Wednesday, March 12, 2008

Art/Muzike



Rigjetja e “Skënderbeut” të Vivaldit
Altin Topi
Shekulli 28/10/2003

Në një shkrim botuar në të përditshmen “Korrieri” me ngjyrat sensacionale të një “scoop”-i gazetaresk mësohet se është zbuluar një vepër operistike, që siç autori lë të kuptohet, ishte “mbajtur e strukur” nga vetë Vivaldi, e i ishte kushtuar pikërisht heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit. Kur lexova këtë, m’u krijua përshtypja se isha shumë i vjetër në moshë, biles ndoshta edhe kisha vdekur, e në botën e përtejme po dëgjoja për “rigjetjen” e “Skënderbeut” të Vivaldit. Megjithëse kemi kaluar në mijëvjeçarin e tretë, kanë kaluar vetëm 25 vjet nga botimi i veprës të Prof. Ramadan Sokolit, “Figura e Skënderbeut në muzikë”, në të cilën, një kapitull i veçantë i kushtohet figurës të Skënderbeut në muzikën e kompozitorëve të huaj. Autori, Prof. Sokoli, si gjithnjë është i kursyer në fjalë, por na jep një informacion të saktë, se çfarë duhet të presim nga Vivaldi dhe opera e tij “Skënderbeu”.


Në artikullin e “Korrierit” thuhet “se askush nuk dinte për ekzistencën e kësaj opere, deri pak kohë më parë kur mes arkivave u shpluros vepra e rrallë që mbante emrin ‘Skënderbeu”. Ndërkohë kur 25 vjet më parë nëpërmjet veprës të Sokolit, mësojmë se libreti i operës në fjalë u botua menjëherë e ruhet në bibliotekën nacionale të Romës me shifrën 37-7-B-31, kurse muzika e saj ka mbetur në dorëshkrim pranë bibliotekës nacionale të Torinos, ku e kishte mbuluar harresa për një kohë të gjatë. Ndërkohë duke u mbështetur në informacionin që jep “Korrieri”, një studiues holandez i quajtur Van Christo, “pas një kërkimi të gjatë arrin të zbulojë se opera origjinale ishte shafqur në teatrin “de la Pargola” në Firence, Itali në 22 qershor 1718. Ndërkohë po t’i referohemi përsëri librit te Sokolit mësojmë se… Premiera e operas “Skanderbeg” u shfaq me rastin e hapjes solemne të teatrit “della Pargola” që ishte mbyllur 6 vjet më parë(1712). Deri ateherë shfaqje të tilla jepeshin për rrethin e kufizuar të parisë së vendit, kurse në premierën e kësaj opere u lejua që të merrte pjesë edhe populli i Firencës. Shfaqja e operas “Skanderbeg” të Vivaldit sipas kronistëve të asaj kohe pati shumë sukses”. Një kërkues i huaj, pra në rastin tonë, “rizbulon” Skënderbeun e Vivaldit pas shumë peripecirash, ndërkohë kur muzikologu shqiptar në kushte shumë më të disfavorshme të mjeljes të informacionit, na e servir “Skënderbeun” si veper të Vivaldit, pa ekuivoke, e pa e ekzaltuar si një vepër që mund të “….renditej nga pëmasat krah ‘Katër Stinëve’…”, pra veprës muzikore më të njohur të Vivaldit.


Nisur nga ballafaqimi i mësipërm, është e rëndësishme t’i bëhet drejtësi të gjitha palëve, si veprës të Vivaldit, subjektit të saj, - Skënderbeut, meritave të saj, zbuluesve e kërkuesve të huaj, ashtu edhe autorit të lajmit në gazetën “Korrieri”, apo autorit shumë të njohur në fushën e muzikologjisë, Prof. Sokolit. Personalisht, veprën e Ramadan Sokolit, kam qenë në gjendje ta gjej në listen e librave të një numri universitetesh amerikane e europiane, duke përfshirë Bibliotekën e Vatikanit dhe Bibliotekën Kombëtare të Tiranës. Më duket shumë e pabesueshme, që studiuesit holandez Van Christo, t’i jetë dashur të kalojë një kalvar të tillë për të mësuar e rënë në gjurmë të veprës të Vivaldit, aq më tepër kur libri i Prof. Sokolit është tepër i lakuar në rrethet muzikore e akademike, i cituar në një numër të madh punimesh shkencore-akademike nga autore të ndryshëm në botë. Po t’i referohemi librit të Sokolit, atje gjejmë informacion të bollshëm rreth veprës e burimeve arkivore e kemi se çfarë të mësojmë për autorësitë, nivelin, trajtimin e subjektit, muzikën, etj. Sipas Sokolit…” Emri i kompozitorit(Vivaldit), nuk ceket fare në kopertinën e libretit, ndërsa vihen ne dukje emri i skenaristit, etj. Kjo ndodhte zakonisht kur kompozitori ishte i njohur dhe nuk kishte nevoje të reklamohej përmes libretit. “ Përsëri sipas Sokolit, Vivaldi ishte shumë i njohur në atë kohë e shumë vepra të tij i firmosi me anagrame të ndryshme si p.sh., Aldaviva, Latario, Vandini, etj. Në faqen 5 të libretit është një shënim që dëshmon se muzika e kësaj drame u kompozua nga Antonio Vivaldi. Periudha e kompozimit të “Skënderbeut”, përkon me periudhën më të frytshme të krijimtarisë të Vivaldit.

Ramadan Sokoli në vazhdim na informon se autori i libretit të “Skënderbeut” është Antonio Salvi, qe ishte një mjek, por që merrej edhe me pikture e shkrime, duke shkruar sonata, lirika, vjersha, etj. Përmbajtjen e libretit të operas “Skanderbeg”, e konceptoi nga vepra e Sagretos dhe P.Dypasese. Libreti i Antonio Salvit nuk ka vërtetësi historike, as nuk shkëlqen për ndonjë nivel letrar, si vepër dramatike e artistike. Por sipas Sokolit, libreti ishte një kthesë, një shkëputje nga tradita letrare baroke ku mbizotëronin elementët e lashta mitologjike. Heroi i operas, Skënderbeu, nuk është më një hero mitologjik, por është një hero i zgjedhur midis figurave historike tepër të njohura, shumë më afër një njeriu, një heroi tokësor. Opera ka tri akte të ndara në 38 pjesë. Ndarja e akteve në skena përcaktohej nga hyrja e dalja e personazheve të cilët u veshën me botëkuptimin e shekullit XVIII, pavarësisht se Skënderbeu kishte jetuar tre shekuj më parë. Për rrjedhojë, edhe Vivaldi e kompozoi operën sipas kërkesave të kohës, që ishte nën ndikimin e rrymës të “bel-kantos”, duke synuar efektet koncertale për këngëtarët solistë. Nën frymën e “bel-kantos”, muzika e Vivaldit dallohet për karakter koncertal, duke vënë në plan te dytë, dramaticitetin, vërtetësinë e ngjarjeve e të përçimit të ideve. Vivaldi e trajtonte zërin e këngëtarëve ndryshe nga veglat e frymës ose nga harqet, megjithatë stili i muzikës instrumentale të Vivaldit rrjedh nga stili vokal. Nga kjo nuk bën përjashtim edhe opera “Skanderbeg”, që Prof. Ramadan Sokoli për mungesë vendi, për të na trajtuar në detaje partiturat e operas në librin e tij, thekson se dallohet siç është edhe karakteristikë e Vivaldit, për ndjeshmërinë e dellit melodik e tiparet lirike të arieve. Tani se fundi mund të pyesim se, a mund ta rendisim operën “Skanderbeg” përkrah “Katër Stinëve”? Si zor se mund të bëhet një përqasje e tillë, tepër e dyshimte çdo përpjekje.


Por a duhet të ndihemi mirë që edhe Vivaldi shtohet në listën e figurave botërore që kanë përdorur Skënderbeun si subjekt të tyre? Sigurisht, e kjo duhet të na shtojë dimensionin e krenarisë që kemi ne për heroin tonë kombëtar. Nga ana tjetër duhet t’i japim meritat që i takojnë edhe veprës të Vivaldit, e vendin që zë ajo në morinë e kompozimeve të tij. Skënderbeu ishte një hero, që kapërceu kufijtë e principatës e të bashkëkombasve të tij. Fama e tij e bëri subjekt të dëshirueshëm për shumë autorë të famshëm ose jo. Figura e tij përfaqësonte heroin e ri, princin e Europës kristiane, përballë perandorisë osmane. Ai jo rrallë mori edhe përmasa mitologjike, por më tepër këto cilësi mitike, figures së tij madhështore, i veshën bashkëkombasit e vet, që jo vetëm mitizuan e mitizojnë heroin e tyre, por edhe çdo gjë që është e lidhur me të, siç duket edhe rasti i operas të harruar të Vivaldit.

Unë them ta ngjallim “Skanderbeun” e Vivaldit, por pa e hiperbolizuar, hyjnizuar si vepër, e t’i japim meritat që i takon njerëzve, studiuesve tanë, që e zbuluan me modesti, e shplurosën harresën, e zbritën në tokë atë, duke e sjellë nga thellësia e vjetërsisë të kohës, ashtu një njeri-hero siç ishte vetë Skënderbeu, e ashtu siç na e solli Salvi me Vivaldin.

No comments: