Monday, January 14, 2008

Opinion/Kritike


Hija e Korrupsionit
Nga Altin Topi
Shekulli Dhjetor 2005

Me gjithe ate gjera qe kam lexuar per korrupsionin ne Shqiperi, si i kudogjendur, per mua ka mbetur akoma i pakapshem, njelloj si te ishte Njeriu i Debores. Shumekush e ka pare, biles me disa eshte pare sy me sy, dikush ka gjetur edhe gjurmet e fresketa shputave te kembeve ne debore. Por megjithate askush nuk eshte ne gjendje te saktesoje se me ke ngjan me shume. Korrupsioni nuk ngjan me kriminelin, hajdutin, vrasesin, perdhunuesin, falsifikuesin, ku te gjithe i jane vene nga pas, ne nje ndjekje qe s’rresht. Keta lloj keqberesish, shpejt a vone, pritet qe te bien ne doren e drejtesise.


Korrupsioni eshte ndryshe. Perpjekjet per te skicuar nje lloj identikiti(portreti) te Korrupsionit, kane qene pa sukses. Se mbrami, me eshte mbushur mendja top, se edhe sikur te perdorim mjetet me te sofistikuara elektronike e dixhitale, kamera, pergjues, te veme ne pune agjentet me te zote, nuk do te kemi sukses ne kapjen e Korrupsionit. Dosja do te mbetet e hapur edhe per shume vite te tjera. Konfuzioni rreth tipareve njerzore te Korrupsionit, e pamundesia per te formuluar nje akt-akuze bindese per krimin e kryer, do te varen mbi kokat tona, si nje lloj paaftesie e deshtimi te drejtesise e te ligjeve te shtetit.

Ke duhet te bejme me faj qe akoma nuk kemi shtene ne dore Korrupsionin? Mendoj se te gjithe, pa perjashtim. Korrupsioni nuk jeton ne periferi te qendrave te banimit, ne ndonje vend te humbur, ne maje te ndonje mali, apo diku ne ndonje rreze, apo zgerqe. Te gjithe e kane ndeshur, shumekush edhe e ka pare; jemi te sigurte se nuk eshte i papune apo i pastrehe. Shkohet deri atje, sa tregohet edhe me gisht, por perseri asgje nuk eshte e sigurte. Te gjithe e tregojne me gisht, e gishti drejtohet tek te gjithe. Gishti tregon qytetarin e thjeshte, policin, deputetin, ministrin, drejtorin, tregtarin, bleresin, mesuesin, specialistin, politikanin, perfaqesuesin diplomatik, ambasadorin, sekretaren, rojen personale, infermierin, doktorin, pacientin. Gishti tregon deri siper, presidentin e kryeministrin. Por akoma, mbi asnjerin prej tyre, nuk rendon ndonje akt-akuze per tu marre drejtesia, e per t’i denuar ligji. Korrupsioni nuk ngjan me ndonje te jashteligjshem, mund te jete cdo qytetar i lire i Republikes. Korrupsioni gezon te gjithe lirite individuale qytetare dhe politike. Ate e shohim shpesh te eci i ngrehur ne mes te bulevardit, me lejen per te mbajtur edhe arme. Shpesh shfaqet si nje zoteri i nderuar, i shoqeruar per siguri nga vet kryepolici; jo ralle eshte nje keshilltar apo kryetar bashkie, gjithmone i mbytur ne pune, i harruar ne mbledhje te gjata. Korrupsionin e sheh t’i beje nje vizite edhe shtepise se Zotit, biles edhe falet ne altarin e saj. E sheh te udhetoje ne nje makine me njerezit e fuqishem te politikes e te pushtetit; viziton shpesh parlamentin, pritet ne kabinetet ministeriale, apo te zyrtareve te larte partiake, biles ne kthim, percillet me respektet e rastit, deri tek dera e jashtme e ketyre ndertesave impozante. Te gjithe e kemi hasur diku Korrupsionin, por perseri pyesim: kush eshte e ku jeton Korrupsioni ?

Situata eshte paradoksale. Korrupsioni eshte i kudondodhur, por asesi, nuk mund te gjendet, te arrestohet, te denohet, e te shpetohet perfundimisht nga ai. Sic duket, jemi vene ne kerkim te nje personazhi fantazme, i cili nuk ekziston, megjithese ne mendjet e syte e te gjitheve shfaqet perdite si nje nga personazhet e sapo permendura. Megjithese shfaqet nen keto maska njerezore, korrupsioni jeton ne mesin tone, pa nje forme e permbajtje te caktuar. Here pas here na prek te gjitheve. Te gjithe kemi nje predispozicion te prekemi nga nje gjendje virusale korrupsioni. E shohim te marre trajta njerezore, pamje njerezish e profesionesh, vetem atehere kur na prek xhepin, kur padrejtesisht na rremben vendin e punes, te drejten e studimit, na rrit cmimin e ushqimeve, na le pa drita e pa uje, na le me ore e me dite ne rradha, na sjell verdalle per nje firme, pasi na i ka zbrazur xhepat. Cfare dreqin eshte ky korrupsioni?

Perderisa mund te shfaqet ne cdo njerin nga ne, atehere ka te beje me menyren se si formohemi ne te gjithe, si eshte organizuar jeta ekonomike, shoqerore, politike e vendit. Nese e mendojme keshtu, nuk eshte e veshtire te bejme edhe nje hap me tej, ta shohim korrupsionin si nje fenomen mafioz. Fenomeni mafioz shfaqet si nje bashkesi njerezish te cfaredo lloji e pozicioni shoqeror, ne te gjitha profesionet e grupet shoqerore. Nuk eshte nje aleance e vazhdueshme, e bashkesi e qendrueshme; as edhe nje aktivitet konspirator i organizuar, i paramenduar me kohe. Megjithate, ne cdo situate te dhene, cfaredo qofte permbajtja e kesaj pseudo-strukture, pjesmarresit veprojne si nje bashkesi e vetme, me qellim per te mbrojtur e per te cuar me tej interesat reciproke te castit. Njerezit e pseudo-struktures mafioze cojne perpara interesat reciproke, duke perdorur pozicionin, telefonin e zyres, erudicionin, kulturen, diplomen, specialitetin, imunitetin politik, influencen e firmen e tyre, pavarsisht autoritetit te ligjit, pavarsisht se ai keshtu thyhet, abuzohet, shkelet me kembe.

Ky lloj bashkimi oportunist, eshte nje pseudo-strukture parazitare qe eshte e shtrire ne te gjithe jeten ekonomike e politike te vendit. Eshte nje kombinim e bashkim i njerezve, pozicioneve te tyre, kordinim i lidhjeve e hapave qe ata marrin, te cilat perdoren per qellime perfitimi ekonomik te paligjshem. Pseudo-struktura eshte organike, funksionon ne menyre te ngjashme me nje parazit te perhapur ne trupin e shoqerise, duke ushqyer e majmur veten me privilegje ekonomike. Eshte nje zinxhir bashkepunimi per te favorizuar, per te kordinuar veprime ilegale administrative. Inisiativat ekonomike e shoqerore te shtetit devijohen e kontrollohen pa skrupull, per te perfituar ekonomikisht industria e ketij rrjeti, e cila ka ekskluzivitet mbi sektore te rendesishem te jetes ekonomike te vendit. Fenomeni mafioz shfaqet edhe si variant i parazitizmit politik. Ne emer te ndertimit te nje shoqerie demokratike, dalin nje klase drejtuesish te rinj te partive politike, apo qe jane te shperndare ne strukturat drejtuese te shtetit. Keto grupime njerezish te mbledhura ne parti te ndryshme, marrin voten e qytetareve te Republikes, vote e kooptuar me anen e premtimeve elektorale e deklarimit formal te parimeve politike, per te cilat jane zotuar se do t’i mbrojne e t’i cojne me tej. Forcat pseudo-politike, kthehen ne ca grumbullime te erreta, pa forme, shnderrohen ne lloj-lloj sektesh sekrete klienteliste, qarqesh te mbyllura interesash ekonomike qe gelojne nga tradhetite, shpifjet, konspiracionet e brendeshme, qofshin personale, apo ne nivele grupi.

Me nje diagnoze te tille, ku paciente mund te ndjehemi nje dite te gjithe, e gjithe shoqeria shqiptare, prognoza mbetet shume e veshtire. Mbetemi ne nje rreth vicioz. Po a ka dalje nga ky rreth vicioz? Kurimi varet nga shkalla jone e pakenaqesise. Sa me te pakenaqur e te palumtur te jemi me gjendjen tone te predispozuar per tu prekur nga virusi i korrupsionit, e per tu kthyer edhe vete ne parazite, aq me shume do te na rriten shanset per te gjetur kurimin e duhur si shoqeri e si individe.

No comments: