kalimit e kohes te lire, domethenien sociale te perdorimit te kohes e hapsirave. Hapsirat tranzicionale, liminalitetet e metropolit postmodern tiranas, nderthuren ne nje kombinim te ri. Arkitektura moderne, ndertesat e larta shumekateshe, ne vetmine e tyre grishin qiellin e Tiranes, nderkohe qe poshte tyre, turmat, masat e njerezve ne ciklin 24 oresh popullojne pazaret, sheshet, trotuaret, lulishtet, kafenete, restorantet, klubet, butiket e pafund, kerpudhat e passhiut kapitalist foshnjor shqiptar. Qendrat e reja tregtare, ndryshimi i infrastruktures te brendeshme rezidenciale, forcat e reja ekonomike, dualizmi liminal hapsire-kohe, e kane ndryshuar raportin e njerezve me institucionet tradicionale sociale, duke ndryshuar raportin e njerezve me vet Tiranen. Njerezit ne kete transformim liminal, nuk e konsiderojne veten te lidhur pazgjidhshmerisht me hapsirat apo institucionet sociale tiranase (te konsideruara “tabu” dikur). Liminaliteti social-hapsinor i ka shtuar Tiranes, nje cilesi, nje karakteristike, nje vlere, qe nuk e kishte me pare. Tirana ne nje fare menyre eshte kthyer ne nje metropol postmodern, ku tiranasi e ndjen veten edhe qytetar te botes. Besohet se banori i sotem i kryeqytetit shqiptar, nuk do t’a gjente traumatike, udhetimin, ndryshimin e rezidences tiranase, me te nje metropoli tjeter te botes. Apo vice-versa, nje banues i nje metropoli perendimor, shqiptar etnik apo i huaj, ne se do te vendoste te ndryshonte rezidencen e vet aktuale me Tiranen, nuk do ta ndjente veten te izoluar nga bota.

Vitet 80-te, - fermenti i transformimeve
Fermenti i transformimit te shijeve kulturore te kryeqytetasve e ka zanafillen ne vitet 80te, vitet, ku ne hapsirat e kryeqytetit, brezi i te dipllomuarve, universitareve, masa e gjere kryeqytetase, e ndjenin qe diktatura ishte ne grahmat e fundit. Ne Tirane, me teper se ne cdo vend tjeter, po pergatitej spontanisht nje terren artistik-kulturor i nendheshem, i krijuar si reaksion i trusnise kulturale-ekonomike te viteve me te egra te diktatures. Artistet, talentet e profesionistet shqiptare, fermentonin artin, kulturen e tyre, jo per konsumerizem(krejt e pamundur apo jo?!), po per te pergatitur veten, artin e kulturen shqiptare, per kategorite e reja artistiko-kulturore postdiktatoriale. Ne shumicen e rasteve, ato njekohesisht ishin themeluesit, krijuesit e kategorive te reja artistike, dhe konsumatoret e kultures artistike te nendheshme.

Ne ate kohe sapo kishte filluar te ndjehej shqetesimi i shqiptareve me historine e tyre, qe kishte mbetur mbrapa karvanit boteror. Historia qe kishin prodhuar shqiptaret me mitin e tyre historik, ishte reflektuar ne cdo cep te Tiranes. Cdo cep rruge, cdo shesh, cdo park, cdo hapsire publike e private, cdo institucion kryeqytetas, perjetonte mitet e gurezuara te nje kujtese te kalcifikuar historike, ne statuja, murale, pllakata e parrulla te pafund. Kujtesa historike kishte humbur koherencen, duke i shkaktuar tiranasve me teper se nje bezdi. Ne nje revolte te heshtur, banoret e Tiranes, shkembenin shikime domethenese ne cdo pervjetor, ceremoni perkujtimore, ku nje nenqeshje e brendeshme ilarizuese i ndriconte shikimin, duke tradhetuar shprehjet uniforme te fytyrave te tyre. Tirana kishte filluar te zgjohej. Per kryeqytetasit, Tirana, me vendet e hapsirat e saj, ku kishin ndodhur ngjarjet e medha historike, kishte humbur sensin e vlerat e nje Tirane si produkt material historik per konsumatorin e perditshem vizual. Vlerat e sensi i Tiranes historiko-turistike, kishin humbur ne hiperbolen e Tiranes heroike, Tiranes te kuqe, te njesiteve guerrile, te themelimit te PKSH, te Enverit, etj. Turistet e vetem qe vizitonin Tiranen ishin banoret e rretheve, qe vinin te organizuar ne baze ndermarrje apo shkolle me autobuzet, kamjonet, e paguar po nga shteti. Kultura historike e mitizuar, e fabrikuar me imazhe avand-garde social-komuniste, i servirej vizitoreve te rretheve, jo per motive turistike konsumeriste, por si indoktrinim, ideologjizem i kulluar. Banoret e rretheve, te varferuar, te harruar, te lene mbasdore, i kishin meshuar fort ketij lloj “turizmi ideologjik”, nepermjet te cilit i jepej rasti te vizitonin kryeqytetin e vendit te tyre. Motivet e makines shteterore, e ketij lloj turizmi te organizuar lokal, ishin thjesht ideologjiko-didaktike, e per te mbushur muzeumet e galerite bosh te Tiranes. Por banoret e rretheve, si ne nje konspiracion te madh, marreveshje te fshehte, te nenkuptuar nga te gjithe, shijonin per disa ore kryeqytetin dhe banoret e tij, duke dashur njekohesisht te masnin pulsin e ndryshimeve te priteshme politike te Tiranes zyrtare.

Transformimi urban kultural i Tiranes

Transformimet qe peson Tirana drejt nje metropoli postmodern, jane te lidhura si me kapitalin e grumbulluar te investuar kryesisht ne ndertimet e reja, ashtu edhe me proceset e transformimit kultural te perditshme, te kryeqytetit shqiptar. Strategjia me e sukseseshme per t’i rritur vleren ekonomike nje investimi te ri, eshte ruajtja, pershtatja, transformimi i objekteve te vjetra, historike, muzeumeve, galerive artistike, teatrove e sallave publike ekzistuese; rivleresim kulturor, duke i riveshur me artin, historine, domethenien social-kulturore te arkitektures te humbur apo te reperteritur nga koha. Shumica e transformimeve social-kulturore te kryeqytetit eshte rrjedhoje e ndryshimit te shijes aestetike te banoreve te tij. Shijet e reja aestetike-kulturore kane provokuar nje reaksion zinxhir ne ndryshimet strukturore urbane.


Ne Tiranen monarkiste, u hodhen hapat e pare te ndertimit te pushtetit politiko-administrativ te shtetit shqiptar, autoritet i cili, nuk kishte ekzistuar me pare. Ne arkitekturen e ndertimet e Tiranes, “landscape”-i (peisazhi) i pushtetit politiko-administrativ, u perqendruar ne qender te Tiranes, me ndertesa impozante, te cilat me madheshtine e arkitektures te tyre imperiale, nepermjet institucioneve ligjevenese-administrative donin te prezantonin, simbolizonin autoritetin e shtetit te ri shqiptar monarkist. Nje dekade me vone, u ndryshua ngjyra e permbajtja e pushtetit. Te njejtat ndertesa me disa “simotra” te reja sovjeto-kineze, iu imponuan mases se shqiptareve, me nje doze me te madhe propogantistike, me forcen dhe autoritetin e diktatures proletare te pushtetit socialist. Nderkohe, Tirana e mases se gjere, vazhdoi te popullohej, disi e distancuar, ne pjesen historike te qytetit, ne pjesen e brendeshme te tij, ne shtepite prej qerpici, ne rrugicat me kalldrem apo te shtruara me zhavorrin bituminal te nderrmarrjes rruga-ura, pallatet kater-pese kateshe te punes vullnetare qe ngriheshin ne oborret, kopshtet, tokat e shtepive e familjeve tradicionale tiranase, rreth pazareve e punishteve te vogla, etj. Sot, koherat e motivet ka ndryshuar katerceperisht. Ndertimet e reja, riperteritja e vlerave arkitekturale te degraduara, te harruara nga pluhuri i kohes, stilet e reja, kane bere qe vlerat historike, kulturore, artistike, turistike te Tiranes te humbasin karakteristikat e nje muzeumi ideologjik-didaktik, shpesh here, i ndertuar mbi nje histori te hiperbolizuar, te fabrikuar te mitit shqiptar, te rezistences e luftes, te Tiranes te kuqe, etj. Cfare po rizbulohet tani eshte nje Tirane tjeter, e vertete, e re dhe historike njekohesisht.Eshte ajo pjese e Tiranes te harruar, te abandonuar, te pervetsuar, Tiranes toptanase, Tiranes te zejeve e pazareve, Tiranes tregetare, Tiranes te pasunikeve tradicionale e te rinj, Tiranes te kultures embrionike, te etur per importet artistike-kulturore perendimore, Tiranes te vertete muzeale, te rrugeve e rrugicave, bulevardeve te hijeshuar nga gjelberimi tradicional, vilave “alla frenga” e shtepive prej qerpici, ku eksplorohet historia e saj.

Repertor imazhezh te reja dhe kriza e identitetit
“Levizja e kapitalit” sot ne Shqiperi, tregon se “kapitali dhe kapitalizmi shqiptar”, ka aftesi e mundesi financiare te revizionoje “landscape”-in politiko-administrativ. Mundet te bej nje perzgjedhje te ndryshme ne repertorin e imazheve te reja, te krijoje ate liminalitetin kaq karakteristik, te domosdoshem te metropoleve, ku simbolizmi i pushtetit, perzihet me jeten reale te popullsise te gjere qytetare, duke na krijuar paraden e te gjitha periudhave historike pa hiperbolizuar historine e autoritetin e pushtetit. Asimetria e dikureshme vizuale midis pushtetit autoritar dhe mases memece te njerezve, banoreve kryeqytetas pa pushtet, eshte zevendesuar me nje asimetri tjeter vizuale, - asimetrine e forcave ekonomike. Pasaniket e rinj dhe emigracioni, i ka dhene mundesi ekonomike shqiptareve te jene gjeografikisht e virtualisht me te levizshem. Njohja me “landscape”-et e metropoleve te tjera, shkembimet kulturale, te kombinuara keto me kapitalin, fuqine e re ekonomike te shqiptareve, jane diktumi i sotem historik i transformimeve urbane.

Arkitektura eshte e rendesishme per shqiptaret e shtetin e tyre, por simbolizmi e funksioni i saj ka ndryshuar. Ne Tiranen e sotme transformimi urban arkitektural nuk eshte thjesht simboli i autoritetit te pushtetit, por njekohesisht, eshte vet kapitali dhe simboli i kapitalizmit shqiptar. “Landscape”- i vjeter politiko-administrativ, si simbol i autoritetit te pushtetit, nuk nxiste asnje lloj ndryshimi ne jeten ekonomiko-kulturore te banoreve te Tiranes, kurse sot interesat kapitaliste te fitimit, jane motori dialektik midis vleres e tregut, vendit e cmimit, karakterit lokal, riteve sociale, e kozmopolitanizmit. Interesat ekonomike, sipas rastit, i japin perspektiva te ndryshme “landscape”-it, hapsirave te Tiranes. Zgjedhja e nje repertori te ri te imazheve, aktualisht ka ndryshuar edhe “landscape”-i ekzistues. Ky ndryshim, ka shkaktuar ndryshime edhe ne ritualet sociale, rutinen e perditeshme te qytetareve, qe mund te kene qene karakteristike lokale per nje pjese te Tiranes, per nje lagje, nje bllok, nje rruge, etj. Qytetaret duket se nuk kane opsione te tjera, vecse t’i pershtaten ndryshimeve urbane, ndryshimeve te “landscape”-it, brenda e jashte vendeve te tyre te punes, banesave te tyre, apo atje ku kalojne kohen e lire. Repertori i imazheve te reja urbane, ka shkaktuar ndryshime te dukshme sociale. Ka shkaktuar erozionin e asaj qe identifikohej si karakteristike, dallueshmeri lokale e Tiranes ose nje pjese te saj. Erozioni i lokales, prishja e arkeotipit te nje komuniteti te bazuar ne nje vend specifik te caktuar, keto ndryshime drejt nje shoqerie te hapur, jane krejt te priteshme e te pranueshme, pavarsisht nostalgjise, kujteses kolektive apo individuale te justifikueshme qytetare.

Kaledoskop identitetesh te reja dhe rivleresimi i “landscape”-it
A munden sot qytetaret e Tiranes, duke perjetuar ndryshimet marramendese te “landscape”-it te tyre, te ruajne, te ndryshojne, apo te percaktojne identitetin e tyre nepermjet vendit prej nga vine apo vendit ku aktualisht jetojne? Kjo te rikujton konfuzionin ontologjik, ndryshimi antropologjik hapsire-kohe te permendur me pare, qe perjetojne dita-dites tiranasit. Sot jane nje numer variblash qe i japin forme e permbajtje identitetit kryeqytetas. Pervetesimi i kultures kozmopolitane duke qene specifike per Tiranen e tiranasit, ka karakteristikat e perbashketa me transformimet kulturore, te perseritura ne menyre ciklike, ne metropolet e tjera te botes. Ne qender te Tiranes vihet re nje vazhdimesi, nje perpjekje per perforcimin e idese te centralizimit e te fuqise te shtetit. Duke iu larguar qendres veren se kjo ndjesi zevendesohet me ndjenjen e komfortit materialo-financiar te pushtetit ekonomik, qendrat e reja rezidenciale, vila, parqe, hotele, qendra aktivitetesh ekonomike, parqe sportive, etj. Motivet qe perseriten ne cdo metropol, po behen te dukeshme edhe ne Tirane. Perreth Tiranes, “periferise” po i shtohet nje pamje tjeter me urbane, “suburbia”, dicka midis fshatit dhe qytetit. Ka natyren e gjelberimin, vecorite e fshatit, por njekohesisht komfortin ekonomiko-kulturor te qytetit. Kjo eshte rezultat i drejtperdrejte i asimetrise ekonomike, ku individe te vecante, shtresa te ndryshme te shoqerise, nepermjet karrieres, pasurimit, kane krijuar perspektiva te ndryshme, me te mira per jeten e tyre. Eshte pikerisht kjo pjese e shoqerise te Tiranes, gjeografisht me e levizeshme e me e pasur, qe shpenzon diten e naten midis qendres e “suburbia”-s, qe ka influencen me te madhe ne ndryshimin e pasurimin e “landscape”-it tiranas. Eksperiencen e “landscape”-ve te metropoleve te tjera, “levizja e kapitalit”, e sjell te imagjinuar e te materializuar ne ndertimet e reja qe i shtohen perdite Tiranes. Sot verehen dy lloj levizjesh te perditeshme, karakteristike e asimetrise ekonomike qe po behet gjithnje e me e dallueshme ne kryeqendren shqiptare. Eshte levizja e periferise drejt qendres te Tiranes ne kerkim te punes, eshte dhe levizja e shtreses se re, e privilegjuar ekonomikisht drejt “suburbia”-s, ku ka ndertuar rezidencat lluksoze e qendrat e argetimit. Jane pikerisht keto lloj levizjesh qe e shohin “landscape”-in ne perspektiva te ndryshme. Periferia e projekton veten vetem ne nje vend qendrimi, imagjinon artifakset, gjerat qe nuk jane pjese e eksperiences se vet. Tiranasit ne pergjithesi, pavarsisht ne se udhetojne ose jo neper bote, ashtu si te gjitha metropolet e tjera ne bote, e realizojne nocionin e levizshmerise e “te parit te dynjallikut”, pa levizur fare nga Tirana. Imagjinata e kryeqytetasve tash ka nje baze reale, eksperiencen e shume “landscape”-ve te metropoleve te tjera duke u ndertuar e u pasuruar ne Tiranen aktuale. Forcat ekonomike, interesat e kapitalit sic shihet edhe ne ndryshimet e Tiranes te sotme, tentojne te globalizojne “landscape”- in, duke e rivleresuar ate. Ne pergjithesi, ato i rrisin vleren ekonomike, nepermjet dialektikes te revizionimit te “landscape”-it, mekanizmit te vleres aktuale e potenciale te tregut, vendndodhjes, e cmimit.

Nen influencen e kesaj dialektike ndodhet edhe pjesa me e madhe e popullsise qe nuk i ka mundesite ekonomike te atyre qe revizionojne “landscape”-in. Eshte kjo influence qe shkakton ndryshime kulturore e ekonomike ne popullsine e gjere tiranase. Por ne thelb, ajo cfare i rrit vleren qytetare-kulturore, ekonomike, “landscape”-it urbanist te Tiranes, eshte reciprociteti midis levizjes te kapitalit dhe rivleresimit kulturor. Ne rritjen e vlerave kulturore te Tiranes, rol te drejtperdrejte kane tiranasit ne pergjithesi. Ketu marrin pjese te gjithe, jo vetem artistet, fondacionet, shoqerite artistike-kulturore, muzeumet, por edhe kujdestaret artistike e studiuesit e vlerave urbane-historike, keshilltaret e kompanive, agjentet, kerkuesit, e mbrojtesit e talentit artistik, stafi i galerive e i muzeumeve, arkitektet, etj. Infrastruktura kritike qe i rrit vlerat urbane Tiranes, eshte nje kolazh profesionesh e punesimi; jane kamarieret, shefat e kuzhines te restoranteve, shitesat e dyqaneve e butikave, pritesit e hoteleve e zyrave, jane pronaret e te punesuarit njekohesisht. Eshte nje kolazh financiar, kulturor, profesional, ku marrin pjese te gjitha shtresat e popullsise tiranase.

Ikonat kulturore
Gjenialiteti i investuesve, artisteve, urbanisteve, arkitekteve, studiuesve historianeve te Tiranes(duke shpresuar se te tille po e transformojne ato) eshte aftesia per te cytur fantazine urbane. Kryeqyteti shqiptar, besohet te permbledhe, te perfaqesoje, peisazhin, imazhin, qe nxit imagjinaten per suksesin e frymezon krenarine kombetare. Tirana deshirohet te misheroje vendin e enderrave jo vetem te qytetareve te Tiranes, por shqiptareve mbare, jashte e brenda Shqiperise.

Ikonat kulturore, qe krijojne ate sensin e te vecantes, te peperseriteshmes, qe nuk e gjen ne asnje vend tjeter, sot per sot, Tirana nuk i ka. Tiranes i mungon nje ndertese karakteristike, i mungon nje pozicion gjeografik unik, i mungon nje ambjent historik-kulturor qe mund te ndeshet ne Tirane e vetem atje. Si mund te krijohet ai sens i vecantise te Tiranes, si mund te ngrihen simbole per te krijuar kapitalin e vlefshem kulturor tiranas? Tirana e dikureshme, si kryeqendra e vitrines te masovizmit, ishte simboli i nje vendi utopik, ku te gjithe kishin te hanin, shkollat e shtepite ishin publike, kishte punesim te plote. Pronesia private nuk e kalonte pragun e nje shtepie prej qerpici, e ndertesat qe ngriheshin ishin prodhim i nje pune vullnetare pa vlera urbane. Imazhi ikonoklast socialist qe perbente edhe kontrollin social mbi shqiptaret ishin pllakatat, parrullat e nje skeme imagjinare, te nje ekzistence imagjinare te njeriut te ri socialist. Njeriu i ri socialist, ikonklasti kulturor imagjinar, e per ironi te fatit, njekohesisht ikona utopiste imagjinare e shqiptareve, ishte e pandare nga struktura politike-ideologjike e centralizuar socialiste. Ikonoklasti vet, u thermoq. Shqiptaret nuk kane mundur akoma t’a zevendesojne me nje simbol, ikone kulturore te re. Vendi eshte akoma bosh. Tiranes i takon te krijoje imazhin e ri, kapitalin kulturor, ikonat kulturore te kohes, te cilat i mungojne. Cfare mund te shendrroje ikonoklazmin e dikurshem kulturor te kryeqytetin shqiptar ne nje fryme te re? Arkitektura, muzeumet, monumentet, gjelberimi, teatrot, shtepite botuese e gazetat e panumerta, stacionet televizive, komoditetet e ndryshme qe importohen ne metropolin shqiptar…..?

Kapitali kulturor i Tiranes, duhet te jete “landscape”-i qe enderrohet dhe qe kthehet ne skenen e mundeshme, te vertete, te perpjekjeve shqiptare per te realizuar enderren. Kapitali kulturor nuk mund te krijohet pa imagjinaten, artin, ikonat kulturore, kaq te nevojshme per konsumin vizual. Cila mund te jete ikona(ose ikonat) kulturore e Tiranes? Ajo mund te jete gjithshka, mjafton qe tiranasit t’a kene per zemer e te shohin vlera te verteta ne te, qe i nxit imagjinaten, qe i jep shprese e zemer, se perpjekjet per te realizuar enderren e tyre do te jene frutedhenese. Mund te jete nje karakter real apo imagjinar filmash me kartona, te pikturuara ne bluzat turistike “Made in Tirana”, mund te jete nje leitmotiv i nje kenge qe mund t’i kete rrembyer zemrat tiranasve, por mund te jete edhe piktura moderne e kercimterve te Abdurrahim Buzes, nje derivim gjenial i futurizmit te Matise. Shqiptaret veshur ne kostume kombetare ne nje rreth qe hedhin valle. Piktura, ngjyrat, idete dhe realizimi jane gjeniale. Atje eshte Tirana dhe e gjithe Shqiperia, ashtu sic e duam t’a shohim, me te gjitha kostumet, me te gjitha ngjyrat. Atje gjen njekohesisht Matisin futurist, kozmopolitan, por edhe Buzen po aq kombetar, me ngjyrat kaq karakteristike lokale e shqiptare. Eshte nje rreth kercimtaresh, eshte nje valle qe perfshin te gjithe shqiptaret.

No comments: