Rigjetja e “Skënderbeut” të Vivaldit
Altin Topi
Shekulli 28/10/2003
Në një shkrim botuar në të përditshmen “Korrieri” me ngjyrat sensacionale të një “scoop”-i gazetaresk mësohet se është zbuluar një vepër operistike, që siç autori lë të kuptohet, ishte “mbajtur e strukur” nga vetë Vivaldi, e i ishte kushtuar pikërisht heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit. Kur lexova këtë, m’u krijua përshtypja se isha shumë i vjetër në moshë, biles ndoshta edhe kisha vdekur, e në botën e përtejme po dëgjoja për “rigjetjen” e “Skënderbeut” të Vivaldit. Megjithëse kemi kaluar në mijëvjeçarin e tretë, kanë kaluar vetëm 25 vjet nga botimi i veprës të Prof. Ramadan Sokolit, “Figura e Skënderbeut në muzikë”, në të cilën, një kapitull i veçantë i kushtohet figurës të Skënderbeut në muzikën e kompozitorëve të huaj. Autori, Prof. Sokoli, si gjithnjë është i kursyer në fjalë, por na jep një informacion të saktë, se çfarë duhet të presim nga Vivaldi dhe opera e tij “Skënderbeu”.