Tuesday, May 6, 2008

Art/Muzike


Një ekspeditë folklori në Shqipërinë komuniste
Oliverta Lila
Gazeta Shqiptare 04/03/07


Në vitin 1975, një grup folkloristësh gjermanë do të nisnin aventurën nëpër Shqipëri. Të ngarkuar me mjetet e nevojshme, do të shkelnin fshatra të thellë në kërkim të mbledhjes së këngëve popullore. Ishte një punë që e kishin bërë edhe në vende të tjera. Por ashtu siç ata e përshkruajnë më vonë, nëse pjesë të historisë, gjeografisë dhe zakone të Shqipërisë bëheshin të ditura nëpër raporte udhëtimesh që mbanin diplomatët e përfaqësive të huaja, folklori kishte mbetur një njollë e bardhë. Me dëshirën për të eksploruar diçka të re, Doris e Erich Stockmann së bashku me Ëilfried Fiedler mbërrijnë në Shqipëri. Të shoqëruar nga profesor Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto, si pjesë e palës shqiptare, për 3 muaj ata do të shkelnin pjesën jugore të Shqipërisë. Kjo ishte ekspedita shqiptaro-gjermane e vitit 1957. Atëherë, prof. Sokoli ishte vetëm 37 vjeç e në hapat e para të marrjes me folklorin. Ndërsa sot, me peshën e viteve mbi supe e kujton si një eksperiencë shumë interesante.
 Në një bisedim miqsh në shtëpinë e tij, e cila ka pamjen e një muzeu të vogël, profesori fillon të kujtojë. Një vit para se kjo ekspeditë të zyrtarizohej nga të dy shtetet, studiuesit gjermanë bënë një vizitë gjatë të cilës mblodhën disa materiale jashtë planit, - tregon profesor Sokoli. Kujton shumë mirë vendet e Shqipërisë së jugut, ku shkuan për të mbledhur këngë si edhe fshatarët e shumtë që takuan. Në shumicën e vendeve ku shkonim, ngrinim çadra ku afroheshin fshatarët. Më pas u kërkonim të këndonin dhe i incizonim. Unë së bashku me Fiedler bënim transkriptimin e teksteve. Fiedler dinte shumë gjuhë të huaja dhe mes tyre edhe shqipen, - tregon ai, por nuk arrin ta kujtojë se si ky studiues e kishte mësuar gjuhën tonë. Tregon se për 12 javë ata vizituan Jugun e Shqipërisë, i caktuar si terren pune dhe brenda kësaj kohe vizituan një javë edhe Veriun. Disa foto që i ruan me fanatizëm edhe sot e kësaj dite, e dëshmojnë këtë. Në to tregohen studiuesit gjatë udhëtimit, vendqëndrime në zona të ndryshme apo edhe në një sallë ku janë mbledhur fshatarë të cilët mundohen t’i bindin të këndojnë. Mes pauzave të shkurtra, të cilat i nevojiten edhe për të kaluar emocionet, vazhdon të kujtojë se kishte menduar që materialet e mbledhura do të botoheshin në 5 vëllime, një do ta bënin gjermanët dhe kater të tjerë ne. Por te ne asnjëherë nuk u botua ndonjë vëllim. E kundërta ndodhi me gjermanët. Shumë gjëra që profesor Ramadani i ruan në kujtime, i gjejmë të përshkruara në librin që ata botuan gjermanisht. I titulluar “Muzika Popullore Shqiptare”, këngët e Çamëve, (Vëllimi i I-rë), libri është një botim i vitit 1965 nga autorët e ekspeditës Doris Stockmann me bashkëshortin e saj Erich Stockmann dhe Ëilfried Fiedler. Në 302 faqe, studiuesit kanë bërë një analizë të plotë shkencore në pikpamje muziko-etnologjike të 30 këngëve çame të mbledhura gjatë ekspeditës. Në Shqipëri ka mbërritur një fotokopje e këtij botimi, të cilin e ruan Enver Kushi, shef i sektorit të muzeologjisë në Muzeun Historik Kombëtar. Nga një pjesë e shqipëruar që herët prej këtij botimi, në parathënien e librit gjejmë të dhëna të plota që studiuesit kanë renditur për ekspeditën, vendet ku u mblodhën, aparatet që u përdorën etj....Qëllimi ynë ishte të merreshim me shënime mbi muzikën popullore e të tri grupeve shqiptare, të toskëve, labërve dhe çameve. Kështu konstatuam veçanti muzikore në krahinën pranë Liqenit të Ohrit, në Mokër, në pllajën e lartë të Korçës në krahinën e Devollit, në malësinë e Skraparit, në fushën e Kolonjës, në fushën e Vijosës, në Myzeqe, Mallakastër, në Berat, Elbasan, Lushnjë, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë, Borsh, Himarë, Dukat, Vlorë dhe në Kurvelesh. Baza teknike përbëhej prej tre manjetofonve me mikrofonë dinamikë, tre aparate fotografikë dhe një aparat me film të ngushtë, shkruajnë autorët. Rezultatet e ekspeditës ishin 620 inçizime pllakash (30 orë), një numër i madh fotografish dhe shënimesh etnografike. Bota çame ishte një botë e panjohur e interesante edhe për ne. Kishte këngëtarë të mirë dhe me zë të bukur. Kujtoj se kur po inçizonim një grua në Babicë e cila quhej Hatixhe duke kënduar një këngë vaji, na u desh ta ndërprisnim inçizimin. Asaj i kishte vdekur i ati dhe e përjetoi shumë këngën sa ne nuk mund të vazhdonim më tej, tregon profesor Sokoli. Studiuesit kanë analizuar 30 këngë çame mes të cilave tri pjesë solo, një këngë djepi dhe dy këngë vajtimi. Përkrah tekstit shqip dhe gjermanisht ata kanë analizuar edhe vijën muzikore të këtyre këngëve. Studiuesit nuk janë ndalur shumë në ndërtimin e tekstit, fjalët që përdoren, por në veçoritë melodike të këtyre këngëve. Ky botim konsiderohet si më i ploti dhe shumë shkencor në mbledhjen e folklorit shqiptar, por që nuk gjeti hapësirë në Shqipëri. Nuk dihet nëse këta studiues kanë botuar të tjera vëllime në vazhdimësi të këtij vëllimi të parë. Më poshtë, kemi shkëputur një pjesë nga ky botim për të dhënë një ide më të qartë se çfarë ishte kjo ekspeditë, çfarë panë të veçantë studiuesit gjerman në folklorin shqiptar, pasi jehona e kësaj ekspedite në Shqipëri ngeli e mbyllur vetëm brenda vitit 1957.
…”Shqipëria në pikpamje të etnologjisë muzikore mbeti një tokë e panjohur. Ky fakt na habit aq më tepër, mbasi në bazë të eksperiencës së fituar në rajonin e Ballkanit, duhej të supozonim që edhe ndaj shqiptarëve është ruajtur deri në ditët e sotme një kulturë muzikore popullore me shumë traditë, nga zbulimi shkencor i së cilës priteshin njohuri të rëndësishme. Mungesa e kolektorëve të muzikës në këtë vend, mosinteresimi i shkencëtarëve të huaj dhe para së gjithash pozita politike dhe ekonomike jo e favorshme e Shqipërisë, e cila vetëm më 1912 mundi të shpëtojë nga shtypja otomane, porse pavarësinë e plotë nacionale të saj e arriti në fund të luftës së Dytë Botërore, mund të jenë disa nga shkaqet që Shqipëria deri në ditët tona mbeti një njollë e bardhë në hartën e muzikës popullore të Evropës Juglindore. Përkundrazi, disa disiplina shkencore të tjera e kuptuan përjet rëndësinë e gjurmimit të Shqipërisë dhe zhvilluan një aktivitet të madh në këtë drejtim. Vëmendjen e tyre mbi këtë popull me tre milion frymë e tërhoqën më fort raportet mbi udhëtimet që botonin përfaqësuesit diplomatik të fuqive të huaja qysh nga shekulli i XIX, të cilat përmbanin lajme të vlefshme mbi historinë, etnografinë, gjuhën, gjeografinë dhe diçka edhe mbi format arkaike të muzikës popullore. Me kompozitorin dhe folkloristin Ramadan Sokolin gjurmimi i muzikës popullore mori një shtytje të re. Ai së pari u mor me veglat e muzikës popullore, të cilat ai sot i njeh shumë mirë. Në vitin 1954 ai botoi artikullin “Veglat Muzikore të Popullit Tonë”, artikull i cili paraqet një vështrim me baza mbi të gjitha veglat e muzikës popullore të deritanishme. Deri tani muzika vokale nuk është zbuluar dhe nuk është prekur. Neglizhimi i mbledhjes së materialit, vetëm Ramadan Sokoli botoi dy artikuj mbi “Këngët e Punës në Folklorin Tonë” bëri të pamundur studimin e thelbit të muzikës popullore shqiptare. Mungonin inçizimet me manjetofon, pa të cilat nuk mund të kapet plotësisht struktura dhe karakteri i këngëve shqiptare. Vërtet Radio Tirana ka në arkivin e saj një numër të madh incizimesh, por ato janë shënime të zgjedhura për qëllime emisionesh dhe janë marrë nga ansamblet e muzikës popullore gjatë festivaleve. Vlera shkencore e koleksionit është pra e kufizuar, sidomos mbasi mungojnë edhe të dhënat etnografike. Edhe arkivat e jashtme kanë vetëm pak inçizime. Kështu,“katalogu i muzikës popullore të Evropës në Institutin për gjurmime muzikore në Regensburg (1952) ka vetëm 5 inçizime shqipe me manjetofon pa baza protokollare. Collection Phonetheque Nationale Paris (1522) ka 13 pllaka dhe International Catalogue et Recorded Folk Musik (Oxfort 1954) dy pllaka. Në qoftë se duam të krijojmë një bazë studimesh më të gjerë dhe më të sigurt, atëherë duhet të mbledhim së pari materialin muzikor etnologjik me anë aparatesh të përsosur. Mbasi atëherë në Shqipni nuk ekzistonin këto kondita, kurse zhdukja e traditave me shpejtësi kërkonte një veprimtari të shpejtë, autori propozoi organizimin e një ekspedite koleksioni gjermano-shqiptar. Ajo të plotësonte ato që ishin lënë mbas dore në të kaluarën dhe të mblidhte sa më shumë dëshmi të kulturës muzikore popullore shqiptare për gjurmime shkencore. Instituti i Folklorit gjerman pranë Akademisë së Shkencave Gjermane në Berlin e pranoi këtë plan dhe u kujdes me dorë të lirë për realizimin e tij. Pala shqiptare që përfaqësohej prej Ministrisë së Arsimit, e përshëndeti bashkëpunimin e propozuar dhe e përkrahu me sa pati mundësi këtë ndërmarrje.

Ekspedita

Ekspedita u zhvillua si një ndërmarrje e përbashkët e Institutit Folkloristik Gjerman në Berlin dhe e Ministrisë së Arësimit dhe Kulturës prej muajve Maj deri në Gusht 1957. Nga pala shqiptare morën pjesë folkloristët Albert Paparisto dhe Ramadan Sokoli. Pjesëmarrësit gjerman ishin Wilfried Fiedler si linguist, Johan Kyritz si specialist teknik dhe Erich Stockmann si teknolog muzike dhe kryetar i grupit gjerman. Detyrat e këtij gjurmimi të parë muziko-etnologjik në Shqipëri, duhej caktuar me kujdes. Ndonëse në situatën e dhënë të gjurmimeve çdo aksion mbledhës ishte për të përshëndetur, megjithatë koha e punës prej tre muajve duhej ndarë në mënyrë racionale. Të kufizohesh brenda një terreni të ngushtë me dy ose tre fshatra dhe këtu me ca studime të hollësishme mbi muzikën popullore, për të fituar së paku një bazë të shëndoshë në rajonin muzikor të pastudiuar të Shqipërisë ose nuk do të ishte më mirë të studioje një krahinë gjeografikisht të kufizuar qartas, një grup etnik ose bile një gjini, si p.sh. këngët epike? Ne kishim shumë mundësi, me të mirat dhe të këqijat e tyre, dhe vendosëm si fushë pune të zgjedhim Shqipërinë jugore. Në favor të këtij vendimi flitnin shumë arsye. Pjesa jugore e Shqipërisë në sajë të shumë tipareve të përbashkëta del se është një unitet i mbyllur. Ajo dallon në pikpamje kulturale, por edhe gjuhësore prej veriut. Kufirin midis të dy pjesëve të vendit dhe njëkohësisht midis të dy grupeve të popullit, gegëve në veri dhe toskëve në jug që flasin dialekte të ndryshme e formon Shkumbini. Qëllimi ynë ishte të merrnim shënime mbi muzikën popullore të tre grupeve shqiptare; e toskëve, labërve dhe çamëve. Toskët banojnë sot midis Shkumbinit dhe Vjosës; në jug të Vjosës jetojnë labërit. Në jugun ekstrem banojnë çamët, por pjesa më e madhe e tokës së tyre gjendet sot në Greqi. Pastaj brenda mundësive ne u përpoqëm të hetonim traditat provinciale dhe lokale që ekzistojnë në muzikën popullore të fiseve të ndryshme. Kështu konstatuam veçanti muzikore në krahinën pranë Liqenit të Ohrit, në Mokërr, në pllajën e lartë të Korçës në krahinën e Devollit, në malësinë e Skraparit, në fushën e Kolonjës, në fushën e Vjosës, në Myzeqe, Mallakastër, në Berat, Elbasan, Lushnjë, Këlcyrë, Gjirokastër, Sarandë, Borsh, Himarë, Dukat, Vlorë dhe në Kurvelesh.

Pajisjet


Paisjen teknike të ekspeditës e vuri në dispozicion Instituti i Folkloristikës Gjerman në Berlin. Ajo përbëhej prej tre manjetofonëve me mikrofonë dinamikë, tre aparate fotografikë dhe një aparat me film të ngushtë.
Grupet e këngëtarëve: Karakteristikë për këngët popullore të Shqipërisë jugore është këndimi me shumë zëra. Grupet e këngëtarëve, përveç solistit, kanë së paku tre deri në 15 persona. Këngëtarët mblidhen zakonisht në një gjysëm rrethi. Te këngët bordunale të toskëve, labëve dhe çamëve solistët ulen njëri kundrejt tjetrit ose njëri pranë tjetrit. Ata përbëjnë qendrën e grupit dhe rreth këtij grupi ulet pastaj kori. Grupet e këngëtarëve janë gjithnjë bashkësi burrash (djemsh) ose grash (vajzash). Kjo ndarje e sekseve në Shqipëri, kur këndojnë është një nga tiparet e shumta arkaike dhe respektohet me rigorozitet. Vetëm kur me rastin e inçizimeve tona, numri i këngëtarëve nuk ishte i plotë, ne merrnim në grup një këngtar të seksit tjetër. Ndërsa përbërja e korit zakonisht nuk është fikse, nëpër fshatra takojmë me një ose dy çifte solistësh që shpesh herë këndojnë së bashku. Në përgjithësi nuk hasim në pengesa për të gjetur këngëtarë të përshtatshëm për inçizimet tona. Ndryshe ishte çështja me gratë. Në përputhje me pozitën e tyre sociale ato ishin të turpshme dhe të rezervuara dhe kandiseshin me zor që të këndonin.
Repertori i burrave dhe grave përsa i përket gjinive, nuk ndryshon shumë. Ai përfshin këngë dashurie, ligjërata, këngë historike, këngë për festat vjetore dhe sidoqoftë këngë shoqërie. Një përjashtim bëjnë vetëm këngët e djepit dhe të vajtimit që i këndojnë vetëm gratë solo. Mbledhja e atyre gjinive të fundit ishte shumë e vonshme.

Tekstet dhe veglat muzikore

Një vëmendje të veçantë iu kushtua shënimit të tekstit të këngëve. Një provë e bërë në fillim të punës tregoi se tekstet e këngëve të inçizuara me majetofon nuk mund të deshifroheshin plotësisht. Bile edhe folkloristët shqiptarë hiqnin shumë për të shqiptuar tekstin ekzakt. Kështu u detyruam që para inçizimit t’u thoshim këngëtarëve që të na diktonin tekstet dhe pastaj i plotësonim dhe i korrigjonim ato. Tekstet i shënonin Ramadan Sokoli, Albert Paparisto ose Ëilfried Friedler. Përveç muzikës vokale, e cila në praktikën e muzikës popullore të Shqipërisë së jugut zë një pozitë dominuese, shënuam edhe veglat e muzikës popullore. Fusha e punës në këtë pikëpamje doli se ishte shumë e vobektë. Kështu p.sh. në fshatrat me tradita të theksuara të muzikës popullore neve nuk konstatuam vegla më të zhvilluara të muzikës popullore. Edhe numri i tipave të përhapura në Shqipërinë jugore është shumë i vogël. Në përgjithësi kemi të bëjmë me fyej të gjatë, me fyej të thjeshtë dhe të dyfishtë, me gajga, oboe, kërrneta prej kallami ose prej drithi, me lahuta me qafë të shkurtër dhe me daulle. Përveç të dy tipave të fundit, të gjithë veglat e tjera u përkasin veglave të barinjve. Repertori programatik që ata luajnë me fyejt e tyre të gjatë, i cili lidhet ngushtë me punën baritore, meriton një interes të veçantë.

Instrumentistët

Instrumentistët, këngëtarët dhe këngëtaret janë pothuajse të gjithë nga popullsia fshatare. Neve me qëllim zgjodhëm si vende inçizimi fshatra të izoluara me komunikacion të zorshëm, për të mbledhur dëshmi autentike nga kultura muzikore e fshatrave dhe barnjve të Shqipërisë jugore. Konstatuam se këtu muzika popullore ka akoma lidhje shumë të gjalla me traditat dhe me jetën, dhe se ajo nga ndryshimet e mëdha sociale të dekadave të fundit, deri tani është prekur vetëm fare pak. U vërtetua në mënyrë të qartë supozimi ynë se në Shqipëri janë ruajtur forma dhe praktika muzikore deri në kohën e sotme; gjithashtu u arrit plotësisht pikësynimi i aksionit tonë për të dhënë një vështrim të parë mbi botën e formave dhe të jetës së kulturës muzikore popullore të Shqiprisë jugore.

Rezultatet

Deri sa kishte mundësi, ne trajtuam dhe muzikën popullore të minoriteteve nacionale që jetojnë në Shqipërinë jugore. Kështu neve mundëm të bëjmë disa inçizime të vlefshme me majetofon nga minoritetet grek dhe nomadët vlleh. Veç kësaj ekspedita punoi një javë në veri të vendit ku u inçizuan këngë epike dhe muzikë instrumentale. Rezultati i përgjithshëm i ekspeditës është ky: 620 inçizime pllakash (rreth 30 orë), si dhe një numër i madh fotografish dhe shënimesh etnografike. Për të shfrytëzuar materialin e mbledhur dhe për të kryer sa më shpejt punën, ne vendosëm ta ndajmë punën. Folkloristët shqiptarë morën përsipër përpunimin e incizimeve nga toskëria lindore dhe shkencëtarët gjermanë përpunimin e incizimeve nga toskëria perëndimore, Labëria dhe Çamëria.

Këngët e çamëve

Mjerisht në vitin 1957, nuk ishte e mundur të punoje në pjesën shqiptare të Çamërisë. Këngëtarët që pyetëm ne, ishin të gjithë çamër, të cilët më 1944 kishin ardhur nga Greqia në Shqipëri. Këta njerëz të shpërngulur mezi i gjetëm, mbasi nuk banojnë në fshatra të përbashkëta. Ata i gjejmë zakonisht në grupe, të përbërë prej disa familjeve, sidomos në periferinë e qyteteve Durrës, Vlorë, Fier etj. Lidhjet midis grupeve janë akoma të forta nga shkaku i lidhjeve të mëparshme dhe favorizohen edhe prej ambjentit të huaj. Natyrisht gjatë kohës çamët do të shkrihen me popullsinë e vjetër toske dhe labe. Ky proces posa kishte filluar në kohën e koleksionit, gjë që e tregojnë disa shenja sidomos gjuhësore. Në vitin 1957 inçizimi i këngëve çame u bë në tre vende (Fier, Skelë dhe Babicë e Vlorës), të cilat gjenden të gjitha jashtë Çamërisë. Këngëtarët ishin më fort nga i njëjti fshat ose së paku nga e njëjta krahinë. Kështu këngëtarët e Skelës para vitit 1944 banonin në krahinën e Gumenicës dhe pikërisht fshatrat Arpicë, Vola dhe Vajë. Këngëtarët e Fierit ishin nga Mazreku dhe grupi i Babicës nga fshatrat midis Mazrekut dhe Marglliçit (Cuarat, Skopion, Lenisht, Crikohar). Vendet dhe fshatrat në fjalë i përkasin të gjithë pjesës jug-perëndimore të Çamërisë greke. Këngëtarët tanë ishin para së gjithash bujqër të vegjël dhe barinj, të cilët edhe pas shpërnguljes punonin më fort në bujqësi. P.sh. në Babicë që është një fshat krejt çam, ata kishin formuar një kooperativë bujqësore dhe kishin ruajtur zakonet dhe doket e tyre. Sikundër në vendbanimet e mëparshme, barinjtë kullosnin bagëtinë dhe dinin t’i binin fyellit. Të gjitha gratë ishin veshur me kostumet e tyre të vjetra. Ndryshe ishte situata në të dy vendet e tjera, ku ne bëmë inçizime. Në Skelë që gjendet në periferinë e Vlorës, burrat dhe gratë nuk punonin më në bujqësi, sepse fitonin më shumë në fabrikat ose në portin e Vlorës. Një situatë të tillë gjetëm edhe në Fier. Materiali i mbledhur është i pakët, mbasi rrethanat nuk ishin të favorshme për koleksionin. Fati i rëndë i të shpërngulurve ka bërë që çamët të mos u zënë besë më të huajve, veçanërisht gratë ishin shumë të mbyllura. Këtu sigurisht ka kontribuar edhe feja mohamedane, të cilës i përkasin të gjithë çamët që pyetëm ne. Në përgjithësi këngëtarët nuk patën vështirësi që t’i riprodhonin për ne këngët që i kishin të freskëta në kujtesën e tyre. Se sa fort janë të lidhura këngët me raste të caktuara, këtë e konstatuam sidomos kur inçizuam këngë vajtimi dhe djepi, sepse këngëtarët nuk ishin në gjendje të këndonin këngë vajtimi ose djepi pa një pjesëmarrje të brendshme në to. Kur inçizuam një këngë vajtimi në Babicë këngëtarja 37-vjeçare Hatixhe Qamili, soliste e grupit të grave të Babicës, u prek aq shumë - duke i harruar të gjithë të pranishmit saqë ne u detyruam ta ndërpresim inçizimin. Ndër këngëtarët kishte njerëz me mosha të ndryshme, gjë që zakonisht në Shqipërinë jugore luan një rol të rëndësishëm në këngët popullore. Por këtu nuk pati një ndarje të moshave. Shkaku ishte se mungonte plotësisht rinia nën 25 vjeç dhe numri i këngëtarëve çam në fshatrat e inçizimit ishte relativisht i vogël. Ne zbatuam me rreptësi ndarjen në sekse, por nuk kundërshtuam bashkimin e këngëtarëve të vjetër dhe të rinj(3 deri në 10 vetë) qoftë në korin apo çiftet e solistëve.

No comments: