Saturday, January 5, 2008

Literature/Gjuhesi



E drejta e krijuesit në diskursin mbi gjuhën
Agron Tufa
Shekulli/Kulture
04-01-2008

Jo vetëm ata gjuhëtarë që janë thirrur nergut në vitin 1972 të kryejnë eutanazinë mbi gegnishten, por, në përgjithësi, kur gjuhëtarët përvetësojnë arbitrarisht të drejtën e diskutimit mbi gjuhën, më ngjallin përfytyrën e një grupi studentësh-praktikantë të mjekësisë që bëjnë autopsinë e një kufome
E drejta për diskurs mbi gjuhën është, natyrisht, e gjithkujt (përshtat me aftësitë, shkallën e njohurive, shqetësimit konkret dhe, jo rrallë, konjukturës që i shërben i shqetësuari). Megjithatë, dikursi publik sundohet, kryesisht, nga fare pak emra, për të themeluar pozicionet e tyre pro gjuhës së unifikuar. Znj. Shamku-Shkreli e thotë hapur se gjuha standarde me bazë dialektin tosk ka shkaktuar një dramë zor të riparueshme për bartësit e gegnishtes, duke thelluar dhe ushtruar një aspekt racizmi e diskriminimi të shumëfishtë në statusin e tyre individual e shoqëror, për çka sjell mjaft argumenta të detajuar e bindës.
Z. Adri Nurellari, në një shkrim të kohëve të fundit në "Panorama" ("Ndërlikimet politike të rishikimit të gjuhës letrare shqipe"), e vendos diskursin mbi gjuhën në kontekste gjeopolitike dhe patriotike, duke tabuizuar çdo prirje diskursive. Së paku, tani për tani, sipas z. Nurellari, duhet ta mbajmë gojën "sus", pasi kundërvënia ndaj gjuhës letrare përbën kundravajtje me rrezik kombëtar për "momentin historik në të cilin zhvillohet debati". Madje, edhe nëse ky debat herëdokur do të hapet, ai, sugjeron Nurellari, "duhet të ngelet përbrenda sferës së disiplinës shkencore të gjuhësisë dhe duhet të trajtohet nga një komunitet profesionist". Mësymja më e re në diskursin mbi gjuhën është ajo e znj. Kristina Jorgaqi, me titull "Mistifikimet mbi standardin dhe rolin e gegërishtes" ("Shekulli", 17.12.2007). Ky standard, sipas znj. Jorgaqi, paska rrjedhë krejt i natyrshëm, si në vaj! Kontribut thelbësor në pjekjen e të drejtës historike të dialektit tosk, sipas Jorgaqit, ka sjellë "Albania" e Konicës (1897-1909).

Mjafton një pyetje me natyrë sociologjike për ta vënë totalisht në dyshim faktin e servirur si të mirëqenë: sa lexues hynin në komunikim me "Albania"-n e Konicës? Fill, mandej do të ishte me vend të flisnim për shkallën e ndikimit, pasi historia e shkrimit dhe repertorit të teksteve tona na tregon, qysh në zanafillë, dramën e vazhdueshme të mosnjohjes, moskomunikimit që nga Bogdani-Buzuku gjer tek De Rada-Frashëri. Do të isha (dhe jam) shumë pranë logjikës solide të znj. Shamku-Shkreli (me tezat e së cilës bën polemikë të maskuar Jorgaqi), por më pengon natyra paradoksalo-oksimorone e pozicionit të saj të angazhuar politik. Nëse do të triumfonte ideali politik i znj. Shamku-Shkreli dhe asaj t'i jepej në dorë udhëheqja e operacionit delikat në "ndreqjen e padrejtësive" që i janë bërë gegnishtes, atëherë nga do t'ia mbante kjo zonjë? Kundër tezave të saj do të ngrihej tërë detashmenti i politikanëve socialistë, si të vetmit (vallë?) trashëgimtarë të plojës gjuhësore të 1972-shit!

Sa për z. Nurellari, jam gati të pres, duke shtrënguar heroikisht ndër dhëmbë sentencën e Franz Kafkës: "Mosdurimi është kryemëkati i të gjithë mëkateve". Por jo më shumë.

Me znj. Jorgaqi e kam të pamundur të shterroj argumentet e mia, ngase apologjia e saj për "të drejtën historike" të toskërishtes, të realizuar në vitet e detyrimit diktatorial, janë naivisht kundërthënëse. Por këtu dua të shpreh qartë pozicionimin tim nga autorët e shumë nderuar, duke marrë parasysh edhe të tjerë para tyre.

Edhe në duel ka rregulla të qarta loje, të cilat, sipas etikës kalorsiake, i caktojnë sekundantët. Në debatet tona publike nuk ka rregull loje. Prandaj, rëndom, dëgjojmë vetëm njërën palë e, së këndejmi, betonojmë pozicionet e keqkuptuara. Gjuha është një organizëm i gjallë! - Një parrullë, sa e vërtetë, aq dhe e veleritur nga përsëritja e të kuptuarit gabim. Janë lënë të flasin gjithmonë vetëm punonjësit e gjuhësisë, por rrallë, ose asnjëherë nuk janë shprehur krijuesit – pikërisht ata që krijojnë gjuhën. Jo vetëm ata gjuhëtarë që janë thirrur nergut në vitin 1972 të kryejnë eutanazinë mbi gegnishten, por, në përgjithësi, kur gjuhëtarët përvetësojnë arbitrarisht të drejtën e diskutimit mbi gjuhën, më ngjallin përfytyrën e një grupi studentësh-praktikantë të mjekësisë, me bluza të bardha e bisturi në dorë, që bëjnë autopsinë e një kufome. Por gjuha, e thamë, është organizëm i gjallë, jo kufomë! Dhe gjuhën e krijojnë jo gjuhëtarët, por krijuesit! Josif Brodskij thotë se, "nëse një krijues diç mund të dëshmojë, ai, në rastin më të mirë mund të dëshmojë veçse gjuhë. Asgjë më tepër". Atëherë, kush është krijuesi i gjuhës? Shkrimtari apo gjuhëtari? Si mund t'i vihen kufij shkrimtarit se në çfarë norme do të shkruajë ai? Si do të kishte qenë Kuteli, Asllani, Poradeci, Musine Kokalari, Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Pipa, Kadare, Pashku, Camaj, Shllaku (Primo) e deri tek Ledia Dushi, nëse do t'u bindeshin rregullave drejtshkrimore të vendosura më 1972? Sa poezi kanë shkruar poetët tanë të fundshekullit XIX për gjuhën shqipe? Kujt t'i besojmë, Naimit apo Fishtës e Mjedës në vërtetësitë subjektive të tyre? Kur flasim për gjuhë letrare, nuk mund të thuash për asnjë shkrimtar, qoftë të toskërishtes, qoftë të gegnishtes, se ai ka shkruar në gjuhë joletrare. Sinoret dhe zotërimet e gjuhës janë e vetmja pronë e shkrimtarit: ai bredh në zotërimin e vetë, deri në kufijtë e pamundur të mbretërimit të tij gjuhësor, duke e zgjeruar vazhdimisht hartën e zotërimeve të veta.

Brezat që dolën nga komunizmi, qoftë të plakur, qoftë mesoburra, qoftë edhe "generation pepsi-cola" i pasnëntëdhjetës, patën etje ta projektonin veten të lirë, para së gjithash, tek gjuha. Prandaj ne themi se liria krijuese i tejkalon mediokritetet e stërvonuara të administratës shtetërore dhe konferencat e mykura akademike të ish-shkencëtarëve me bisturi në dorë. Ne themi ka patur gjuhë të Hëlderlinit, Novalisit, Hajnes, por jo gjuhë të Humboldtit apo Shlajermaherit. Themi ka patur gjuhë të Pasternakut, Mandelshtamit, Ahmatovës, por jo gjuhë të Potebnjas apo Vinogradovit. Themi ka patur gjuhë të Lasgushit, Mitrushit, Koliqit, por jo gjuhë të Xhuvanit, Çabejt, Rizës apo Justin Rrotës. Për momentin "historik" dominoi toskërishtja si bazë e gjuhës njësuáre, po kush e parashikon përballjen që sugjeron liria me gjuhën, e cila është liria më intime e njeriut? Gjuha është organizëm i gjallë? Le ta ndjekim evoluimin e saj, por pa dhunë, pa sensibilitet xheloz: ajo do të marrë çfarë i takon, do të "hakmerret" për padrejtësitë në komunikimet intensive të shprehjes së nevojës shpirtërore dhe psikes kombëtare në tërë segmentin Prishtinë-Tiranë. E siguroj znj. Jorgaqi, pa u sforcuar në këtë profeci se, kur të jemi pleq, natyra e standartit do të ketë gjetur fizionominë e vet, ndoshta dhe me flamujt e kthyer të infinitivit.

Ne e kaluam një përvojë disa dekadash. Arritëm të shprehim gjë me gjuhën e unifikuar? Znj. Jorgaqi shprehet se gjuha standarde "është një realitet që shpesh mbështetet nga politika gjuhësore, të cilat i japin përparësi absolute kultivimit dhe ngulitjes së standardit". Unë them se miti i standardit do të fillojë të shembet. Në bisedat e shpenguara të përditshme, madje në debatet televizive, sheh jugorë që e përdorin shlirshëm infinitivin e privuar nga standardja. Bisturia e kujt mund t'i presë këta përrenj ligjërimi të gjallë? Përkundër idilës së ngulitur të znj. Jorgaqi, gjuha letrare paraqiste imazhin e një liqeni, të cilit i qenë prerë grykëderdhjet e përrenjve (dialektet): një leksemë, idiomë apo përftesë gege konsiderohej nga çensorët e barazvlefshme me një diversant apo desant ajror. Pyesni shkrimtarët dhe poetët që kanë kaluar nëpër purgatorin e Sh.B "Naim Frashëri". Ku mbërritëm ne si gjuhë me letrarishten pa paskajore? Në një varfërim të tejskajshëm të shprehjes së të vërtetave shpirtërore, metafizike e ontologjike! Nga të gjitha gjuhët europiane e jo europiane, vetëm shqipja standarde dhe greqishtja (e re) janë të privuara prej infinitivit. Por infinitivi është e vetmja kategori gramatikore e nginjur me kuptime abstrakte, e domosdoshme për të kryer operacione të holla të mendimit, semantikës, filozofisë, ndërkaq që folja e zgjedhuar në vetën e parë, numri njëjës, shenjon kategori gramatikore krejt tjetër! Pa këtë kategori gramatikore, edhe dilema shekspiriane më madhe e njerëzimit "to be or not to be" degjeneron në"të rrosh a të mos rrosh - (banosh, gjallosh, jesh, etj.), kjo është çështja" – në vend të: "Me qenë a mos me qenë...!"

Për znj. Jorgaqi, jo për mbrojtësit e trashëgimisë së kalcifikuar të standardit, unë po e paraqes uzurpimin e letrarishtes në analogji me një fakt që përmend Konica: "Në Azinë e Vogël – grekët e Çezaresë kanë ruajtur një traditë të çuditshme: ata mëtojnë se një princ turk që sundonte në "atë kohë", me qëllim që të çrrënjoste përdorimin e greqishtes në këtë provincë, ua preu gjuhën të gjithë banorëve. Dhe me të vërtetë, brezi pasues, i edukuar në mjedisin e një populli memecësh, nuk mësoi të flasë veçse turqisht" ("Sprovë për gjuhët natyrore dhe gjuhët e sendërgjuara", "Onufri", 2001).

Në analogji me grekët e Çezaresë, nënkuptoj fatin e gegnishtes si gjuhë që i kishte provuar armët që nga formula e Pal Engjëllit në vitin 1462, duke themeluar në vijim, deri në shekullin XIX, traditën e vetme letrare në gjuhën shqipe, të cilën e udhëhoqi më pas, deri në vendosjen e pushtetit gjakatar komunist në vitin 1945. Pushkatimet e shkrimtarëve gegë, përjashtimi nga komunikimi i autorëve më në zë të kësaj tradite, veçanërisht të Fishtës - janë të njëvlerëshme me prerjen e gjuhës banorëve të Çezaresë sonë, me qëllim që brezat e ardhshëm të mos e artikulonin më atë shqipe, ndonëse e patëm të vetmin personazh të historisë, dhe që për pesë shekuj përcaktoi identitetin shqiptar këtu ku jemi. Prandaj tingëllon cinik pasazhi i znj. Jorgaqi kur pajton argatë (ajme, shumë të vonuar), për të mbështetur mendimin e saj se, gjoja, "Gegërishtja, ... - po t'i referohemi gjuhëtares amerikane Janet Byron (në Selection among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian, Mouton, The Hague, 1976) - kish mbetur një dialekt tepër i fragmentarizuar, që nuk kish mundur të ngrihej e të përpunohej, sikurse toskërishtja, në një koine, pra në një variant të përbashkët për të gjithë gegëshkruesit. Ajo, po ashtu, nuk kish mundur të arrinte atë që kish bërë toskërishtja, edhe pse në një masë të kufizuar: të integronte në strukturat e saj disa elementë të dialektit tjetër".

Sa mirë do të kishte qenë sikur, përveç Janet Byron-it, znj. Jorgaqi të na kishte cituar, po prej anglishtes, veprën kurrë të botueme në shqip të A. Pipës "Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste", edhe pse janë botuar sulmet kundër kësaj vepre (broshura e Peter Priftit, p.sh.)! Gjon Shllaku, përkthyes i madh, helenist e latinist, thotë se "gegnishtja i ka kultivue të gjitha gjinitë letrare. Ka romanin më të parë, epikën ma të hershme, etj. Si kohë, Naimi vjen pas Fishtës, por tetërrokëshi i tij as që ka të krahasueme me të. "Luftëtarëtë lëftuan", thotë Naimi. Pse, tetërrokësh asht ky? Kurse Fishta të batërdis me një tetërrokësh: "Kush e din sa ujë e dhê/ Mue prej teje ka me m'da! " ("Fjala" 7. 02. 2002). Atëherë, për çfarë koineje e ka fjalën znj. Jorgaqi në vitin 1976, pasi ploja mizore mbi gegnishten kishte ngrehë "gostinë e murtajës"? Në këto vite, diktatura komuniste ia kishte dalë të formonte slang-un e vet. Konvulset e mbrame të gegnishtes qenë shuar aty nga viti 1966, në një nga guvat më të skajme lëngonjëse ku e kishte izoluar diktatura – në përkthimin artistik. Duke nisur nga viti 1959 e deri në këtë vit, prej këso konvulsesh vijnë në gegnishte elegante e madhështore shqipërimet e kryeveprave botërore të Pashko Gjeçit e Gjon Shllakut – "Komedia Hyjnore" e Dantes, "Iliada" dhe "Odisea", përfshi dhe përkthime të tjera të Çezar Kurtit, Mark Demës apo Henrik Lacajt (pa harruar se gjatë këtyre viteve vazhdonin krijimtarinë e vet dhe tre kolosë të gegnishtes – Ernest Koliqi, Arshi Pipa dhe Martin Camaj). Tashmë, këto momumente të letërsisë botërore, gjithë në akord me politikën komuniste gjuhësore në Shqipëri, i gjen të ribotuara në gjuhën e sotme letrare njëlloj, si në Prishtinë, ashtu dhe në Tiranë. Ky është një akt makabër i ringritjes nga varri të këtyre shkrimtarëve për t'i rivrarë tani në 2007-ën, me qëllimin e paramenduar që kjo traditë të tjetërsohet dhe prej saj të mos rrjedhë më asnjë pikë e atij uji të gjallë të gjuhës; që nga kjo "gajde njëmijëgrykëshe" të mos rrjedhë më fryma e lashtë e fjalëve ndër shekuj.

Disa teza didaktike të znj. Jorgaqi për liberalizimin e dialekteve, fjalorëve apo televizioneve lokalë në dialekt, mbase janë të çmuara, por bien në kundërthënie me habinë e pambarim të gjuhëtares – habi (vini re!) për pretendimet e pabaza dhe absurde se gjoja, "gjuha standarde qenkësh produkt "artificial", "arbitrar", "totalitar", dhe si e tillë tashmë "e drunjëzuar", "hermetike", "e shtangur" a "e ngurtësuar". Pos këtyre, shqipja standarde penalizohet, madje fort, për dëmin shkaktuar gegërishtes në favor dialektit tosk, rikuperimi i të cilit duhet kryer duke rishikuar a "ripërkufizuar" bazën e saj dialektore" etj., etj.

Çdo njeri ka të drejtë të habitet, por zonja në fjalë duket se ka frikë t'i ndriçojë shkaqet e habisë, të cilat pjesërisht i pranon, pjesërisht i anashkalon. Dhe nëse është e irrituar nga kjo habi e keqe, nëse janë të pabaza pretendimet për dëmin e shkaktuar ndaj gegnishtes dhe se standardi na qenkësh në rregull, përse u duhet "lëshuar litari" dialekteve?

"Me shkrue a mos me shkrue", - ja pyetja që i bën sot vetes krijuesi i ri shqiptar, të cilit i ra për hise me lindë në viset e gegnisë. E nëse shkrimtari është kipc i Demiurgut, kjo varet kryekëput nga gjuha. Se cilat janë epërsitë e strukturës gramatikore e fonetike, të njërës apo të tjetrës – ky është një problem delikat e i diskutueshëm. Por nuk është aspak argument pozitiv "thjeshtësia". Gramatikisht, i bie që thjeshtësia qëndroka tek mungesa e paskajores?! Prandaj nuk mund të përkthejmë dot gjithë traditën e mendimit dhe filozofisë botërore, sepse nocionet abstrakte që ka infinitivi, pa hyrë në zgjedhim, nuk përkthehen në shqipen standarde! Si mund të përktheheshin në letrarishte, për shembull, foljet në infitiv që përbëjnë nocionet filozofike të Hajdegerit lidhur me Dasein? Të zgjedhuara në vetë të parë njëjës? Ku qëndron thjeshtësia fonetike, nëse dalim në ligjërimin e thukët të gjuhës së poezisë? Të thuash "menjëherë" apo "saora"? Të thuash "vazhdimisht/gjithënjë/gjithmonë" apo "prore"? Të mos flasim për pjesoret dhe përcjelloret, të cilat instinktit dhe vetëdijes krijuese të poetit, i cili e ka marrë instinktin e gjuhës bashkë me pikën e tamlit të nënës – të gjitha mbaresat e panevojshme me "uër", "yer", "uar", i shembëllejnë me korin e famshëm të Aristofanit nga "Brektkosat": "kuak-kuak-kuak, verekekeks-kekeks, koaks-koaks".

Krijuesi shqiptar gegë përfaqëson në thelb tëhuajësimin gjuhësor, përderisa impulsi krijues, ai mekanizëm automatik që fshik, zgjon dhe ngre asociacionet meditative, është i detyruar të kalojë nëpër një itinerar të padukshëm përkthimi brendagjuhësor, gjer në verbalizimin e ligjërimit. Nëse i përmbahemi postulatit filozofik të Martin Hajdegerit se, "Gjuha është shtëpia e Qenies" dhe njeriu bun në këtë shtëpi, atëherë përfytyrohet se si do të jetë rrojtja e shkrimtarit tonë në galerën e gjuhës Njësuáre. Me fjalë të tjera, ka ndodhur ajo që mund ta quajmë "harrimi i qenies".

Por ky tëhuajësim gjuhësor vazhdon të thellohet më fort tani, 17 vjet pas rënies së komunizmit me brezat e rinj, të cilët, njëlloj si në komunizëm, nuk arrijnë dot të lexojnë traditën tonë letrare 400-vjeçare në gegnisht. Politika jonë arsimore në këtë pikë ka dëshmuar se është banale, krejt e paaftë të dijë se çfarë ka vlerë, çfarë është e shtrenjtë. Shkollarët tanë, të aftë të mësojnë disa gjuhë të huaja, janë aq të zotë sa të familjarizohen shpejt me gegnishten apo arbërishten dhe mandej, t'i shijojnë bukuritë e gjuhës në gjithë repertorin e teksteve gege, pa përkthimin e tyre në shqipen letrare, siç bëhet me Fishtën sot. Shija e gjuhës së një vepre letrare nuk mund të merret duke përkthyer Fishtën nga gegnishtja e tok me të, duke ndryshuar masën e vargut, ritmin dhe rrokjet gjatë përkthimit nga shqipja në shqip. (Po sikur të ndërmerrej një aksion po kaq absurd dhe të përkthenim Naimin, Çajupin, Ali Asllanin, Nolin, Lasgushin etj., në gegnisht?).

Do të ishte shumë më mirë të lexoheshin dhe komentoheshin vargjet e "Miloosat" në arbërisht, sesa të përkthyera në njërin prej shtatë varianteve në shqipen e sotme. Të vetmen habi që sjell kjo traditë e keqe mund ta formulojmë kështu: të përkthesh nga shqipja në shqip që të kuptosh pastaj se cila është gjuha jote amtare.

Faqet e "Komedisë Hyjnore" të Dantes në të gjitha botimet italisht, që nga shkulli XIII e deri sot, kanë sjellë, gjithë e më tepër, pakësimin e vargjeve dhe shtimin e komentarëve në fund të tyre, pa u ngazëllyer me shpikjen tonë të përkthimit apo "përshtatjes në gjuhën e sotme". Prirja drejt shërbimit të teksteve sipas teknikës së "fast-food"-it, privon të vetmin kontakt të shkollarit me aurën e papërsëritshme të origjinalit, edukon një formim të cekët estetik, e për pasojë, edhe etik. Nga shkolla deri në gjimnaz, e mandej, nga gjimnazi në universitet, është një rrugë tepër e gjatë dhe mëse e mjaftueshme për t'u familjarizuar me këto tekste që përjashtoi politika gjuhësore komuniste. Nëse nuk futet që në programet shkollore kjo strategji, atëherë tëhuajësimi nga tradita gege është një vepër e pandreqshme, njëlloj si vdekja.

Atëherë do të kemi kryer një krim kolektiv mbi identitetin tonë. Krim që shteti dhe politika jonë nuk kanë për ta ndjerë fare, sepse shtetarit tonë, politikanit tonë, i duhen gjithëqysh 100-200 fjalë për të tjerrë ligjërimin e tij të mërzitshëm.

Rezistenca është mision i heshtur e i vetmuar i artistëve, i atyre që nuk mund ta kalojnë jetën dhe të vërtetat e qenieve të tyre me leksikun prej 100-200 fjalësh të shpëlara, i atyre që e kanë ndjeshmërinë ndaj fjalës dhe kulturës. I atyre që tek fjala, kultura dhe komunikimi artistik gjejnë të vetmin kuptim të qenies dhe botës.

*Autori është poet, prozator, përkthyes, pedagog i Letërsisë së Huaj të Shekullit XX në Fakultetin Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës

http://www.shekulli.com.al/print.php?a=19659

Somario

Brezat që dolën nga komunizmi, qoftë të plakur, qoftë mesoburra, qoftë edhe "generation pepsi-cola" i pasnëntëdhjetës, patën etje ta projektonin veten të lirë, para së gjithash, tek gjuha. Prandaj ne themi se liria krijuese i tejkalon mediokritetet e stërvonuara të administratës shtetërore dhe konferencat e mykura akademike të ish-shkencëtarëve me bisturi në dorë.

No comments: