Friday, January 11, 2008

Opinion/Kritike


Genesis dhe Globalizmi
Nga Altin Topi
Shekulli Maj 2003

Konflikti qe ka shoqeruar historine e njerezimit eshte biblik, ka ardhur ne ditet tona me historine e dy vellezerve, Kainit dhe Abelit. Ne “Genesis”, pa shpjeguar se cfare u tha midis vellezerve, tregohet qe Kaini i revoltuar me vellane, Abelin, ne vrull te zemerimit e vrau ate. Studiuesit e Bibles te hebrenjve kane dhene shpjegime te ndryshme per shkaqet e nje vllavrasje te tille. Nje nga hipotezat e zenkes eshte ekonomike: vellezerit nuk ishin te kenaqur me ndarjen e pasurise qe kishin bere ne fillim. Nje tjeter hipoteze e mundeshme: pasuria ishte ndare sic duhet, por vellezerit nuk binin dakord se ku duhej te ndertohej tempulli, qe simbolizonte besimin dhe identitetin kultural te cdo njerit; secili donte te ndertonte nje tempull, ne anen e tij te truallit, duke trasheguar i vetem emrin e familjes. Pra, permbledhurazi, luftohej per pasuri dhe identitet, per legjitimizimin e tyre ne kurriz te njeri-tjetrit.


Historia e dy vellezerve mbart te gjithe ngarkesen emocionale, simboliken kuptimplote te natyres njerezore, e njekohesisht eshte interpretimi primordial i konflikteve qe vazhdojne te gjakosin edhe sot boten, sic eshte konflikti midis hebrenjve e palestinezve, shqiptareve te Kosoves e serbeve, etj. Llogjika qe vazhdon t’i ushqeje keto konflikte eshte elementare: “Une duhet te jem zot i tempullit qe legjitimizon identitetin tim, me te gjitha privilegjet politike-ekonomike qe rrjedhin nga ky zoterim. Perndryshe, politikisht dhe ekonomikisht do te jem nen grushtin e tjetrit.” Njerezit per te ruajtur identitetin, per te qene zoter te shtepise te tyre, per te mos mbetur rrenjeshkulur luftojne e japin jeten e tyre. Baladat, legjendat, mitet, heronjte, qe reflektojne kete konflikt te vjeter i humbasin fillesat e tyre diku thelle ne ujdhesat e kujteses kolektive. Deri me sot dukej sikur asgje nuk ka mundur t’a ndryshoje simboliken e grindjes vllavrasese te Kainit me Abelin, njelloj si ne zanafillen e njerezimit.

Tendenca e re e njerezimit sot eshte globalizimi, ku konfliktet qe nuk i gjendet zanafilla, nuk mund te mbeten ne sirtaret e historise si dosje te hapura “zenkash” te pazgjidhura. Koha ka treguar se po “te harrohen” keto konflikte qe nuk i dihet zanafilla, ato kthehen mbrapa me force hakmarrese me efektin e nje bumerangu. Nje amnezi historike “e qellimeshme”, jo vetem qe ndikon negativisht ne sigurine e pergjitheshme, ne ekonomite e vendeve qe e kane konfliktin ne shtepine te tyre, por edhe ne sigurine e per pasoje, edhe ne ekonomite e mbarevajtjen e fqinjeve e te vendeve qe mund te jene me mijra kilometra larg. Ndikimi qe ka mbajtja ndezur e konflikteve te klasifikuara si “pazgjidhje”, ne ekonomite lokale e ekonomine globale ne pergjithesi, doli qarte ne fjalimin qe mbajti Ariel Sharon ne parlamentin izraelit. Kryeministri izraelit per here te pare pranoi se: “Ideja qe akoma mund te mbahen 3.5 milion palestineze nen pushtim, – po, ju ndoshta mund te mos e pelqeni fjalen, por cfare po ndodh eshte pushtim, - eshte keq si per Izraelin ashtu edhe per palestinezet, eshte keq per ekonomine e Izraelit.” Padyshim, kjo shkaktoi nje peshtjellim si ne kabinetin e tij, ashtu edhe ne partine e tij likude. Befasia per mua, ashtu si per shume te tjere, ishte e mirepritur, e pelqyeshme, e shoqeruar me nje deshire hulumtuese per te analizuar shkaqet e nje deklarate te tille.

Te gjithe e njohim Ariel Sharon, si ish-gjenerali “grusht-hekur”, arkitekti kryesor i shtrirjes se kolonizimeve izraelite ne zemer te territoreve e qendrave urbane palestineze. Ai fitoi zgjedhjet si kryeminister, duke siguruar publikun se ai do t’i kthente Izraelit me llogjiken e nje gjenerali, sigurine e dikureshme, duke mos hequr dore nga kontrolli izraelit i vendeve te shenjta per hebrenjte, Xhudean dhe Samarian. Kurse kesaj rradhe ai deklaron: “Te mbash ne kontroll 3.5 milion palestineze nuk mund te vazhdoje pergjithmone. Ju doni te mbeteni ne Xhenin, Nablus, Ramallah dhe Betlehem?” Sa i besueshem mund te jete Sharoni me nje deklarate te tille ? Para se t’a konsiderosh nje “bllof”, duhet te marresh ne konsiderate nje sere faktoresh. Arial Sharon eshte 75 vjecar ai po mendon per posteritetin, si do te shkoje figura e tij ne histori. Ai ka shembuj pararendesit e vet, Beginin, gjithashtu ultrakonservatore, Rabinin ish-gjeneral, qe pasi provuan te gjitha metodat e tjera, e pasi deshtuan, konkluduan se duhet te provonin nje alternative tjeter, duke ndruar keshtu kursin e historine ne marredheniet me palestinezet e boten arabe. Ato u ulen ne tryezen e bisedimeve. Ai ka shembuj nga bota, udheheqes shtetesh qe hyne ne histori si reformatore, si Gorbacovi ne Rusi e Klarku ne Afriken e Jugut.

Nje arye tjeter qe Sharoni e vlereson seriozisht, eshte opinioni publik izraelit, qe sic kane treguar sondazhet e herepashereshme nga institutet me te besueshme lokale e boterore, ka pleqeruar idene se, palestinezet duhet te gezojne te drejten legjitime per te pasur shtetin e tyre te pavarur, plotesisht te ndare nga Izraeli e ne fqinjesi te mire me te. Pragmatizmi politik i Sharonit i ka rrenjet ne te kuptuarin gjithnje e me te thelle te rolit qe ka nevoja e sigurise per Izraelin, per vitalizimin e ekonomise, koezionin, ngjizjen e publikut hebre brenda dhe jashte Izraelit qe e shohin si domosdoshmeri paqen me palestinezet. Shkak tjeter per kete konvertim te Sharonit, eshte ruajtja me cdo kusht e aleances me strategjike te Izraelit, me SHBA-ne. Pra, duke analizuar kete zinxhir shkaqesh e arsyesh perse Sharoni kesaj rradhe nuk tregon grushtin e hekurt te nje gjenerali, por prezantohet me llogjiken pragmatiste te nje politikani, arrin ne konluzionin se deklarata ne fund te fundit eshte e lidhur drejtperdrejte me ekonomine e Izraelit. Nga ana tjeter, mbajtja hapur e vatres se konfliktit, ka nje “efekt dominoje” ne Lindjen e Mesme, duke arritur skajet me te largeta te globit, perfshire keto Ameriken. “Efekti domino” tani nuk eshte si ne Luften e Ftohte, ideologjik, por kryesisht ekonomik, duke ndikuar kryesisht ne ekonomine globale. Globalizmi eshte menyre e re te menduari, nuk mendon per tempujt me kokefortesine primordiale, konceptimin primitiv te identitetit. Por globalizmi as nuk kerkon t’i rrezoje tempujt e identiteteve mijravjecare. Ai i shndrron ato ne qendra peligrinazhi per t’i vellazeruar njerezit ne nje komunitet te madh qe bashkepunon e jep e merr resiprokisht kulturalisht dhe ekonomikisht. Ekonomia e nje vendi ne kuadrin e globalizmit nuk i nenshtrohet “zakoneve te zemres”, nuk influencohet nga emocionet qe i kane rrenjet thelle ne histori. Cdo shoqeri qe kerkon prosperitet ekonomik ne klimen e re financiare mbareboterore, duhet te zgjedhe nje balance te shendeteshme midis pjesemarrjes ne ekonomine globale dhe ruajtjes se tempullit, identitetit te vet. Per t’i mbijetuar forcave te verbeta homogjenizuese-transformuese, qe standartizojne e kontrollojne tregjet financiare e ekonomite e vendeve, cdo vend i vogel apo i madh, duhet te marre pjese me versionin e tij, “brand-in” e tij me kompetitiv kapitalist te perfaqesimit te vetes ne bote.

Vetevetiu, duke analizuar konfliktin izraelo-palestinez, per analogji te shkon mendja tek konflikti tjeter ne Ballkan, qe drejtperdrejte na prek ne shqiptaret ne pergjithesi, konflikti serbo-kosovar. Paralelizmi eshte i goditur ne shume aspekte. Fjalet e Sharonit, nese do te ndryshonim disa emertime, e numrin e popullsise nga 3.5 milion ne 2 milion, do te tingellonin shume reale kater vjet me pare. Serbet ne Kosove ishin nje force pushtuese qe mbante nen zap nje popullsi te tere shqiptare, kosovaret 2 milionesh. Cfare e detyroi Miloshevicin me serbet t’ia dorezonin kontrollin e Kosoves trupave te NATOs. Pergjigja duket e thjeshte: fuqia ushtarake e paberballueshme e Aleances te udhehequr nga SHBA. Por kjo nuk eshte pergjigje e plote. Serbet ushtarakisht paten humbje te paperfilleshme si ne njerez ashtu edhe paisje ushtarake ne Kosove. Ne te vertete cfare i detyroi serbet te dorezonin Kosoven, ishte lenia e Beogradit e qyteteve te tjera kryesore pa uje, pa buke, pa energji elektrike, prishja e urave, telekomunikacionit, pra izolimi nga bota e qyteteruar. Serbet kishin pare dite shume me te mira me pare. Pavarsisht, se e shkallmuan, e dogjen me zemrimin e Kainit, McDonald-in ne qender te Beogradit, simbolin e globalizmit te udhehequr nga SHBA, serbet kishin provuar efektet e deshirueshme te globalizmit e perfshirjes ne ekonomine boterore. Ato nuk donin te ktheheshin ne epoken e gurit, qe per ironi te fatit ato vete e kishin imponuar me dekada ne forma te tjera mbi Kosoven e kosovaret. Pra ne thelb ishte arsyeja ekonomike qe i detyroi te dorezonin Kosoven. A nuk ishte perseri ekonomia, paketa 100 milion dollareshe, qe i detyroi qeveritaret serbe te dorezonin Miloshevicin ne Hage? Besoj se askush nuk mund te pergjigjet me nje jo. Duke e shtyre analizen tone ne situaten aktuale te marredhenieve serbo-kosovare, megjithese nuk kemi sontazhe te besueshme, publiku i gjere serb, nese nuk e ka pjekur akoma mendimin se kosovaret dhe serbet duhet te jetojne ne dy shtete te ndare, te pavarur, do ta beje kete gje shume shpejt. E per keto do t’i shtyje ekonomia. Serbet nuk mund te kthehen me ne Kosove, me asnje lloj autoriteti tjeter vecse serisht te pushtuesit. Kjo nuk ka gjasa te ndodhe me, se nuk e lejon bota, pra nevoja, ose me mire domsodoshmeria historike per t’u bere pjese e ekonomise globale, e mireqenies globale.

Ashtu si Sharoni, qe e njohu zyrtarisht per here te pare “pushtimin izraelit” mbi territoret palestineze, do te vije nje dite, qe edhe serbet e udheheqesit e tyre te bejne te njejten gje, te detyrohen te ulen ne tryezen e bisedimeve e sebashku me kosovaret, te marrin hapa vitale per te krijuar nje atmosfere besimi reciprok per te shkuar drejt krijimit te dy shteteve fqinje krejtesisht te pavarur nga njeri-tjetri. Cfare do te behet me tempujt qe serbet do lene mbrapa ne Kosove, si manastiret e Decanit, Gracanices, Pejes? Pergjigje eshte e thjeshte, le te mbeten qendra pelegrinazhi fetar e monumente historike. Serbet te vine e t’i vizitojne sa here te duan, kerkush nuk ka perse t’i ndaloje, aq me teper qe ato kane nje minoritet te konsiderueshem ne Kosove. Kosovareve i intereson, njelloj si palestinezet, qe jane konsideruar si ruajtesit me te mire te tempujve hebrenj ne territoret e tyre, t’i mbajne, e t’i ruajne keto monumente historike, pa “i hyre ferra ne kembe”. Turizmi serb, i ngjashem me ate hebre apo te vendeve te tjera, ne vende te shenjta per serbet, do te ndihmoje ekonomine e Kosoves. Per te arritur ne kete pike, shqiptaret e Kosoves e serbet jane me afer se kurre ne histori. Tani i duhet nje “broker”(ndermjetes) i hapjes, sheshimit te rruges te tyre drejt paqes, e vullneti i mire nga te dyja palet. Perderisa vendeve te fuqishme si SHBA apo BE, qe i japin forme e drejtim globalizmit sot ne bote, i intereson te zgjerojne tregjet e tyre ekonomike-financiare duke futur ne gjirin e tyre Serbine e Kosoven, mund ta luajne ato kete rol, ashtu sic po bejne me izraelitet dhe palestinezet. Ne fund te fundit globalizmi, familja e madhe ekonomike-financiare boterore, do te krijoje kushtet qe kujtesa historike t’i ndihmoje kosovaret e serbet te ruajne identitetet e tyre, te ndjehen zoter ne shtepine e tyre, duke ruajtur balancen e nevojshme per te mos u kthyer tek “Genesis”(Fillesa), kur Kaini vret Abelin per te pasur kontroll mbi pasurine e tempullin e tjetrit.

No comments: