Tuesday, August 10, 2010

Literature/Gjuhesi

Bisede postmortem
(pjesa e shtate)
nga Altin Topi 


A.T. Zanafillën e elegjisë e kemi gjurmuar tek grekerit e vjetër, e romaket e adaptuan prej tyre. Cili ka qëne roli i Katulit në këtë përvetësim të kësaj forme kaq të herëshme poetike?

P.G. Elegjija Rromake, që kishte xânafillë me Katulin, e pat përdor ket poet si urën lidhse tepër të çmueshme midis shkollës Aleksandrine dhe elegjivet të Tibullit e Propertusit, që u shfaqen një gjeneracion mâ vonë. Elegjija Rromake vijon me zhvillimin e vet gjithnje e mâ teper, sá që një kritik i lashte, Kuintiliani, guxon me e krahasue me mâ të mirat elegji Helenike. Katuli në koleksionin e vet, ka punue si me stilin aleksandrin të epigramit t'kursyem, âshtu edhe me figurat e moralin e mitologjisë. Mundet me u argumentue se kupleti elegjjak mâ i famshëm latin âsht i tij tek Odi et Amo:

Odi et amo. quare id faciam, fortasse requiris?
nescio, sed fieri sentio et excrucior.

A.T. Nga mundemi të nisemi për të argumentuar se elegjija romake mund të jetë e krahasueshme me atë te grekëvet t’lashtë?

P.G. Një kritik i lashtësisë romake, Kuintiliani, guxon me e krahasue elegjinë rromake me mâ te mirat elegji Helenike. Kuintiliani nuk i kurseu reverencat për elegjinë Helene:

Callimachi Manes et Coi sacra Philetae,
in vestrum, quaeso, me sinite ire nemus.

Por, mendonte se elegjija rromake âsht po aq tërheqëse, e me vlera sa elegjija Helene. Ai pat deklarue: - “Ne nuk e pranojm supremacinë e grekënve në elegji. Nga poetët elegjjake Tibuli duket mâ i kursyem e eleganti ne vargzim, anipse ka do tjerë që preferojne mâ parë Propercin. Ovidi âsht mâ shpirt i lirë se të dy, e Galiusi âsht mâ i ashpër. Kurse satira mbetet veç e jona.”

A.T. Çfarë e veçon elegjinë romake nga ajo helene?

P.G. Elegjija rromake frymëzohet nga elegjija dashunore e poetvet aleksandrine, por âsht mâ personale se kjo, pse poeti elegjjak rromak këtu shtjen elementa subjektivë mâ shumë, domethânë kendon ndjenja e pasjonit, e veta dashunore. Kjo lloj elegjije âsht e njoftun si “elegjija dashunore rromake”, ku poeti kendon n’vetën e pare, n’metrin elegjjak, duke kallzue n’vargje eksperiencat personale të dashunisë. Te grekënit e hershëm elegjija që këndohej âsht ma tepër epike.

A.T. Janë disa elegjistë që jane perfshirë në listën “kanonike” të elegjistave romake sipas Kuintilianit. Kush janë poetët që kanë mundur të përfshihen në këtë listë?

P.G. Mâ të përmendunit nër poetë elegjjake rromake kemi Tibulin, Propercin, e Ovidin.

Tibuli(54-19 P.Kr) ka qenë kalorës romak, vdiq i ri 35 vjeç. Ka shkrue katër libra elegjish nër të cilat dijmë me siguri që dy janë të tijat. Shumica elegjive te tija u kushtuen varzavet që ai kishte dashtë gjatë jetës së vet të shkurt, libri i parë njihet si Delja e i dyti Nemezis. Äsht poet i sinqerte, shprehet me natyrsi, ka stilin elegant e gjuhë të kulluet. Kuintiliani, retoristi rromak me emën e kritik shumë i njoftun, e ven edhe permbi Profercin.

Properci âsht poeti elegjiak romak që mâ fort se tjerët i rrin besnik gurrës aleksandrine si erudicion, e si në përsosje formale. Leu ne Assisi e jetoi ne Rrome i mprojtun nga Mecenati. Vdiq i ri nja tridhet vjeç. Tanë jetën e vet ia turbulloi pasjoni dashunuer, që pat per Ticianën, nje grua mrekullisht e hijeshme e me një kulturë të gjânë, që ishte edhe ajo poeteshë. Përgjithsisht poezitë e Propercit kanë përmbajtje dashurore, pasjoni dashunuer âsht fondi i gadi të gjitha elegjivet të tija. Një pjesë e tyne flasin për miqsi, për efektin që kishte për vehten të tjerë përvec Ticianës, midis te cilëvet ishte Augusti e Mecenati. Elegjitë e tija përmblidhen në katër libra, ku përveç llojit erotik që përmendem mâ sipër, libri i katërt ka të ashtuquejtunën "elegji romake", rite të moçme fetare e ngjarjet historike. Kjo lloj elegjijet ka rândësi pse âsht një gjë krejt e re. Proferci ka mjaft të meta; erudicjoni ia errëson shpesh stilin, e vargu i tij dendun bâhet i mundimshëm.

Ovidi(43-17 P.Kr.) âsht dale nga një familje kalorësish. Äsht poeti i titulluem i shoqnisë moderne rromake të kësaj periudhe. Pikërisht të metat e ksaj shoqnie ai pikzon bukur në poezitë e tija. U bâ poeti i parë në Rromë pse rivalt tjerë kishin vdekë. Ne Rrome pat edhe tjera turbullina me rândesi, deri një ditë e për shkaqe që ênde nuk dihen Augusti e dërgoi në mërgim në brigjet e Detit të Zi, Tom, ku edhe vdiq.

Ovidi kje i pajisun me një lehtësi te cuditëshme të shkruemit e shkruej shum. Përmendim nga veprat e tij Amores, tre libra elegjiake(kshilla e episode dashunore); Heroides, letra dashunore heroinash të ndryshme të lashtësisë, dashunore të tjera e anasjelltas; Ars Amatoria, Remedia Amoris, kshilla si me u librue nga dashunija.

Nga epika didaskalike nâ ka lanun Metamorfozën, një poem mithologjik në 15 libra ku imitohen poetët Aleksandrinë. Njihet si kryevepër e Ovidit. Kemi edhe Fastet në gjashtë libra, ku kendohen të kremtet fetare e kombtare, jepen njohuri mbi rite e zakone të lashta. Kângët e trishtueshme që shkroi në mërgim bajnë pese libra, e gjithashtu Kângën Poetike në katër libra. Në kto elegji Ovidi vajton rrezikun e vet e i lutet pa farë dinjitetit imperatorit t’a falën.

Mrekullisht i pajisun me shpejtësinë e të shkruemit e tij elegant deri në tepri e stil, vepra e tij len përshtypjen e një prodhimit të llastuem. Kto cillsi tregojne se poezija e Ovidit âsht prendimi i epokës artë, edhe fillimi i një periudhe tjetër në poezinë latine.

vazhdon...









No comments: