Sunday, April 6, 2008

Syri i Fotografit


Shqiperia Hap Porten(pjesa e dyte)
Nga Altin Topi

Duke udhetuar ne pjesen veriore te Shqiperise, perkthyesi i shpjegon Dusko Doder-it se disa nga shtepite e hereshme te rrafshuara kohe me pare, me guret e themeleve te shperndara sic diktohej nga rregullat e kanunit, ishin shtepite e atyre qe kishin thyer besen. Shqiptaret sot, nuk e ndeshkojne njeri-tjetrin ne nje menyre te tille. Sic veren autori, shqiptaret e kane teper te veshtire te premtojne dicka, sado e parendesishme te jete ajo; ata nuk e marrin persiper te bejne dicka per ty, nese e gjykojne se nuk do te jene ne gjendje te mbajne fjalen e dhene. Shqiptaret stepen, ndruhen se, duke mos mbajtur fjalen, thyejne ne kete menyre besen.


Pershtypjet e vizites ne Shqiperi te Dusko Doder-it, here pas here, nderthuren me historine personale te tij, historine e familjes te se emes. Te vertetat qe mesohen per here te pare jane te dhimbeshme; realiteti shqiptar behet me i prekshem per kete “te huaj” qe ka marre persiper te eksploroje sebashku historine e Shqiperise dhe te pjeses shqiptare te familjes se tij. Nder njerezit me te afert te gjakut te se te emes, eshte Jak Kozmaci, te cilin jeta e kishte hedhur perdhunshem ne Shijak, ne nje fshat midis Tiranes e Durresit. Shume pjestare te tjere te familjes kishin kaluar burgime te gjata ne Spac e Burrel. I jati i Jak Kozmacit, Anton Kozmaci, kishte qene minister i drejtesise gjate okupacionit italian. Qe ne ditet e para te ardhjes ne fuqi te regjimit te Hoxhes, Antoni ishte arrestuar e denuar si “armik i popullit”, me 30 vjet burg, qe matematikisht mund te interpretohet, si dhjete vjet per cdo muaj qe kishte qene minister. E kishin nxjerre nga burgu ne 1964. Pas daljes ne lirine qe mund te gezonte nje ish i burgosur, “armik i popullit”, komshinjte e njerezit perreth, e shihnin sikur te ishte njelloj leprozi. Ndoshta kjo kishte kontribuar qe ish-ministri te vdiste i drobitur e zemerplasur, vetem pak muaj se jetuari i izoluar nga bota, i perbuzur, por ne gjendje “te lire”. Jaku e Dusko habiteshin duke degjuar te vertetat rreth njeri-tjetrin; njeri i befasuar nga padija e kushuririt rreth fatit te familjes ne Shqiperi, ndersa tjetri, nga historia e dhimbeshme e te afermit, histori e ngjarje qe po e degjonte per here te pare. Familja e damkosur e Kozmacve, kishte hequr neper internime e burgje; Jaku vet, qe 15 vjec, ishte rritur e plakur, si i biri i “armikut te popullit”.

Ndeshkimi per Kozmacet kishte prekur edhe mbesat e Jakut. Episodi i fundit ishte ne qershor te 1990-te, kur nje funksionar i Komitetit te Partise te Shijakut, kishte udhezuar drejtorin e shkolles qe te menjanonte te dy vajzat, tete e nente vjecare, nga shfaqja per te cilen ato kishin jave qe po pergatiteshin zellshem te luanin dy role. Mbesat ishte gjeneracioni i peste qe vuante denimin, ndeshkimin e nisur ne ate nentor te 1944-tes. Ne akt-akuzen nen te cilen ishte denuar i jati i Jakut, e qe shenoi fillimin e golgotes te Kozmaceve, asgje nuk kishte qene specifike, apo e bazuar ne fakte. Brez pas brezi, Kozmacet ne 50 vjetet e komunizmit shqiptar, kishin mbajtur mbi shpine, njelloj si Krishti kryqin ku e gozhduan, damken e “armikut te popullit”. Por kjo nuk kishte shenuar fundin e drames te Kozmaceve. Perjashtimi i mbesave te Jakut nga aktiviteti artistik i shkolle, shenoi nje kthese te re ne dramen familiare te Kozmaceve. Te dy djemte e Jakut, ate dite u betuan se, sapo t’i krijohej mundesia, do te arratiseshin nga Shqiperia. E ashtu ndodhi, ne fillim te 1991-shit, te dy u arratisen jashte Shqiperise, njeri doli pertej, ne bregun tjeter te Adriatikut, ne Itali, kurse tjetri filloi kalvarin e arratisjes, fillimisht ne burgjet e Jugosllavise. Dusko Doder, me vone perdori influencen e emrin e tij, per ta nxjerre djalin e Jakut nga burgu jugosllav, duke i hapur njekohesisht, mundesine e rrugen per te emigruar per ne Kanada.

Megjithese Shqiperia, kalonte nga nje krize ne tjetren, per t’i hapur vetes nje vend nen diellin e demokracise, per njerezit jeta nuk kishte shterrur e ndaluar. Shqiptaret e gjenin mundesine dhe kohen te mblidheshin brenda atyre komuniteteve te vogla familjare e te rrethit miqesor per te ndare me njeri-tjetrin pak caste gezimi. Momente te tilla ishin edhe dasmat modeste, ku shqiptaret i gezoheshish shpreses dhe vazhdimesise te jetes e tradites. Dollite ngriheshin e njerezit uronin njeri-tjetrit, secili ne menyren e vet. Fantazma e Hoxhes dhe e Partise te tij, ishte e pranishme edhe ne ceremoniale e gezime te tilla; dollite qe parmendnin emrin e njeriut qe kishte hyre ne cdo skute te jetes shqiptare, ishin gjithmone te pranishme. Por me ne fund, duket se kishte ardhur dita, ku njerezit nuk ishin te detyruar me te ngrinin dolli per nje te vdekur, sikur te ishte gjalle duke deshiruar t'i shtonin ymrin.

Ne Shqiperi, kishte pllakosur nje periudhe krize ushqimore. Te huajt e paket qe qarkullonin ne Shqiperi, ishin keshilluar qe gjate vizites se tyre, te merrnin rezerva ushqimi me vete; rezervat ushqimore ishin shterrur dhe vendi nuk prodhonte asgje. Ideja e cekut te bardhe e hedhur pa pergjegjesi ne mitingjet e demokrateve te dhjetorit, kishte krijuar nje eufori naïve, ku njerezit te mesuar te prisnin nga larte, kishin kthyer syte nga qielli. Por fatkeqesisht, asgje nuk kishte zbritur nga qielli; shqiptaret te kercenuar nga uria e pa zgjidhje tjeter, kishin shperthyer depot, duke plackitur e rrembyer rezervat e pakta ushqimore. Per momentin, Shqiperia ishte ne panik; shqiptareve nuk i kishte mbetur gje tjeter, vecse te ngroheshin nen diellin dimror e kercenimin e frikshem eminent te urise.

Me ne fund, mrekullia kishte ndodhur; ishte gjetur njelloj zgjidhje. Vendi fqinj, Italia, e gjendur nen kercenimin e dyndjeve te reja te shqiptareve te uritur, kishte marre persiper te krijonte menjehere nje ure emergjente detare e ajrore per te mbajtur me buke shqiptaret. Misioni mori emrin operacioni “Pelikan”, gje qe ne vetvete, mbartete nje simbolike teper domethenese. Pelikanet dallohen per dicka karakteristike, qe i ben te vecante nga shpendet e tjere. Nen gushen e tyre kane nje qeske te madhe ku mund te depozitojne rezerva ushqimore per fluturime te gjata, ose per t’ia ushqyer te vegjelve te tyre. Shqiptaret ishin kthyer ne disa zogj pelikanesh qe kishin kthyer syte nga qielli. Per me teper, simbolika ne nje fare menyre, ishte shkrire me realitetin. Ne ate vit, pas shume e shume vitesh, ne qiellin shqiptar ishin pare edhe pelikane te vertete; shpendet fisnike kishin shtegtuar larg nga Shqiperia, e nuk ishin kthyer atje prej dekadash.


Megjithese ne pergjithesi, brezi i ri i shqiptareve deshiron nje shoqeri te civilizuar, nje ekonomi kapitaliste, republike parlamentare, e respektimin e te drejtave te njeriut, tranzicioni kishte shume te ngjare te ishte i tejzgjatur. Arsyeja kryesore mendohet te jete filozofia disfatiste, pesimizmi, i kombinuar me nje papjekuri karakteristike kombetare. Te dy keta faktore, jane pjese esenciale e psikologjise kombetare te shqiptareve. Gjithe kjo traume me permasa kombetare e shtrirje historike, ka nje shpjegim te mirefillte historik, rezulton prej nje shtypje te gjate, qendrimi nen hijen dhe periferite e perandorive apo fuqive te medha te kohes, e kjo per periudha te tera historike epokale. E me te vertete, per te shkundur e hedhur tej nje kendveshtrim te tille te botes, rinise shqiptare i takon detyra ne dukje krejt e pamundur, per te thyer ate kallepin e motcem te disfatistit patalogjik. Por, pavarsisht c'ka kerkohet prej saj, rinise shqiptare i eshte lene shume pak ne dore. Autori i shkrimit te National Geographic, duke vizituar fshatrat e bregut te Jonit, viziton e shkel bregdetin, gjen fshatra e plazhe te tera te boshatisur, te populluar vetem nga bunkeret e Hoxhes, e ku shumica e rrugeve eshte vetem me nje kalim. Nje pjese e bregdetit ishte e rrethuar me tela me gjemba, ku te binin ne sy tabelat “Zone e Ndaluar Ushtarake”; pertej nuk mund te hidhej nje hap i vetem. Hoxha nuk donte qe kjo pjese te popullohej, aq me teper, te shfrytezohej per turizem masiv. Arsyeja nuk ishte politika e gjelbert e Hoxhes per te konservuar natyren, por dyshimi se njerezve mund t’i lindete ne koka ndonje ide e rrezikeshme, sic mund te ishte kalimi me not i ngushtices drejt bregun tjeter, ne Korfuz, te cytur nga zerat e sirenave joshese te kapitalizmit.

A mund te imagjinonte Dusko Doder-i, kete parajse te vogel te natyres, si nje vend potencial argetimi per turiste te pasur? Pergjigjen autori e merr nga nje cift pensionistash ne Vuno, mbetur si qyqare te vetmuar te ruanin pamjen e bukur te ullishteve, pemeve te portokalleve e limonave, kur te dy djemte iu kishin emigruar ne Itali. – “Cdo gje eshte e mundur. Por sic e sheh, te dy djemte tane jane jashte, ne Itali, per te kerkuar nje fat me te mire per veten e tyre. Ne nuk kemi c’te bejme, vecse t’i leme te kerkojne fatin e tyre.” Nga fjalet e toni i tyre, ndjehej se te dy pleqte, nuk besonin te kishte ardhur koha qe shqiptaret, sidomos brezi i ri, mund te kishin ndonje mundesi suksesi, apo te pakten, te besonin se nje gje e tille ishte e mundur ne Shqiperine e sotme. Kjo ishte nje pershtypje e pergjitheshme qe gazetari e kishte hasur shpesh neper Shqiperi. Ishte nje konkluzion, qe per disa si Aleksandri, djali i kushuririt te tij, Jakut, nuk mund t’i shpetohej. A mendonte Aleksandri se mund te kthehej ndonjehere ne Shqiperi? – “Kurre! Jam betuar njehere. Komunistet perseri jane ne pushtet.“ Vertet, si nje fakt i hasur shpesh ne Shqiperi, cdo njeri qe besonte te arrinte suksesin ne Shqiperi, qellonte te ishte nje ish-anetar i partise se Hoxhes, ose kishte lidhje me shume fije me sistemin e krijuar prej tij. Megjithate, sot komunizmi kishte vdekur, ish-sherbimi sekret ishte shperndare. Shqiperia e rendi i vjeter, nuk ekzistonte me. Ndoshta Shqiperia qe pritej te vinte, mund te ishte ndryshe. Patjeter. Njerezit nje dite, do te mund arrinin te debonin perfundimisht shpirtin e fantazmen e Hoxhes e do te mund te fillonin dicka te re. Por Aleksandri nuk bindej ndryshe, ate e familjen e tij, e priste nje jete e re larg vendit ku ishte lindur e burreruar. Ai ishte i paduruar te niste udhetimin e jeten ne Kanadane e pertej oqeanit.

Ne fund nje informacion i shkurter per autoret e artikullit ne National Geographic. Dusko Doder eshte nje gazetar fitues i cmimit te Klubit Nderkombetar te Shtypit dhe Cmimin Edward Weintal si reporter e shef i byrose te Washington Post ne Moske dhe ne Europen Lindore. Gjithashtu, ai ka sherbyer si ndihmes kryeredaktor i seksionit te lajmeve te jashtme te Washington Post, e korrespondent i US News and World Report, i instaluar perkohesisht ne Pekin, Kine. Eshte diplomuar prej Washington University, St. Louis ne vitin 1962; me vone, ka kompletuar studimet pas-universitare ne Columbia University. Eshte autor i nje numri librash si Shadows and Whispers: Power Politics Inside the Kremlin from Brezhnev to Gorbachev, duke arritur te jete ne listen e kandidateve finaliste per te fituar cmimin Washington Monthly's Political Book te vitit 1986. Libra te tjere te tij jane: The Yugoslavs (1977) dhe Gorbachev: Heretic in the Kremlin(1990). Nje nga kontributet me te sukseseshme te viteve te fundit eshte libri Milošević: Portrait of a Tyrant (2000).

Autorja e fotografive eshte fotoreporterja me emer, e cila aktualisht eshte ne stafin e New York Times, - Nicole Bengivento. Pergjate karrieres te saj te pasur, perfshihen pamje e momente fotografike te marra ne ish-Bashkimin Sovietik ne periudhen 1987-1989 per New York Associated Press, nderkohe kur Nicole ishte pjese e stafit te New York Daily News. Para se te jetonte e te punonte ne qytetin e New York-ut, Bengivento fotografoi per nje periudhe tete vjecare per San Francisco Examiner, e ku gjate kesaj periudhe, ne 1979, fitoi cmimin Fotografja e Vitit. Ka fotografuar per National Geographic gjate udhetimeve te ndryshme ne ish-Bashkimin Sovjetik, Shqiperi e Azi, dhe ka marre pjese si autore ne serine e librit Day in the Life qe prej vitit 1980. Shpesh, ka punuar si fotografe “freelancer” per U.S. News & World Report.

No comments: