Sunday, January 13, 2008

Rite de Passage


Kultivimi i shoqerise civile
Nga Altin Topi
Shekulli Mars 2004

Duket sikur ne shqiptaret, fatalisht vazhdojme te mbetemi pashprese te rrethuar nga vetvetja. Eshte nje rreth vicioz, nje lak i padukshem, prej te cilit nuk po dime si te dalim. Perdite shpallim se duhet te shpetojme nga politikanet e sotem; te perzeme nga politika Berishen e Nanon; te shkulim nga rrenjet korrupsionin, menduzen, e cila po thith gjakun e shqiptareve; te ndryshojme systemin qeverises qe po na le jashte Evropes, ne erresire, pa uje, ne varferi, etj. Nga ana tjeter, me te njejtin pasion, pohojme se jemi pikerisht ne, - shoqeria shqiptare me karakterin e saj tipik ballkanik (nenkuptuar ky i fundit si i prapambetur e primitiv), - e cila i ve ne krye keta lloj politikanesh, perfaqesues te shqiptareve brenda e jashte Shqiperise e qe ushqen mentalitetin e korrupsionit, etj.
Cdo diskutim mbyllet duke shperndare mekatin e madh, nga pak tek te gjithe, duke gjetur ngushellim ne idene e Curcillit se “popujt kane ne krye, udheheqesit qe meritojne”. Thuhet se Curcilli e kishte fjalen pikerisht per shqiptaret, pra e thene me shqiptarce, “sipas kokes dhe festen”. Po a dolem keshtu nga vetja, a na mjafton ky lloj ngushellimi, per te qetesuar shpirtrat tane te trazuar, e per te rregulluar punet ne Shqiperine tone te vogel? Hic fare, perkundrazi, i mesohet gjenerates se re vecse nje gje: - “Nese deshtoni ne perpjekjet e juaja per fillime te reja, ne orvatjet per te dale nga ky rreth vicioz, ne fund te fundit, jeni te mirepritur ne strehen vorfnore te ngushellimit te perbashket, mund te vazhdoni te kendoni te njejtin refren si ne”.

Nje veshgues i kujdeshem, s’do te behej lehte pre e pesimizmit fatalist ballkanas. Se pari, do te thoshte se ju keni qene te sukseshem ne hapin e pare drejt demokracise; keni krijuar demokracine “ne leter”, formalen. Nga ana proceduriale,“me letrat” jemi me se ne rregull. Ne kemi kushtetuten, e cila garanton lirine e e fjales, te drejten e individit e te grumbullimit; ne leter ne kemi shenjteruar pronen private; ne leter ne kemi ligjin zgjedhor shumepartish, partite politike te ndryshme; ne leter ne kemi garantuar ndarjen e pushtetit; ne leter ne kemi….; etj. Te gjitha keto sebashku na klasifikojne si demokraci, por ama mos harro te shtosh fill pas, fjalen percaktuese te llojit te demokracise, demokraci proceduriale. Por demokracia nuk eshte thjesht procedurale, eshte nje koncept shume me i gjere e kompleks. Ajo qe etiketon saktesisht nje vend si me te vertete demokratik, eshte aspekti me thelbesor i saj, krijimi i segmentit civil te saj, - shoqerise civile, - e cila eshte substanca, palca kurrizore e demokracise. Simbolet formale te demokracise mund te abuzohen, mund te manipulohen nga elitat politike ne pushtet nepermjet individeve apo nje administrate te kripto-politizuar.

Demokracia ne kompleksitetin e saj nuk eshte nje cilesi e brendeshme, privilegj i trasheguar i kombeve te vecante, ajo eshte nje cilesi qe kultivohet. Vende te ndryshme kane ndjekur e ndjekin rruge me kohezgjatje te ndryshme per te ndertuar sisteme demokratike. Demokracia dhe shprehja me inherente, me perfaqesuese e saj, - shoqeria civile, - kerkohet te kultivohen ne nje shoqeri shqiptare, e cila ka trasheguar vlera e antivlera specifike per Shqiperine te krijuara pergjate historise te dhimbeshme te saj. Vendet perendimore duke perfshire ketu edhe SHBA, nuk mund te merren thjesht si shabllone per te ndertuar demokracine dhe shoqerine civile; kjo per shkaqe e arsye te realiteteve e perceptimeve te ndryshme te vlerave mbi te cilat jane ndertuar shoqerite respektive. Vendet promotore te reformimeve demokratike ne shtete si Shqiperia, kuptuan te paret se situata aktuale e transformimeve demokratike, kerkon nje ndryshim radikal te strategjise, nje zhvendosje te vemendjes e te ndihmes ne krijimin e forcimin e shoqerise civile, agjensive e shoqatave joqeveritare, formave te tjera te organizimit qytetar jashte ndikimit te ambjentit te saturuar me zhargonin politik. Realiteti shqiptar deshmon se duhet te hiqet dore nga teoria se, liria politike, gjithmone ndiqet nga reformat institucionale, legjislative e gjygjesore. Per vezhguesin e huaj apo shqiptar, nuk eshte e veshtire te arrihet ne konkluzionin se administrata shteterore shqiptare, pothuajse ne te gjitha hallkat e saj eshte e kaperthyer nga nje gjendje statu quo-je korrupsioni. Kjo situate, ka rrethuar shoqerine shqiptare me mure te larte, ku reformimet demokratike ngjajne vecse me disa iniciativa e ndermarrje te pafruteshme. Ne Shqiperi, zgjedhjet, marrja e votave (pra e pushtetit) prej njeres apo tjetres force politike, kane qene gjithmone te dyshimta dhe te perfolura. Modeli klasik i demokracise, ku te drejtat e liria e individit, prona private, etj, garantohen nga kushtetuta, shteti me kulisat e tij, pra nga maja e piramides se pushtetit deri poshte ne baze, tregon jo vetem qe nuk eshte eficient, por ne shumicen e rasteve eshte manipulues e abuzues. Kur administrata, politikanet, legjislatoret, drejtesia, sektori publik e privat, jane te nderthurur ne marredhenie te korruptuara, alternative e vetme, mbetet vet qytetari shqiptar, i vetorganizuar ne grupe, institucione, agjensi joqeveritare, jopolitike, pra ne ate qe perben shoqerine civile. Por nga ana tjeter shoqeria civile, nuk duhet te kuptohet thjesht si altoparlanti i protestes e revoltes qytetare karshi abuzimeve te shtetit e politikaneve, korrupsionit, mosrespektimit te drejtave njerezore, etj. Hallkat e format e organizimit te shoqerise civile, te afta per te ruajtur pavarsine, jane segmente, ura lidhese, midis shtetit e interesave publike e private, jane institucione, organizma eficiente per te garantuar lirine e individit nga abuzimet e elites politike e pushtetare. Shoqeria civile ne kete kontekst permbledh funksione, aftesi, kontroll civil mbi sektore te caktuar shteterore, sherben si forum informativ, perfaqeson e stimulon nje teresi vlerash qe kane te bejne me lirine e domokracine.

Shoqeria shqiptare eshte nje rezervuar i mbingarkuar vlerash e antivlerash. Ne gjuhen e “realpolitik-es”, programi perendimor per te promovuar demokracine ne Shqiperi, tashme ka marre trajtat e nje strategjie te kombinuar. Nga njere ane qeverise shqiptare, i ushtrohet presioni politik dhe ekonomik nga perendimi, duke i mbajtur mbyllur dyert e integrimit me institucionet evropiane, duke i mbyllur cezmen e ndihmave e kredive, pra presion nga larte. Nga ana tjeter, perendimi inkurrajon levizjet e organizmat e pavarura, perfaqesueset e shoqerise civile, per te shtuar presionin nga poshte mbi qeverine. Presioni qe kerkohet te behet nga poshte mbi qeverine e politikanet shqiptare, prej segmenteve te shoqerise civile, si psh OJQ, agjensite e institucionet e pavarura, te pafinancuara nga shteti, nuk presupozohet te jete thjesht zeri i protestes emocionale qytetare. Eshte presioni qe vjen nga organizma, forumet e nje mendimi, gjykimi te mireinformuar, te cilat kane aftesi te perfaqesojne e drejtojne. Duke u solidarizuar me levizjen e qytetareve e duke sherbyer si burim informacioni e ndergjegjesimi, shoqeria civile mund te ndikoje dukshem ne rritjen ekonomike, mireqenien e nje baze te gjere te shoqerise. Shperndarja e fuqise, mireqenies ekonomike ne nje baze me te gjere, zbut konfliket sociale, nuk lejon qe pasuria kombetare, te mirat materiale, paraja, te perqendrohet ne doren e nje grushti manjatesh shqiptare. E kuptuar ndoshta me vonese, por programi per demokratizimin e Shqiperise, duke marre parasysh kontrastet e ndezura lokale shqiptare “te ekonomise te tregut”, ka drejtuar vemendjen ne ringjalljen e vlerave te mirefillta tradicionale te ngurtesuara ne akullnajen shqiptare komuniste, vlera qe kane te bejne me humanizmin, solidaritetin e moralin njerezor. Dyqind vjet me pare, Adam Smithi verente se shkaqet e arsyet e shpopullimit te Ballkanit, migrimit te popullsise ballkanase, karakterit te prapambetur social te saj, duhet t’i kerkojme ne histori. Metodat e egra, teper te shemtuara, antisociale te te sunduarit, shtypja e pameshireshme nga sundimtaret gjakatare e mendjengushte osmane, semundjet sociale pasoje e ketij sundimi dhe jo epidemite, si murtaja apo malarja, ishin e jane shkaqet qe kontribuan ne krijimin e karakterit ballkanik. Komunizmi ishte varianti modern i ketij lloj sundimi. Gjysem shekulli komunizem, jo vetem qe ngurtesoi, ndrydhi me tej shpirtin e shqiptarit, duke bjerrur vlerat tradicionale qe kishin mundur t’i shpetuar lemerise osmane, por perforcoi antivlerat e trasheguara, duke i mbivendosur edhe ca te reja. Trashegimia e praktikes te centralizimit te planifikimit dhe vendim-marrjes, ku partia kontrollonte te gjithe sektoret e jetes social-ekonomike, duke perfshire edhe jeten private, privilegjet socio-ekonomike te anetarve e besnikeve te monizmit ne pushtet, kultivimi i pasivitetit, nenshtrimit, servilizmit, frikes, e bejne sot teper te veshtire qe t’i hapet vend shoqerise civile, si nje institucion i pavarur e transformues. Pushteti politik akoma shihet si nje forme per te kontrolluar e forcuar lidhjet personale, shteti perdoret si mjet per te perfituar personalisht dhe jo si nje kompetitor i denje, per tu futur ne gare me te.


Pergjate procesit “te transhendences” te demokracise nga ajo “ne leter”, ne ate te krijimin te shoqerise civile, arritjet apo sukseset, nuk mund te maten si ne rastin e nje procesi linear. Shqiperia eshte nder ato raste, qe studiuesit e shkencave politike do ta klasifikonin si nje lloj sistemi gjysem-autarkik. Formalisht etiketohet si demokraci, per c’ka u shpjegua me siper, por pushteti (politik dhe ekonomik) mbetet outarkik, pothuajse jashte cdo mundesie kontrolli nga elektorati. Kjo per shkak te krijimit shume te shpejte, metaforikisht “brenda nates”, te nje elite politike, ekonomikisht shume te fuqishme, e cila kontrollon me nje dore te hekurt jeten ekonomike te vendit. Cdo lloj programi demokratizmi ne Shqiperi, i inicuar nga jashte apo brenda vendit, do te kete nje influence te paperfilleshme, sepse elitat duke bere nje hapje te vogel per shkak te presionit nderkombetar, perseri jane ne gjendje te neutralizojne, cdo perpjekje qe kjo e care te rritet e te mund te ushtroje presionin qe duhet per te prishur mekanizmin e trasheguar ballkanik te autarkise te pushtetit e per te decentralizuar pushtetin. Tani sapo kemi filluar te analizojme origjinen dhe mekanizmin e mbajtjes te pushtetit, keshtu qe suksesi nuk mund te jete vecse ca arritje te vogla, ca ndryshime inkrementale.

Kultivimi i shoqerise civile mbetet vepra e papermbushur nder shqiptaret. Hapat inkrementale, fitoret e vogla, aspektet e nderthurura e konceptet komplekse e shohin permbushjen e saj, ne nje perspektive qe mund te shtrihet ne disa dekada. Shqiperia deri tash, mund te kete deshtuar ne zhvillimin e nje demokracie ku shoqeria civile te kete nje rol prominent. Ndergjegja demokratike, thellesia e shtrirja e jetes demokratike qe percon ajo, nuk mund te krijohet me shkopin magjik. Do te kerkoje vite e gjenerata te tera per t’u krijuar. Shkrimtari rus Ilia Erenburg, autori i “shkrirjes te akujve” me te qeshur, por pa humbur seriozitetin, thoshte se nuk mjafton vetem “shkrirja e akujve”, ndoshta do te kalojne 100 vjet, kur njerezit te mendojne ndryshe.

No comments: