Thursday, March 20, 2008

Literature/Gjuhesi

Me Prof. Ramadanin
Dashnor Kokonozi
Alb-Shkenca
Mars 18, 2008

Ne mendjen time, qe ne feminine me te hereshme ai ishte dhe mbeti qytetar i nje Shqiperie tjeter, i nje Shqiperie qe une ne te vertete nuk e njihja dhe nuk e njoha kurre. Mbase i nje Shqiperie qe nuk egzistonte gjetiu pervecse ne perfytyrimin tim te hallakatur.

Jo vetem sot, jo thjesht per ate qe ka ndodhur, por edhe shume vite me pare, ne gjallje te tij, atehere kur kisha privilegjin te beja ndonje cope rruge me te, mendja gjithnje me ka qene fiksuar te ideja se vepra me madheshtore e Ramadan Sokolit ka qene dinjiteti i tij. Ai mbeti i denje edhe ne nje kohe krejt te padenje.


Ai i ngriti kete monument vetes, ne nje kohe te neveriteshme kur kerkohej epshmeri maksimale e shtylles kurrizore, kur dinjiteti po behej nje barre e bezdiseshme, gati e rrezikeshme dhe sillte me shume rreziqe se sa ndere, kur personaliteti i kombit po binte ne fund te kembeve per nje privilegj, per nje rruge jashte shtetit, per nje post apo qofte per te ndjere me te sigurte vete ekzistencen e kercenuar.

Dhe nderkohe qe ndodhte kjo, ai qendroi si mirazhi i nje ishulli te pakontaminuar, qe ngjante sikur nuk kishte lidhje me ate bote te felliqte, te rrejshme e hipokrite qe shtrihej te ujrave te tij.

Eshte gati si te thuash se ai ishte dikush qe u be shenjt pa bere pjese e pa e care koken per egzistencen e cfaredolloj konfesioni a kishe. Nderkohe kur edhe ata qe shkruanin per peshqit, derrat, naften, e ku ta di une, ndjenin nevojen te shtonin ndonje citat te diktatorit a ndonje reference politike ne punimet e tyre, per t’i bere ato te lavdrueshme ne syte e uzurpatorve politike te vendit, Ramadan Sokoli kurre ne jeten e vet nuk pranoi te behej kloun qe te fitonte kredibilitet politik ne syte e regjimit, duke bere citime politike ne vepren e tij.

Kjo nuk ishte aq e thjeshte e aq pa pasoja sa duket. Pjesa me e madhe e veprave te Profesorit nuk jane botuar nga Shtepia Botuese 8 Nentori, qe ishte enti zyrtar i botimeve te asaj natyre, por i jane dhene lexuesit ne trajte broshurash me leter te njejtes cilesi si ajo thaseve te cimentos, nga Shtepia Qendrore e krijimtarise popullore. Kam parasysh libra si ai per instrumentet muzikore te tradites, etj, qe sillnin te dhena krejt te panjohura me pare e qe hidhnin drite ne vazhdimesine iliro-shqiptare.

Askush nuk me ka njohur me te, por me duket se kemi qene gjithnje te njohur. Nderkohe qe ai banonte te rruga e Durresit, diku perballe midis asaj qe thuhej se kishte qene libraria e Lumo Skendos, une banoja diku nja njeqind metra me poshte, diku ne krah te ambasades polake.

Duhet te kem patur nje moshe te njome kur merrnim nje cope buke ne dore dhe zbrisnim poshte te trotuari i rruges per te luajtur me nje top llastiku, kur pothuaj gjithnje do te shihja te kalonte ate burre te jashtezakonshem me fizik madheshtor, balle te gjere e me nje redingote stofi te lehte, ngjyre gri e me katrore disi me te errta. Te gjithe ne kalamajte, ndalonim menjehere lojen sa te kalonte ai, nga druajtje se mos e cenonim sadopak. Kjo gje qe nuk ndodhte me kalimtaret e tjere, edhe kur ta ishin me spaleta.

Vras mendjen te gjej se kush me ka njohur me te e nuk e gjej dot, duket dikur kemi nisur te flasim krejt natyrshem. Ne nje rast, diku aty nga fillimi i viteve 70-te, kur po ktheshin bashke nga Bibloteka Kombetare, ai me ftoi te ngjitesha ne ndertesen ku banonte. Me kujtohet se qe nje apartament jo i madh, ne katin e dyte te asaj nderteses qe permenda ne fillim.

Aty me njohu me te shoqen dhe te bijen, nje vajze moshatare me mua, shume simpatike, me floke kacurrela te zinj, e faqe me molleza cuditerish shume ke kuqe. Une nuk di te kete pasur djale. Banesa e tij duhet te kete qene nga te paktat shtepi qytetare e viteve '30 qe nuk ishte prishur ne ate zone, per tu zevendesuar me pallate te stilit sovjetik. Nuk e di nese e kishte prone te veten apo banonte me qira. Ne guzhinen ku me priti mbaj mend se mund te ngjitej me nje shkalle te gjate tip rampe, me nje shesh te vogel pushimi. Ne ate qe perdorej si guzhine e dhome ndenjeje, ne te djathte te atij koridori jo te gjate, syte me zune nje vellim shtese te enciklopedise Treccani. Nuk e di nese e kishte aty per ta konsultuar apo ishte e tija, por per mua ishte fjala per nje liber qe e vleresoja vecanterisht. Vec shtesave te mevoneshme ai botim kishte, po nuk gabova, 34 vellime dhe per hir te se vertetes duhet thene se ishte ne sherbim te lire ne sallen e leximit te Biblotekes Kombetare, kati i pare, pra shfletohej pa autorizim te vecante.

Entuziast sic isha duke e rrotulluar neper duar i thash profesorit, nje shprehje te lexuar diku, se vertet ai liber mbase ishte vepra e vetme qe do t’i mbetej fashizmit. Ende nuk njiheshim aq sa t’i lejonim vetes te flisnim me shume. Ai me tha dicka qe nuk e dija. Me tha se kur u mor vendimi i hartimit te Treccanit, komisioni italian u beri thirrje edhe studiuesve shqiptaree, ne gazetat e Tiranes, se ishin te mirepritur te bashkepunonin e te propozonin zera te ndryshem per t’i trajtuar ne te. Ne te vertete bota shqiptare aty eshte trajtuar shume mire dhe ndikimi i ideologjise fashiste eshte gati i paparfillshem. Ja nje kohe ne te cilen do te kisha dashur te jetoja, thashe me vete. Te pakten ne raport me ate kohe ku jetoja, e ku natyrisht isha i pranishem pa marre askush pelqimin tim.

Diku pak muaj me pas u takuam perseri dhe duket se ai kuptoj nje trishtim jo te zakonshem, qe une nuk kisha ditur ta fsheh. Me pyeti se cfare kisha dhe i tregova se nuk me kishin nxjerre te drejten e studimit. Ne fakt nuk ishte ndonje problem politik, me te cilin do kisha qejf te mburrem sot, por ne ate kohe kishte dale nje fare ligji a rregulli qe thoshte se po tu jepej e drejta e studimit femijeve te pare, nuk u jepej atyre qe vinin me pas. Une si zakonisht, gjithnje do te vija me pas.

Kisha menduar se je me i mencur se kaq, me tha profesori. Diplomat sot vetem se legalizojne injorancen, shtoi pastaj. Mua asnjehere nuk me ka shqetesuar kjo pune, me ngushelloi perseri, kur po ndaheshim. Ne ate kohe jo vetem une, por shume vete mendonim se ai asnjehere nuk ishte interesuar t’i conte deri ne fund studimet universitare, gje qe nuk e pengoi te ishte nje figure eminente e shkences shqiptare e me tej. Por me ate qe thote prof. Repishti ne shenimet e tij, mbase ne jemi gabuar ne ate kohe duke menduar se ai eshte kthyer nga Italia pa i perfunduar studimet, per shkak te fillimit luftes.

Shpesh here profesori me fliste me entuziazem per nje periudhe te rendesishme te jetes se tij, per periudhen e ekspedites shqiparo gjermane, diku nga mesi i viteve 50-te. Ndonese Bernardin Palaj dhe nje pleiade e shkelqyer franceskanesh kishin mbledhur Ciklin e Kreshnikeve, ne te vertete ata nuk kishin lene shume dokumente zanore e vizive. Ne kete ekspedite ne te cilen profesori perfaqesonte palen shqiptare, ai mori vleresimet me te medha si njohes i etnosit shqiptar dhe me diturite e tij te shumeaneshme u dha zgjidhje mjaft problemeve te komplikuara, qe studiuesit gjermane nuk i njihnin sikunder ai. Duket ishte nga te rradhet qe mund te hidhte ne leter muziken e instrumenteve qe perdornin rapsodet e vjeter e te bente lidhjet shume disiplinore te natyres se ekspedites.

Me kujtohet njehere kur nje fare studiuesi nga Durresi, nga ata qe midis shokesh i quanim gardiste te kuq ose komsomolas, nje tip i tille pra qe botonte ne gazeten Drita poezi per Marksin, nisi dikur te botonte disa shkrime per Jan Kukuzelin, Andrea Aleksin dhe figura te tjera, shumicen e te cilave i kishte zbuluar profesor Ramadani.

Cudia ishte se personi ne fjale asnjehere nuk merrte mundimin te citonte autorin e vertete te zbulimit te atyre figurave. Mua kjo mu duk nje pune e keqe dhe gjeta nje rast dhe ia thashe nje gje te tille profesorit. Jam i sigurte se ai e kishte lexuar ate shkrim, por krejt indiferent me pyeti se si quhej plagjiatori ne fjale. I thashe emrin dhe nuk e harroj sot e kesaj dite nje levizje te lehte te dores ne ere, sikur te qe fjala per te larguar nje insekt per te cilin nuk kishte asnje vlere te flitej.

Ndonjehere merrja guximin te beja edhe ndonje debat me te. Me kujtohet njehere kur i shpreha dyshimet e mia per origjinen shqiptare te arkitekt Sinanit. Ne te vertete per kete arkitekt te madh qe i ra ne sy sulltan Sulejmanit kur ne nje situate te rrezikeshme e shpetoi ushtrine turke duke ngritur me shume shpejtesi disa ura mbi nje lume te rrezikshem, pra per te ka vetem nje te dhene qe thote se ai ishte nga krahinat e krishtera te perandorise.

Te niseshe nga kaq gje per te thene se ishte shqiptar, une per kete nuk isha shume i bindur. Ne te vertete, per Sinanin, eshte folur shume kohe para prof. Ramadanit dhe po nuk u gabova qe ne kohe te monarkise ne Tirane ka patur nje rruge me emrin e tij.
Ne te vertete, dy miq te mi historiane te arkitektures, S. Dashi e Gj. Frasheri, bene kerkime ne Sinanaj te Tepelenes, per te gjetur gjurmet e nje pllake metalike qe kishte vleren e nje fermani perandorak qe e clironte fshatin nga taksat, por nuk e gjeten.

Kjo ndodhi me pas, por ate dite profesori mu pergjegj me nje arsyetim teper interesant per nevojen e hapjes se debateve per te njohur me thelle te kaluaren kulturore te kombit, pastaj kerkimet ne arkivat e huaja do te jepnin me shume detaje. Dihet se atij iu desh nje vullnet titanik per te bere ate veper qe beri ne ato kushet qe i njohim te gjithe, pra pa patur asnje kusht. Ne vitet e mevoneshme do t’i ktheheshim shpesh here kesaj teme.

Profesor Ramadani ka qene edhe nje kompozitor me shije te holle. Por edhe ne kete fushe ai ruajti nje dinjitet per artisti te vertete. Jo vetem qe, ne muziken e tij nuk lejoi te vihen vargje idiote me kooperativiste a me ngjyresa politike, qofte edhe te largeta fare, por me kujtohet se sa i revoltuar ishte nje dite kur e pashe duke dale nga nje redaksi muzikore e Radios.

Duke e ndjere se kishte dicka qe nuk shkonte, e ftova ne zyren time. Aty me shpjegoi se prej kohesh kishte dorezuar per regjistrim, ne mos gaboj, gjashte suita te vogla muzikore mbi motive popullore dhe redaktori i muzikes, nje ish-student i tij, i kishte kerkuar te bente disa ndryshime. Natyrisht te fuste pak drite, pak optimizem... por kujt ja kishte kerkuar kete gje se?

Sot kam shume kureshtje te di nese dikush i ka gjetur keto pjese dhe nese jane ne repertorin e ndonje orkestre. Personalisht, te fundit muzike qe kam degjuar ne prani te tij, te klubi i Lidhjes, ka qene nje partiture e Jan Kukuzelit, te cilen ai e kishte transkriptuar nga sistemi muzikor bizantin ne ate te sotmin.

Per nje rastesi te cuditeshme, per here te fundit jam takuar me te nje dite me parpara se te ikja, pa kthyer kryet nga ai vend. Ndaluam dhe biseduam mbi trotuar aty ku sot eshte libraria Ismail Kadare. Ate ishte e kote ta ftoje per ndonje kafe, sepse kurre nuk futej neper lokale. Ne mos gaboj ato dite i kishte vdekur dikush ne familje, mbase i vellai, por ajo qe mbaj mend mire eshte trishtimi qe shprehte per ngjarjet tragjike te atij viti te keq, 1997. Biseduam aty pothuaj deri pas mesnates, sic kishim bere vite te shkuara duke ecur ngadale neteve te gjata te veres ne trotuarin e rruges se Durresit, ku edhe banonim, por aq pezm kurre nuk kisha pare ne fjalet e tij. Gjithsesi kjo mbetej nje lloj pershtypjeje e imja, se ai nuk shprehej drejteperdrejte per asgje, edhe pse po ato dite ai kishte dhene nje intertviste televizive per ngjarjet qe trondisnin opinionin shqiptar ato dite te veshtira.

Dikur rreth mesnates i dhame doren njeri tjetrit e u ndame, natyrisht pa e ditur se nuk do te shiheshim me kurre. Ne mendjen time, qe ne feminine me te hereshme ai ishte dhe mbeti qytetar i nje Shqiperie tjeter, i nje Shqiperie qe une ne te vertete nuk e njihja dhe nuk e njoha kurre. Mbase i nje Shqiperie qe nuk egzistonte gjetiu pervecse ne perfytyrimin tim te hallakatur.

No comments: