Friday, February 1, 2008

Literature/Gjuhesi


Vdekja e Historisë së Letërsisë
Agron TUFA
Shekulli 01-02-2008

Dekomunistizimi i shkencave tona letrare mbetet një utopi e rrezikshme. Miti i socrealizmit me figurat dhe idolet e veta është ngritur. Shkrimi i një teksti të Historisë së Letërsisë nuk po ndodh as sot. Duhet guxim intelektual të çrrënjosen mitet e propagandës socrealiste.

Nevoja për dekonstruktimin e miteve komuniste në një përditshmëri të tensionsionuar konjukturash politike, është detyrë e inteligjencies, sidomos kur këto mite në momente të caktuara pretendojnë të bëhen jo vetëm argumenti i ditës, por edhe instanca politike e publike shantazhi, revansh për të fituar status legjitim. Ringritja e nostalgjisë komuniste për "parajsën e humbur", duhet të marrë përgjigje njëkuptimëshe, nëse kemi vërtet ndërmend të ndahemi nga trashëgimia e rëndë enveriste, e cila sikundër e dimë mirë, shpaloset sot me të gjitha ngjyrat e palloit, në çdo ekran dhe të përditshme shqiptare.


Kur erdhën komunistët shqiptarë në pushtet, tendencën për krijimin e mitit të tyre e shprehën haptas, vrazhdë e me prepotencë, pothuaj në të gjithat sferat e dijes shkencore e humanitare, duke zbatuar dhunshëm modelet e gatshme të propagandës jugosllave e sovjete, edhe kur këto kalke ishin të pazbatueshme.
Një ndër shkencat që u përçudnua që në fillim qe Historia e Letërsisë shqipe.
Për vetë karakterin e saj, Historia e Letërsisë shqipe, paraqiste pika të errëta si nga ana dokumentare, aq edhe nga kronologjia e saj, të ndërprerë me shekuj të tërë, me qarqe, periudha dhe njësi kulturore, brendapërbrenda dhe në diasporë; kësisoj ajo paraqet vështirësi të mëdha për vetë parimet e qasjes metodologjike. Dhe nëse gjatë njëzetë vjetëve të shtetit të parë shqiptar, letërsia shqipe iu nënshtrua disa kritereve të studimit, klasifikimit dhe rikuptimësimit të saj, falë situatës liberale të krijuesve dhe studiuesve, revistave dhe klubeve kulturore e më gjerë – personaliteteve me ndikim të madh në kulturë – menjëherë pas ardhjes së komunistëve situata ndryshoi rrënjësisht. Në tekstet shkollore të lëndëve të letërsisë u zbatua që në fillim parimi i luftës së klasave, duke përjashtuar, mënjanuar dhe dënuar autorët më qendrorë në krijimin e vlerave përfaqësuese letrare.

Nisur nga hierarkia e vlerave letrare të vitit 1945, përjashtimi i Gjergj Fishtës nga letërsia shqipe, ka patur një efekt shokues, ndoshta edhe më të madh, se sa, po të na e lejojë imagjinata, heqja e Ismail Kadaresë nga peizazhi i letërsisë së sotme. Por nëse llogarisim që, një letërsi në rimëkëmbje e sipër, privohet nga figurat kyçe të procesit të saj si Et'hem Haxhiademi, Ernest Koliqi, Lazer Shantoja, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj, atëherë përvijohet një raport i thellë tëhuajësimi në lidhje me autenticitetin e traditës për hir të alienimit të një tradite artificiale, të imponuar dhe të importuar nga jashtë. Në fakt, mjafton t'u hedhësh një sy revistave të pasluftës së Dytë ("Literatura jonë" – qysh në emërtimin joshqip), "Nëntori", "Drita" etj), për të kuptuar mandej teptisjen e dogmës socrealiste, pa numëruar qindra broshura të ideologëve sovjetë mbi kulturën, letërsinë dhe artet. Aq më i mprehtë bëhet ky tëhuajësim, nëse i pëqasim këto periodikë kulturorë e shkencorë me disa prej revistave dhe organeve të paraluftës së Dytë, me "Përpjekje shqiptare", "Leka", "Minerva", "Hylli i Dritës", "Fryma", "Kritika", "Bota e re", etj.

Historia e letërsisë shqipe si shkencë njohu diskriminime, të cilat u përshkallëzuan me fuqizimin e diktaturës së tipit stalinist, aq sa dogma, përveç deklasimit të autorëve të traditës, shpiku dhe krijoi armiq të rinj, pa kursyer mbi ta teknologjitë e represionit, gjyqeve dhe zhdukjes fizike me pushkatime dhe varje. Të tillë fat e patën poetët dhe shkrimtarët katolikë si Vinçens Prenushin, deri tek episodet kur, sjellja e diktaturës kishte mbërritur slang-un e saj të sigurt. Këtë e dëshmojnë gjyqet dhe pushkatimet e Trifon Xhagjikës, Genc Lekës, Vilson Bllozhmit e Havzi Nelës. Aspektet terroriste të regjimit mbi shkrimtarët shqiptarë si Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Bilal Xhaferri, Bashkim Shehu, etj., i tejkalojnë vetë modelet më të egra sovjete të viteve '30. Madje komunistët shqiptarë i përndoqën edhe në mërgim, duke shpikur një detashment të fshehtë të Sigurimit të shtetit prej shkrimtarësh dhe studiuesish, me qëllim që vepra e tyre të mos kontaktonte me lexuesin shqiptar, sikundër në fakt, mbeti e panjohur vepra e Martin Camajt, Isuf dhe Dalan Luzajt, Namik Resulit dhe Ernest Koliqit.

Po të njëjtën strategji përdori pushteti komunist, disi më të kontrolluar, për letërsinë e re të zhvilluar në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. I pari tekst "gjithpërfshirës" i Historisë së Letërsisë shqipe mundi të botohet vetëm më 1983, i botuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe Akademia e Shkencave, në fakt, falë një protagonizmi të fortë të Dhimitër Shuteriqit, vetëkuptohet, me një politizim të skajshëm qysh në ngjizje. Me një politizim akoma më të skajshëm, siç pritej, botohet në vitin 1980, 1978 "Historia e Letërsisë shqiptare të realizmit socialist", me kryeredaktor Koço Bihikun. Përpjekjet e Namik Resulit, Arshi Pipës, Zef Skiroit të ri, Xhuzepe Ferrarit apo Rexhep Qosjes, janë gjithsesi një punë që, për fat të keq, nuk e gjeti destinacionin e duhur, ngase u botua jashtë Shqipërisë.
I vetmi tekst gjithpërfshirës i Historisë së Letërsisë shqipe u botua më 1993 në anglisht nga një studiues i huaj, Robert Elsie, dhe më vonë, edhe në shqip, në Kosovë ("Dukagjini", 2001). Kjo histori letërsie është një përpjekje për të trajtuar procesin letrar në gjuhën shqipe deri në vitin 1990. Ndonëse pa ndonjë kriter metodologjik të shkencave letrare, ndonëse me një deskreptivizëm gati naiv, ky është libri më i mirë për kushtet e atëhershme deri në 1990-ën.

Në situatën politike, kulturore e sociale të pasviteve '90, pritej të shkruhej për herë të parë një tekst fundamental i krejt zhvillimeve procesuale të letërsisë shqipe, me etapat, kahjet, prirjet, autorët, paradigmat stilistike, risitë dhe mjetet e shprehjes, por, ajme! kjo nuk ndodhi, dhe nuk po ndodh as sot. Vetë procesi letrar ka ngrirë i kryqëzuar deri në vitin 1990, - kufiri më i epërm që e çon një jo shqiptar, Robert Elsie dhe të cilit duhet t'i jemi mirënjohës. Natyrisht shkrimi i një teksti të Historisë së Letërsisë së një kulture, në rastin tonë, kërkon përveç përgatitjes profesionale një guxim intelektual, që të mund të çrrënjoste mitet e ngulitura të propagandës socrealiste. Natyrisht njerëz të përgatitur profesionalisht nuk mungojnë, as këtej dhe as matanë kufirit, e natyrisht, pas rënies së komunizmit shqiptar kanë kaluar 17 vjet – kohë e mjaftueshme për të reflektuar mbi produktin letrar të një kulture kombëtare. Sipas sociologëve të letërsisë kjo kohë është e mjaftueshme për të vlerësuar produktin letrar të tre brezave. Atëherë mosdashja për të përmbushur një boshllëk aq të madh, merr karakter demonstrativ dhe ky demarsh i shtrirë përgjatë 17 vjetëve, nuk është më i rastësishëm: ai u bashkohet dukurive, gjesteve, mënyrave të sjelljes, të cilat, të gjitha në ansambël, mbrojnë me fanatizëm kultet e ngulitura e të rreme të shkrimtarëve "të mëdhenj", të pagëzuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe shkencat e letërsisë gjatë socrealizmit.

Marrim parasysh një fakt të thjeshtë që nga pikvështrimet sociologjike, kulturologjike dhe estetike përcakton ligjësitë e formësimit të një brezi (sikundër jemi mësuar t'i vëmë re e t'i dallojmë shkrimtarët e viteve '50, '60, '70 dhe '80); ndër ndryshimet thelbësore që sjell një brez me krijimtarinë letrare janë ato të karakterit estetik, mendore dhe gjuhësorë, që çojnë pashmangshëm në ndryshimin e ndjeshmërisë. Megjithatë, pas vitit '90, megjithëse këto parametra kanë ndryshuar në akord me specifikën e vetëdijes së autorëve që hynë në letërsi, të papagëzuar nga asnjë instancë stimuluese apo çenzuruese e survejuesve partiake, pavarësisht vlerave dhe individualitetit artistik të tyre, prapëseprapë në kujtesën kolektive mbeten vetëm se emrat që u mitizuan gjatë diktaturës komuniste. Kjo në rrafshin praktik e ka një justifikim: tekstet me të cilat mësojnë ende shqiptarët në shkollë, gjimnaz apo universitet, janë mbushur vetëm me mitet e tyre.

Por specifika e Historisë së Letërsisë shqipe është e tillë, që pas vitit nëntëdhjetë, në sistemin letrar të saj, nëse shkruhej një tekst i tillë, duhej të përfshiheshin pikërisht ata shkrimtarë, të cilët vetë historianët e dikurshëm të letërsisë, i patën lënë jashtë, madje duke i trajtuar si armiq. Nuk janë të paktë ata doktorë-profesorë e akademikë që kanë marrë titujt e gradat deri në thinjën më të fundit duke sharë dhe dëshmuar "armiqësinë e tyre të bindur ndaj popullit shqiptar". Pas një ploje të tillë raciste e gjenocide, duhet të ndodhte e kundërta: të përfshiheshin në tekstin "kanonik", të paktën të pasluftës së Dytë, Kasëm Trebeshina, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri, Martin Camaj, e nëse "dreqosej" puna, të përziheshin edhe autorët e mëdhenj kosovarë (të mos flasim për krijuesit e brezit të viteve '90 që tanimë kanë botuar mbi 10 libra të zhanreve të ndryshme letrare), atëherë po: fizionomia e letërsisë shqipe do të dilte radikalisht e ndryshuar, jo me atë shurup të trëndafiltë, të cilin e kanë servirur historianët e socrealizmit për gjysëm shekulli, e që vazhdojnë në njëfarë mënyre ta servirin edhe sot. Mirëpo ky "demokratizim" i Historisë së Letërsisë nuk ndodhi dhe nuk po ndodh as sot, duke dëshmuar një mosdashje ekstreme për t'i shpalosur lexuesit, studiuesit, nxënësit dhe studentit shqiptar peisazhin e vërtetë të letërsisë së tyre kombëtare. Kjo disiplinë është mbërthyer në kryq, në vitin 1990. Për këtë disiplinë Shqipëria ende nuk e ka përmbysur regjimin komunist, krijimtaria e shkrimtarëve tanë të njohur e më të rinj, të pushkatuar e disidentë, thjesht nuk ka mbërritur ende. Për disiplinën e Historisë së Letërsisë ndarja e madhe, divorci me diktaturën mbetet ende një fakt që ka bërë vaki në ëndërr. Është më se e qëlluar shprehja e Marin Camajt, e sjellë këtu në një kontekst edhe më të gjerë, jo vetëm nominal të përdorimit: "Besoj se Shqipëria do të jetë me të vërtetë e lirë, vetëm atëherë kur shqiptarët do të kenë mundësi të lexojnë, të studiojnë dhe të vlerësojnë veprat e shkrimtarëve të tillë të mëdhenj si Arshi Pipa". Përsëritim edhe ne pas Camajt: "Do të jetë e lirë, atëher kur... por kjo "atëherë" nuk po vjen kurrë".

Tendencioziteti po bëhet përditë e më tragjikomik. Historianët e letërsisë e dinë shumë mirë që fshehja e procesit letrar, pikërisht në një pikë kyçe të historisë përbën anomali të rëndë, aq më tepër kur ky proces është ndalur me rënien e ideologjisë komuniste në Shqipëri. Ata e dinë mirë gjithashtu se, krijimtaria në sistemin letrar, qoftë të një autori të njohur, qoftë të mesëm, qoftë rishtar, për një periudhe 18 vjeçare pëson një evolucion (apo degradim) si sasior, ashtu edhe cilësor, duke ndikuar jo vetëm në sistemin e krijimtarisë personale, por edhe të krejt sistemit të gjuhës në letërsisë në të cilën cilën shkruan. Atëherë përse nuk mund të shkruhet një Histori e Letërsisë shqipe, kur dimë që kemi, përveç departamenteve të specializuara nëpër universitete, edhe një Institut të Gjuhësisë dhe Letërsisë? Kur kemi edhe një Akademi Shkencash? Mos vallë kjo do të sillte një rishikim tërësor të kocepteve dhe ideologjizmit me të cilat është tejngopur metodolgjia shkencore shqiptare? Me çfarë janë marrë e merren më sakt këto institucione dhe si e justifikojnë ekzistencën e tyre, duke i anashkaluar problemit qendror? Në fakt gjendemi në pozicionin e zënies jesir, të pengut, dhe duhet më në fund të shembim autoritetin e rremë, mitin profan që kanë këto institucione, më konkretisht reputacionin fiktiv të profesor-doktorëve si pjesë e një mentaliteti dhe strategjie komuniste në shkencat tona. Përndryshe vazhdimi është i mërzitshëm: kjo klasë konjukturale do të qarkullojë nëpër konferenca, simpoziume, duke diktuar të njëjtat mendime të mykura, duke diktuar se çfarë antologjish duhen bërë dhe se, kush duhet ta përfaqësojë letërsinë shqipe brenda dhe jashtë. Pavarësisht se cila strategji ndiqet, pavarësisht nese ajo eshte e vullnetshme apo e pavullnetshme, një gjë del qartë nga rezultati i fundmë që: heshtja, injorimi, mosdashja për të përmbushur funksionin që kanë këto institucione shkencore me autoritetin e vetëm pagëzues, përbën një startegji të qëllimshme: atë të ngrirjes së kohës në vend. Më tej shtrihet një tokë e lënë djerrë, një peisazh xhungël, e padenjë për t'u përfillur, që do të thotë: asgjë interesante, asgjë që do t'ia vlente nuk mund të përbëjë një Histori të ligjshme të Letërsisë shqipe. Koha është ndalur në "shekullin e artë" të socrealizmit, vitin 1990. Çdo gjë e sanksionuar në vijën e poshtme kronologjike të letërsisë shqipe ka vlerë dhe vlen të përmendet; çdo zhvillim tjetër sipër këtij kufiri, bart vlera të dyshimta e tepër të rrezikshme që çojnë në thyerjen e kanonit socrealist. Prandaj dhe gjithë ky fanatizëm për vlerën socrealiste! Rëndom një historian letërsie, duke u nisur nga një produkt letrar, zbulon ligjësi, parashikon ndryshime thelbësore që i paraprijnë një horizonti të ri të shpërthimit të dukurive të reja. Vetë fakti që, shumica e autorëve të përmendur në Historinë e Letërsisë deri në vitin 1990, kanë botuar me dhjetra vepra duke e zgjeruar dhe ndryshuar profilin krijues të opusit të tyre, do të thotë se, nuk kemi të bëjmë më me të njëjtët autorë. Gjenerata më e re e përmendur deri në vitin e lartpërmendur, ka krijiuar fizionominë e vet me disa vepra shumë të rëndësishme dhe tashmë ata kanë mbërritur sot pjekurinë e plotë. Një numër i madh krijuesish i botuan veprat e para në periudhën 1990 – 2000 dhe janë ata që po i japin tonin dhe dinamikën letërsisë shqipe. Po për këta nuk mund kurrësesi të flitet, sepse Historia e Letërsisë tonë qëndron e mbërthyer në kryq dhe se ky kryq, synon ruajtjen e miteve të shënuara nga propaganda komunizte zyrtare. Fakti se viti '90 ndan qartazi dy epoka: – Totalitarizmin dhe Demokracinë, - nuk i vë në siklet fare repartet e kuqe të shkencës së djeshme komuniste, përbën të vetmin protagonizëm grupor, – një donkishotizëm në kuptimin me negativ të fjalës.

Dekomunistizimi i shkencave tona letrare, edhe pas 17 vjetësh, mbetet ende një utopi e rrezikshme. Miti i socrealizmit me figurat dhe idolet e veta është ngritur. Tani inxhinjeria e funksionimit të mitit e ka më të kollajtë: në fillim u punua fort e me largpamësi për krijimin e mitit. Tani nuk është nevoja ta ndihmojmë, se tani miti punon vetë: punon për ta. Dhe nëse në departamentet tona shtrohet gjithë e më fort problemi i emërtuar tashmë si letërsia e viteve '90, atëherë dëgjojmë të flitet gjithë idilë e mahni për rifreskimin e krijimtarisë së po atyre emrave që kanë qenë autorë të viteve gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë, por asessi nuk bën vaki të jetë përmendur ndonjë autor i viteve '90; sepse, sipas kësaj logjike brezat e rinj, individualitetet e reja, thjesht nuk kanë lindur: ata duhet të presin derisa të vdesin gjeneratat e viteve gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë e tetëdhjetë – çka përbën një serial më vete që mund ta quajmë "Terminator 4". Nëse ngre pyetjen pse, atëherë përgjigjia është e prerë: ata nuk janë kanonizuar në tekstet e Historisë së Letërsisë, dhe një tekst i tillë është kryqëzuar në vitin 1990, d.m.th, para rënies së komunizmit stalinist shqiptar.

Historia e Letërsisë shqipe nuk shkruhet. Nuk duan. As nuk lënë kënd ta shkruajë, sikundër nuk botojnë ata autorë që e kanë shkruar në periudha të veçanta. Dihet mirë se profesori me reputacion shkencor ndërkombëtar, studiuesi dhe historiani i letërsisë, kritiku, filozofi, poeti e përkthyesi shqiptar Arshi Pipa ka një studim kapital mbi Historinë e letërsisë shqipe në anglisht – trilogjinë "Albanika". Pse nuk u përkthye, këndej dhe matanë kufirit? Sepse, po të përkthehej, e mo' zo' ma keq, të botohej, do të shkonin për dushk të gjitha kriteret dhe kararet e vendosura nga akademikët: hierarkia jonë letrare do të shembej si një kala milingonash. Rrjedhimisht, etja egoiste për lavdi, nuk mund ta zotërojë më atë copë të mjerë përjetësie të rreme.

No comments: