Saturday, January 5, 2008
Literature/Gjuhesi
Në Hullinë e Normës
Nga Altin Topi
Shekulli/Kritike
31-07-2007
Saussure theksonte se linguistët duhet të studiojnë gjuhën e folur e jo atë të shkruar. Para tij, linguistë e filologë të tjerë si vëllezërit Grimm, Franc Bobb, etj., e kishin mbështetur veprën e tyre, në studimin e transkriptimin e veprës gojore të popujve gjermanikë. Kurse para tyre, Johan Christoph Adelung, filologu i famshëm gjerman me maksimën: -"Shkruaje gjuhen siç e flet, dhe lexoje siç është e shkruar", kishte hartuar gramatikën dhe ortografinë normative gjermane. Të gjitha alfabetet dhe ortografitë evropiane (duke filluar nga latinishtja) janë mbështetur në alfabetin grek, i cili vetë erdhi si një kulmim i përpjekjeve katër-pesë mijëvjeçarëshe në pellgun e Lindjes së Mesme; për ta ekonomizuar paraqitjen grafike të gjuhës në inventar e duke e zvogëluar në madhësi. Shumica e hartuesve të alfabetit të shqipes ishin nxënës të principit të Adelungut, "një shkronje, për çdo tingull të plotë fonetik". Ishin ata që na dhanë alfabetin që i përgjigjet kësaj situate e që është i qëndrueshëm në transkriptimin e shqipes së folur.
Ndërkohë, që alfabeti, si forme grafike është në gjendje të prezantojë me konsekuencë tingujt e njohur të një gjuhe, përsëri mbetet një metodë e inxhinieruar e prezantimit të gjuhës. Në thelb, është një teknologji që transmetohet kulturalisht nga një brez në tjetrin. Ndërkohë, kur mund të transmetohet e kopjohet besnikërisht edhe nga një 5-6-vjeçar, duke qenë e tillë, ka edhe kufizimet e veta vis-à-vis gjuhës së folur. Sikur të mund të arkivonim këto transkriptime teknologjike për një periudhë kohore, për shembull, sa jeta mesatare e një njeriu, do të vërenim se gjuha e folur pas 80-vjetësh, me atë që është arkivuar në transkriptimet fonetike, nuk do të përputheshin.
Një rezultat i tillë, i ka shtyrë studiuesit të rimendojnë raportin e prezantimit të gjuhës nëpërmjet teknologjisë, alfabetit, me imazhin e gjuhës që është në mendjen tonë. Përderisa simbolet kanë një rol të rëndësishëm në jetën tonë të përditshme, edhe në lidhje me gjuhën do të imagjinonim fillimisht se, del nga arkiva e mendjes e vihet në përdorim, njëlloj sikur të jetë një copë letër e shkruar. Si rrjedhojë, në fillim linguistët postuluan fonemën (grup tingujsh që shkakton ndryshimin e kuptimit e të fjalëve) si një lloj shkronje psikologjike që është arkivuar në trurin tonë. Fonema, gabimisht u imagjinua si shëmbëlltyra psikologjike e shkronjës e cila mbetet e pandryshuar; pavarësisht se nuk mund ta prekësh, e as mund ta shohësh, siç ndodh me germat e shkrimin. Ishte më vonë përsëri teknologjia, nëpërmjet regjistrimit të zërit, spektografëve sonikë, sintetizuesve të së folurës, që nxorën në pah se nuk ka përputhje në kohë (në periudha të ndryshme kohore) midis të folurës, tingujve e xhestikulimit fonetik dhe transkriptimit fonetik të mundësuar nga alfabeti. Gjuha e shkruar me kalimin e kohës humbet një sasi të konsiderueshme informacioni fonetik. Fonemat dhe gjuha që ato i përkasin nuk janë diçka diskrete; megjithëse përngjasojnë me simbolet, ato nuk janë konsistente e ndryshojnë me kohë.
Debati mbi gjuhën shqipe, raporti që ka ajo me standardin dhe gjuhën e folur, tashmë ka kohë që ka dale nga gardhi i diskutimit akademik. Kur ceket tema e gjuhës - nëse duhet bërë diçka, e çfarë duhet bërë - pjesëmarrësit reagojnë më shumë emocionalisht. Ndërkohë, do të ishte mëmirë të djersitnin mendjet për të gjetur një lloj konsensusi e kompromisi: "Ç'duhet bërë për të përcaktuar së çfarë nevojitet për të ndrequr, për të pasuruar, e bërë rinovime në shtëpinë e ekzistencës, esencës sonë, gjuhës shqipe?" Çka shkruajta më sipër vlen për të dëshmuar sadopak, se gjuha, duam apo s'duam ne, ndjek rrugën e vet të ndryshimeve jashtë dyerve të Akademisë, shtypit të përditshëm, librit, medias, etj.
Linguistët janë ato që në ndryshim nga gramatikanet e përshkruajnë gjuhën, kurse gramatikanët janë ato që e normojnë atë. Është vështirë të zgjedhësh midis të dyve nëse do t'i trajtonim si dy entitete të ndara. Ndërkohë është vërejtur se shartimi i mirë midis të dyve, na ka dhuruar mjeshtrit e mëdhenj të gjuhës. Përse ndodh që një shartim i tille na ka dhënë mjeshtër të tillë? Gjuhëtarët seriozë për të mbrojtur çdo pozicion normativ në gramatike, ortografi, e në gjuhë në përgjithësi, bëjnë dallimin midis natyrës e kulturës së gjuhës. Debati rreth normës së standardit nuk është sjellë akoma kah natyra e gjuhës, thelbi i saj - që është ndryshimi i vazhdueshëm. Linguisti që kam ndërmend unë, është edhe një kulturalist, që e konsideron anën kulturore të gjuhës të rëndësishme, i përkushtuar kultivimit të gjuhës, ku gjuha e folur duhet përmirësuar dhe kultivuar. Për këtë, duhet që gjuha të vëzhgohet në mënyrë kritike dhe estetike, ku gjuha e shkruar të shërbejë si baza për reflektimin e këtyre ndryshimeve. Për linguistët që studiojnë zhvillimet historike të gjuhës, ndryshimet e vazhdueshme janë esenca e gjuhës. Gjuha ndryshon vetvetiu, e ndikuar kryesisht prej faktorëve dinamikë të brendshëm, e më pak prej faktorëve të jashtëm. Nen një këndvështrimin shkencor të tillë, gjuha e folur është një organizëm i gjallë, që kalon nëpër faza të ndryshme zhvillimi, e pavarur nga vullnetet e dëshirat tona. Debati rreth normës të standardit nuk mund të bëhet pa një shikim retrospektiv historik i zhvillimeve socio-lingustike.
Përmendja e filologut gjerman, J.C.Adelung, i shton një dimension tjetër diskutimit tim. Adelungu ishte një ithtar i vernakularit (gjuhës që flitet nga popullsia e gjerë në përgjithësi), por një gjuhë që është më përfaqësuese dhe më e përdorura. Për të, përhapja e përdorimi i këtij lloj vernakulari, i cili i largohet ekstremeve dialektore ishte detyra e çdo linguisti. Një ambient të tillë për Adelungun mund ta krijonte vetëm një zonë e caktuar, që dallohet për një zhvillim e lulëzim të madh ekonomik, pasurim e rritje të mirëqenies të popullsisë. Ai vërente se një situatë e tillë në kohën e tij, ishte krijuar në Saksoninë e Sipërme, e cila ishte bërë qëndra kryesore, prej ku ai kishte nxjerrë e hulumtuar materialin gjuhësor për hartimin a gramatikës e ortografisë normative gjermane, e të fjalorit voluminoz të gjermanishtes. Vepra e tij e vuri gjermanishten në hullinë e standardizimit, e shërbeu si material reference për zhvillimin e gjuhës gjermane deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai ishte elitist në mënyrën se si e shihte zhvillimin e gjuhës. Saksonia prej nga ku kishte nisur Reformimi Evropian, konsiderohej nga Adelungu si qendra e shkencës dhe e kultivimit të shijeve, duke përfshirë këtu edhe preferencat gjuhësore. Si shkollar klasik, Adelungu i përkiste kulturalistëve; për të normimi i gjuhës, duhet të bëhej duke patur parasysh aspektin kulturor të gjuhës, nevojën e kultivimit të saj.
Paralele historike me Saksoninë e Adelungut, grimca të atij universi, mund të bëhen deri-diku me bumin ekonomik, lëvrimet gjuhësore e kulturore që udhëhiqeshin prej elitës qytetare shkodrane, të mbështetur në mënyrë të veçantë nga kleri katolik. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, figura të spikatura shkodrane nxorën në qarkullim botime periodike, që kur i shfleton edhe sot, janë për t'u patur zili. Një pjesë e autorëve, megjithëse ishin klerikë, në punimet e tyre reflektonin shpirtin e diturinë e tyre laike. Përveç kësaj, terreni shkodran ishte reformator, mbeti i hapur, e bashkëpunoi me pendat e tjera në trevat e tjera jugore shqiptare. Në shkrimet e asaj kohe ndjehen përpjekjet për të transkriptuar vernakularin, duke e zbutur dhe e kultivuar, duke e mbajtur larg nga ekstremet dialektore. Normën e një proto-standardi, autorët në periodikët shkodranë, qoftë jugore, qoftë veriore, e mbështesnin në vëzhgimin e gjuhës reale në përdorim, natyrisht duke iu referuar autorëve më të mirë. Proto-standardi ishte një përzgjedhje e kontributeve leksikore, ortografike, e gramatikore të autorëve më të spikatur. Ishte një proces që kishte filluar e kishte dhënë shenja se me kalimin e kohës dualizmi dialektor jug-veri, mund të kapërcehet nëpërmjet këtij procesi seleksionimi që reflektohej në gjuhën e shkruar.
Por ky proces, e procese të ngjashme me të në Shqipëri, nuk patën jetë shumë të gjatë. U ndërprenë, si pasojë e ndryshimeve politike në Shqipëri. Atë çfarë do vinte më pas, po të ndiqej ky fill, sot nuk jemi në gjendje ta imagjinojmë. Por një gjë e dimë me siguri, që etapat e seleksionimit të normues, të standardit, të kodifikimit dhe të përpunimit të tij, nuk u bënë sipas një procesi të pritshëm kronologjik, ashtu siç do të ishte e dëshirueshme dhe e pritshme të bëhej. Etapat u dogjën, u përzjenë, dhe standardizimi i përngjau distopisë oruelliane në librin 1984. Norma e standardit u gëlltit njëlloj siç gëlltiteshin disiplinat e inxhinieruara gjuhësore në jetën e përditshme të personazheve të këtij libri. Duke e lidhur me fjalët e Stuart Mill mbi utopine e distopine, çka ndodhi me normën e standardit, nuk ishte as edhe utopike, si diçka shumë e mirë për të qenë e vërtetë dhe e praktikueshme. Norma e standardit që nxori viti 1973, ishte në shumë aspekte distopike; mjaft e keqe të zbatohej në praktikë, duke varfëruar leksikun, e duke reduktuar dikotomitë gjuhësore, vetëm në dy lloje ekstremesh, bardhë e zi; e keqe/e mirë, e drejtë/e padrejtë, korrekte/jokorrekte, etj. Gjuha e Re (Newspeak) në novelën distopike oruelliane, kishte për synim të zhdukte Gjuhën e Vjetër (Oldspeak). E gjithë literaturë e së kaluarës duhej të zhdukej. Edhe Shekspiri, Milton e Bajroni, do të flisnin në variantin e Gjuhës së Re. Në këtë mënyrë ato do të shpërfytyroheshin në diçka tjetër, në të kundërtën e asaj për të cilën ishin krijuar.
E vërtetë, në atdheun tonë të dikurshëm oruellian, a nuk përdoreshin veprat e tyre vetëm për të ilustruar ortodoksinë e ligjëratës komuniste; ku koncepti i lirisë nuk ekzistonte e për më tepër, as që perceptohej, përderisa njerëzit nuk ishin të lirë të mendonin. Ashtu siç shkruante Oruelli, klima e mendimeve ishte kthyer në një klime të pandërgjegjshme sloganesh, ku të menduarit ishte shpallur i paligjshëm.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment