Sunday, January 13, 2008

Opinion/Kritike


Cfare te presim nga zgjedhjet e ardheshme?
nga Altin Topi
Shekulli

Edhe per karakteret me apatike e letargjike, afrimi i zgjedhjet politike, deshmon se edhe ne dejet e tyre rrjedh gjaku pasionant i politikes. Nese kerkon te zhbirilosh per etalonet njerezore te pasivitetit e indiferences, provoko pa nje pa dy, temen politike te zgjedhjeve. Me lehtesi mund te provosh se intriga politike, teorite konspiratore, plaget e pambyllura do te hapen e secili ka nje histori per te treguar. Indiferentet e pasivet nuk i gjen kollaj, secili ka nje opinion te tijin. Do te gjesh nje ballkan(izim) te vogel, ne cdo shtepi, ne cdo, pallat, ne cdo rruge, ne cdo lagje; nje qytet te madh te ballkanizuar, nje komb te tere te ndare. Zgjedhjet jane e do te mbeten nje perzjerje e (pa)lexueshme pasionesh e interesash, aq sa, cdo parashikim do te mbetet si nje lexim pellembe prej fallxhoreje ambulante. Por me siguri do te provohet vetem nje gje, ndoshta e vetmja gje: ne nuk kemi besim tek njeri-tjetrin, ashtu sic nuk e kemi patur kete besim per dhjete vitet e kaluara, ashtu sic nuk i kemi besuar e ja kemi pasur me hile njeri-tjetrin per gjysem shekulli, e keshtu me rradhe…


Ne zgjedhjet e ardheshme kujt do t’ia leme fajin? Sigurisht do te vazhdojme t’ia leme njeri- tjetrit: “Jo faji nuk eshte i joni, eshte i juaji, jo nuk eshte i imi eshte i yti, jo nuk…” Faji perseri do te mbese nje lloj femije ilegjitim, jetim, pa baba e pa nene. Ne zgjedhjet qe po trokasin a do te mund gjejme ate formulen magjike, a do te mund te blejme e mbjellim ate faren e magjikshme te demokracise, qe do t’i rregulloje te gjitha gjerat “si me doren e Zotit”? Sistemi kumpjuterik a do te punoje “fjolle”, pa ngecur, ku nje “klik” prej mjeshtri te madh, mund t’i shperndare “padashje” votuesit si zogj te coroditur, sa andej-kendej, ne kerkim te qendres te tyre te votimit apo te identitetit te vjedhur? A do te ngjallim te vdekurit, t’i cojme nga varri, ku fantazmagorike, te japin me deshire voten e tyre ne post-mortum? A do t’i krijojme mundesi qytetareve te Republikes te Shqiperise te shperndare kudo ne bote si zogjte e korbit, te behen pjese jetike e elektoratit shqiptar ne distance? A do i mohojme te drejten per te votuar qytetareve, qe as vet nuk e dine se pse, por qe papandehur e fare mire, mund ta gjejne veten ne disa lista te tjera “te zeza” te pashpallura. A do te raportojne ekspertet, vezhguesit e ODHIR-it, KE-s, apo te Drejtave te Njeriut, se zgjedhjet nuk i plotesuan standartet nderkombetare? – “Por, packa se flitet apo me sakte, u konstatuan parregullsi; packa se flitet, ose me sakte, u konstatuan abuzime, fallsifikime, sido qe te jete, keto zgjedhjet e fundit ishin me te mira se te meparshmet. Keshtu qe, ne fund te fundit, s’kemi cfare te bejme, vecse t’i japim bekimin tone duke i legjitimizuar.” - Pra me nje fjale, edhe per kater vitet qe vine, ne vend te pules, shqiptaret le te hane edhe kesaj rradhe sorren…

Ne zgjedhjet politike eshte interesante te vihet re subjekti i konfiktit; te hulumtohet se pari se cfare kontestohet, per cfare jane perplasjet me shume ne zgjedhjet me rendesi te vecante politike qe mund te shenoje kalimin e pushtetit nga njeri krah(PS) ne tjetrin(PD). Sic eshte vene re edhe me pare, per zyrtaret nen ombrellen qeverisese te te cileve behen zgjedhjet, nuk ka rendesi paresore saktesia e zgjedhjeve, por a kalojne ato pa incidente dhune, pa perplasje e demonstrime televizive te dhuneshme(ajo jo, kurrsesi nuk pranohet, nuk tregon civilizim, na vret syrin). Per ta, nuk ka rendesi nese qendrat e votimit hapen me vonese apo mbyllen para kohe, qindra apo mijra votues kthehen mbrapsht, sepse nuk i gjejne emrat ne lista; nuk ka rendesi nese kutite e votimit te mbushura me votat e zgjedhesve zhduken apo rishfaqen te alternuara. Ne vime nga nje sistem, ku fitorja e kandidateve ishte e paravendosur nga Partia, e konseguencat e nje llogjike te tille diheshin. Pse thoni ju, a kemi shpetuar nga kjo lloj llogjike? Duket se jo, perderisa luftohet e insistohet kaq shume me numrat e emrat e vecante te Komisionit Zgjedhor Qendror apo atyre lokale. Sic mund te merret edhe me mend kjo pune, nese nje anetar i komisonit, “nje lloj kokemushke”, “ja ka shkrepur ne koke” (helbete koke shqiptari), se kush duhet te jete kandidati qe duhet te fitoje, ai fare mire, mund te paracaktoje ne shume menyra rezultatin e vetem te pritshem, pra edhe fatin e zgjedhjeve. Pak prova kemi ne per kete? Ne kompleksitetin e hartes te qendrave zgjedhore te Shqiperise, nuk ka qene shume i rendesishem verifikimi i vlefshmerise te identitetit te votuesit, certifikatat e lindjes apo te vdekjes, rezidenca apo statusi i votuesit, qe duhet te ushqeje skepticimin tone per rezultatet e sakta te zgjedhjeve. Jane pikerisht njerezit qe administrojne zgjedhjet si ne qendrat e votimit e ne te gjitha hallkat e procesit, deri tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; jane njerezit qe hartojne e formulojne e zbatojne “ne menyre krijuese” ligjin e rregullat e procesit te zgjedhjeve. Per “ofiqaret” shqiptare, kalimi pa incidente televizive i zgjedhjeve ekuivalentohet me “zgjedhje te lira, pa nderhyrje e pa probleme”; cdo pyetje, cdo ankese, cdo shkelje flagrante e kodit zgjedhor, cdo fakt kontestues gjate zgjedhjeve, i lene per t’u diskutuar vetem pas mbylljes te qendres te votimit, thjesht si “fact accompli”, mund te shperfillet, te skualifikohet nen teknikalitetin e arsyetimeve burokratike.

Megjithese perseri pashprese, te parapergatitur per zgjedhje qe nuk do te marrin parasysh vullnetin e cdo zgjedhesi potencial, duke moskualifikuar saktesisht voten e tij, shqiptaret kane mundesi te mbrojne e deshmojne vullnetin e tyre ne zgjedhjet e ardheshme. Cfaredo sistemi qe te perdoret ne zgjedhje, qofte duke hedhur voten-leter ne kutine e votimit, qofte me votim elektronik, celsi i saktesise, eleminimit te fallsifikimit apo ndryshimit te votes eshte mbikqyrja teper e kujdeseshme, - rregulla kyce eshte prania e dy personave ne cdo moment, per aq kohe sa zhvillohet procesi i zgjedhjeve. Dy njerez duhet te jene te pranishem duke u perfshire ne cdo hap te procesit, si ne perpilimit te listave, ruajtjen e tyre, inventarizmi i fleteve te votimit para dhe pas zgjedhjeve, shperndarja e tyre votuesve, kontrolli i kutise te votimit, dokumentimi i detajuar i rezultatit te votimit ne cdo qender votimi.

Perderisa vet votuesi, nuk mund te kontrolloje fatin e votes te tij te fshehte, cdo gje ne drejtim te mbikqyrjes sa me cilesore rrit garancine e marrjes parasysh te rolit e saktesise te votes te tij. Votuesi per te ushtruar vullnetit te tij nepermjet votes, duhet qe te kthehet para se gjithash ne nje vezhgues e ruajtes i te drejtes te tij per te votuar. Eshte votuesi qe duhet te sigurohet se eshte i regjistruar per te votuar, duhet te mesoje e te sigurohet se ku eshte qendra e tij e votimit, te familjarizohet sa duhet me fleten e votimit; keshtu qe kur te votoje, te votoi pa hezitim kandidatin e tij. Detyra e tij qytetare eshte qe para se te dale nga qendra e votimit te sigurohet se vota e tij eshte perfshire ne numrin total te votave.


Ne rezultatin e votimeve te ardheshme mund te ndikojne bindeshem edhe dy kategori votuesish te tjere: votuesit qe paraqiten ne qendren e votimit, ku ata mendojne se jane regjistruar per te votuar e nuk e gjejne emrin e tyre ne listat e asaj qendre dhe qytetaret shqiptare qe per arsye te ndryshme jetojne perkohesisht ose me rezidence te perhereshme jashte Shqiperise. Llojit te pare te votuesve, mund t’i jepet nje flete votimi me status provizional (te perkohshem), e cila mund te futet ne numrin e pergjithshem te votave, duke u llogaritur si e vlefshme, vetem pasi te jete verifikuar legjitimiteti i votuesit, pra, nese personi qe pajiset me nje flete votimi provizionale eshte nje votues i regjistruar per te votuar ne nje qender tjeter, e qe nuk ka votuar me pare ne ndonje qender tjeter votimi.

Shqiptaret qe kane emigruar ose kane ndryshuar perkohesisht rezidencen ne nje shtet tjeter, kane humbur rolin si votues; vota e tyre, ka humbur rolin, forcen per te ndikuar ne rezultatin e zgjedhjeve ne Shqiperi, si nje lloj Anteu qe humbet forcen kur kembet i shkeputen nga toka. Vota e emigranteve, megjithese shume e rendesishme ne keto dhjete vjet, i ka munguar Shqiperise, pavarsisht qe perllogaritet qe kjo popullsi (e)migratore perben rreth 25% te numrit total te qytetareve te RSH. Megjithese askush nuk ja ka mohuar te drejten per te votuar, e formalisht emrat e tyre mund te gjenden ne listat e votimeve, nuk eshte bere ndonje perpjekje logjistike per te shikuar menyren e mundesine qe edhe vota e tyre te llogaritet. Ka zgjidhje per kete? Sigurisht qe ka, aq me teper kur jetohet ne kohen e internetit, te telefonit e te faksit. Vota e tyre “ne mungese”, mund te behet realitet edhe ne distance. Shteti shqiptar mund te krijoje e ndertoje nje system: nje “website”, nje numer qendror ku mund te telefonohet apo te faksohet; nje grup pune njerezish qe mund te beje regjistrimin e votuesve, te verifikoje adresat e tyre ne vendet ku jetojne(duke perdorur censusit shteteror, zyrat civile te shteteve apo perfaqesite dipllomatike shqiptare ne vendet ku banojne shqiptaret) mbi bazen e nje statusi legal te personit qe deshiron te votoje. Te postosh, te votosh ne menyre elektronike, te faksosh fletet e votimit duke perdorur si verifikim kartat apo numrat personale te identitetit apo pasaporten shqiptare, mendoj se eshte me lehte se sa te verifikosh saktesine e listave te banoreve aktuale te Shqiperise.

Nese te ashtuquajturit qytetare “indiferente apo pasive” nuk do te mjaftohen te marrin zjarr kur tema te rrotullohet rreth politikes, por ta shtyjne veten edhe tej, te kthehen edhe ne votues, - si shprehja me thelbesore e nje demokracie pjesmarrese, ku marrin pjese e votojne shumica, - padyshim votimet qe vine do te jene nje surprize per te gjithe. Nese cdo votues shndrrohet te pakten per nje dite te vetme, diten e votimeve, ne nje vezhgues vigjilent, i vemendeshem i fatit te votes se tij, surpriza per te gjithe ne do te jete edhe me e madhe. Nese do t’i jepet mundesia te gjithe atyre qe fizikisht i kane munguar atdheut, por qe deshirojne qe votes se tyre duhet t’i jepet legjitimiteti qe i takon, rezultatet e zgjedhjeve te ardheshme do te jene krejt te papritura per te gjithe e per ne, qe akoma mbetemi me shpirt e me pasaporte, qytetare te RSH.

No comments: