Sunday, January 20, 2008

Literature/Gjuhesi


Privatizimi i trashëgimisë komuniste mbi gjuhën
Agron Tufa
Shekulli 20-01-2008

Në shkrimin “Privatizimi i shqipes”, botuar në “Shekulli” dt. 17 janar 2008, publicisti Ardian Vehbiu rreket të polemizojë me shkrimin tim “E drejta e krijuesit në diskursin mbi gjuhën”, të botuar po në “Shekulli” dt. 4 janar 2008. Shkrimi i z.Vehbiut i përmbahet deri në fund një tendence manipulative, duke marrë paragrafë të majmë nga shkrimi im dhe duke u bërë atyre një koment të cekët e të qëllimshëm, sipas teknikës bardhë-e-zi. Meqenëse autori i këtyre radhëve është gjallë dhe e ka mundësinë e përgënjeshtrimit, është i detyruar të mbrohet, duke mos e pranuar taksën e rëndë të “urrejtësit” dhe “përbuzësit” kombëtar, siç ia faturon atij në yshtjen e vet publicisti Vehbiu.

Ja se si shfaqen në shkrimin e tij deformimet, alibitë dhe mosdashjet për të kuptuar.



Së pari; gabohet kur shkrimin tim e quan polemikë me znj. Jorgaqi, ndaj dhe le ta quajmë këtë një lajthitje zhanrore të tij. Sepse, për gjithkënd që e ka lexuar, shkrimi im bën një panoramë të shkurtër të tezave të fundit në debatet mbi gjuhën, të tre autorëve, duke e vënë theksin pak më shumë në shkrimin e znj. Jorgaqi. I gjithë shkrimi në tërësi themelon pozicionin tim mbi debatin, duke e kundruar gjuhën nga pozicioni i krijuesit të saj (shkrimtarit, poetit, përkthyesit). Bindjen time në këtë pohim e mbështetet tërë repertori i krijimtarisë tonë parashkrimore e shkrimore.

Së dyti; z. Vehbiu e shqetëson teza ime që bën pjesëtarë në diskursin mbi gjuhën shkrimtarët - krijuesit realë të saj, duke e çprivatizuar ose çbunkerizuar këtë debat, i cili gjithmonë ka qenë pronë e gjuhëtarëve dhe specialistëve të gjuhës gjatë gjithë periudhës komuniste e postkomuniste. Atëherë pyesim, çfarë monopoli i paskam dëmtuar me tezat e mia unë z. Vehbiu? Këtë mund ta dijë vetëm ai.
Së treti; në shkrimin tim unë them se: “Jo vetëm ata gjuhëtarë që janë thirrur nergut në vitin 1972 të kryejnë eutanazinë mbi gegnishten, por, në përgjithësi, kur gjuhëtarët përvetësojnë arbitrarisht të drejtën e diskutimit mbi gjuhën, më ngjallin përfytyrën e një grupi studentësh-praktikantë të mjekësisë, me bluza të bardha e bisturi në dorë, që bëjnë autopsinë e një kufome.”

Ndërsa z. Vehbiu thotë: “Këto pohime janë sa të ngutura, aq edhe të njëanshme. Së pari, “eutanazinë mbi gegërishten” në vitin 1972 nuk e kryen gjuhëtarët, por regjimi komunist i cili bënte dhe zbatonte politikën gjuhësore në shoqërinë shqiptare; gjuhëtarët vetëm sa zbatuan, ca me hir e ca me pahir, urdhrat e orientimet ardhur prej së larti. Së dyti, mes atyre që e sanksionuan standardin në Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972, kishte një numër të madh shkrimtarësh e krijuesish, të cilët njëlloj si gjuhëtarët iu bindën politikës gjuhësore totalitare. Së treti, nuk më duket se gjuhëtarët e tanishëm kanë përvetësuar arbitrarisht ndonjë të drejtë diskutimi për gjuhën, sepse dihet që në Shqipëri sot këta kanë hapset e kashtës.
Atëherë pyesim: në çfarë dhe ku më kundërshton publicisti Vehbiu? Unë nuk kam thënë që eutanazinë mbi gegnishtën e ka kryer Ardian Vehbiu! Dhe sigurisht, gjuhëtarët, shkrimtarët a kushdoqoftë që e kryen këtë eutanazi mbi gegnishten, të udhëhequr nga politika e regjimit komunist, janë fajtorë. Por më e rënda është se, ende, pas 17-18 vitesh, kjo trashëgimi e krimit komunist vazhdon të mbrojë zellshëm aktin e krimit, pa pranuar fajësinë, që do të thotë: pa pranuar reflektimin. Kësisoj i gjithë paragrafi i Vehbiut me “së pari, së dyti dhe së treti” – bie automatikisht poshtë, përsa, ose është i paadresë, ose është i moskuptuar.

Së katërti, mendimet e lira të publicistit Vehbiu mbi merakun se, gjoja unë nuk paskam parasysh “dallimin midis normës gjuhësore dhe... kodifikimit të cilin e bëjnë gjuhëtarët”, po i quaj thjesht naivitete të panevojshme, të tejkaluara që në shkollën tetëvjeçare. Përndryshe, shqetësimi i Vehbiut mbi shkrimtarin dhe komunikimin, se “Qëllimi i shkrimtarit, si regull, nuk është të përpunojë gjuhën, por të komunikojë me lexuesin” - është një pohim absurd. Përkundrazi, shkrimtari është mediumi më i rëndësishëm, madje vendimtar i gjuhës që, duke e përpunuar atë, ai projekton gjeneratat e ardhshme të lexuesit të vet, për një komunikim artistik sa më ideal. Si duket, z. Vehbiu nuk e ka parasysh një plejadë të talentuar krijuesish që, jo vetëm shkruajnë në gegnisht, por janë të gjithëpranuar dhe të vlerësuar me çmime kombëtare për letërsinë. As pretendimi i z. Vehbiu se “shtëpitë botuese u kërkojnë shkrimtarëve të përdorin standartin” nuk është i vërtetë. Një gjë të tillë, po, e kërkojnë trashëguesit e eutanazisë komuniste të vitit ‘72 mbi gegnishten dhe tërë detashmentet e tyre të angazhuara në media. Liria krijuese me gjuhën nuk është më pronë private e A. Kostallarit dhe nxënësve të tij të kalcifikuar në Akademinë e Shkencave apo dikund gjetkë. Në këtë kuptim, këto mendime të lira të z. Vehbiut kanë një prapavijë të rrezikshme, pasi synojnë ndërprerjen e komunikimit me tekstet 400 vjeçare të gegnishtes dhe me mospërtëritjen as sot të këtij shkrimi. Sa për ata lexues që nuk mund ta kuptojnë shqipen gegnishte, problemin e kanë ata me veten, jo krijuesi i veprave letrare; prandaj le të mendojmë si do të veprojmë me ta: ky ishte gjithë shqetësimi i shkrimit tim. Gjithashtu është tepër banale të merret parasysh për një krijues-demiurg “interesi që libri t’u shitet në mbarë Shqipërinë, jo vetëm në krahina të caktuara”. E kemi thënë dhe më parë: shkrimtari dëshmon gjuhë, përpunim të saj dhe jo informacion të letrarizuar në stilin e letërsisë masive/masovike. Z. Vehbiu duhet t’i ketë të qarta së paku, mekanizmat diferencues të leximit dhe zhanreve. Synimi im si krijues nuk është të më kuptojë turma me fabula të tipit “mace-mace, tollumbace”, por të krijoj një formacion të pashkatërrueshëm gjuhësor e stilistik, në akord me postulatin e stërnjohur që “letërsia është art i fjalës”.

Së pesti, në mungesë të argumenteve z. Vehbiu përpiqet të krijojë “furtunë në një gotë ujë”, kryesisht me kalambure, duke u tallur me metaforën time “përrenj ligjërimi të gjallë”, bazuar në përdorimin praktik, gjithnjë e më të dendur në ligjërimin gojor të paskajores. Paskajorja, sipas z. Vehbiu, del se duhet të mbetet dy herë e deklasuar: njëherë nga përjashtimi që iu bë në vitin 1972, dhe tani nga vetë Ardian Vehbiu me armët, gjoja stigmatizuese të cinizmit të tij, duke e përkthyer vetiakisht nga “përrenj ligjërimi të gjallë”, në “xhambazë kuajsh”. Nuk dua të flas këtu për ndonjë vetëdije të ngulitur çobanësh mbi gjuhën shqipe, për cilindo dialekt (si krijues, e kam thënë – gojëfoljet janë principatat e mia, d.mth., të krijuesit), por etikisht duhet të përmbahemi dhe të mos fyejmë sensibilitete të gjera popullate, kur e dimë se me këtë paskajore shprehen mbi 2/3 e shqiptarëve në Ballkan.

Së gjashti, është shokues zbulimi më i ri i z. Vehbiu për kompensimin e paskajores. Ai thotë: “të thuash se standardit i mungon paskajorja, është njëlloj si të thuash se qefullit i mungojnë vetullat, ose qenit sqepi”, dhe me tej: “E vërteta është se standardi nuk e ka paskajoren me punue të gegërishtes, duke ia përballuar funksionet pjesërisht me lidhoren e pjesërisht me paskajoren e tipit për të punuar”. Edhe ky konstatim i z. Vehbiu mua më duket i njëvlershëm si të thuash, për shembull: “Kur u ngrita nga gjumi, pashë se isha zgjuar!”

Fatmirësisht e dimë kategoria gramatikore e paskajoresklasike të shqipes ka qenë dhe është përjashtuar, duke i shkaktuar potencialit semantik të shqipes një varfërim thelbësor. Në shkrimin tim, të cilit i kundërvihet z. Vehbiu, i kam sqaruar pasojat e këtij varfërimi dhe ngathtësimi kur përballemi me sferat abstrakte të të menduarit në krijimtari, siç është filozofia, poezia, përkthimi artistik etj. Por teoria se paskajorja qenka kompensuar dhe se me këtë ia kemi dalë pazarit kryemëkrye, më nxjerr mallin e komisioneve tona profane të ekuivalentimit të diplomave të huaja, me mastarin e këtushëm. Pra kjo paskajorja e përjashtuar dhe e kompensuar apo përballuar në funksione me paskajoren heterogjene të toskërishtes “për të punuar”, është aq e zonja, aq e suksesshme dhe aq e mbarë, sa kemi turp ta vemë në fjalorët tanë dygjuhësh! Objekti i shkrimit tim kishte të bënte me problemet e rritjes së potencialit shprehës brendagjuhësor, të parë nga pikvështrimi i krijuesit dhe, kurrësesi jo, të merrja shkas për të shpalosur dijet e mia ekzotike mbi gjuhët e tjera. Këtë inkurs e ndërmer z. Vehbiu, duke na rrëfyer gjuhë të kulturave të ndryshme që nuk e kanë këtë apo atë kategori gramatikore. Mirë ato gjuhë që nuk e kanë dhe detyrohen të përballojnë diqysh detyrën, për ne që e patëm e i dhamë shqelmin, pse duhet të na ngushëllojë ky fakt?

Së shtati, z. Vehbiu ma zë për të madhe pse paskam qëmtuar një citat nga Gjon Shllaku për të treguar, sipas Vehbiut, “epërsi të vetvetishme të gegnishtes”.
Si duket, publicisti, nuk e ka konfrontuar shkrimin e znj. Jorgaqi me shkrimin tim, i cili në këtë paragraf është një kundëpërgjigje mbi mënyrën se si do t’i vente fati diskurseve të tilla, po të merrnim hua argatë për të ilustruar mbrojtjen e trashëgimisë komuniste mbi gjuhën. Meqë znj. Jorgaqi kishte marrë një gjuhëtare amerikane, unë iu përgjigja për kundërbalancë me një personalitet shqiptar. Ç’të keqe ka? Prandaj, si gjithkund, edhe këtu, z. Vehbiu ngutet, duke e quajtur kundërpërgjigjen time “krahasim vulgar”. Për një lexues të vëmendshëm, njëmend që diçka “vulgare” ka, por jo në krahasim: vulgare është mënyra e receptimit, sepse pranëvënia ime bëhet për efekt të absurdizimit të çështjes, por, ajme, recepienti duhej lajmëruar me njëfarë tabele: “Kujdes, në këtë paragraf ka humor!”.
Së teti, nxitohet z. Vehbiu kur me deduksion nga keqleximi i mesazhit tim, nxjerr konstatimin hatërmbetës se “z. Tufa toskërishtja nuk i pëlqen”. Cili është ky keqlexim i mesazhit? E sjellim në cilësinë e argumentit: “Krijuesi shqiptar gegë përfaqëson në thelb tëhuajsimin gjuhësor, përderisa impulsi krijues, ai mekanizëm automatik që fshik, zgjon dhe ngre asociacionet meditative është i detyruar të kalojë nëpër një itinerar të padukshëm përkthimi brendagjuhësor, gjër në verbalizimin e ligjërimit. Nëse i përmbahemi postulatit filozofik të Martin Heidgger-it se, “Gjuha është shtëpia e Qenies” dhe njeriu bun në këtë shtëpi, atëherë përfytyrohet se si do të jetë rrojtja e shkrimtarit tonë në galerën e gjuhës Njësuáre. Me fjalë të tjera ka ndodhur ajo që mund ta quajmë “harrimi i qenies”.
Përkundrazi z. Vehbiu i duhet një rilexim jo konfuz i artikullit tim dhe, me siguri, do të gjejë aty edhe këtë pasazh: “Kur flasim për gjuhë letrare, nuk mund të thuash për asnjë shkrimtar, qoftë të toskërishtes, qoftë të gegnishtes se ai ka shkruar në gjuhë joletrare. Sinoret dhe zotërimet e gjuhës janë e vetmja pronë e shkrimtarit: ai bredh në zotërimin e vet, deri në kufijt e pamundur të mbretërimit të tij gjuhësor, duke e zgjeruar vazhdimisht hartën e zotërimeve të veta”. Së këndejmi, z. Vehbiu nuk ka rrokur thelbin problematik të shqetësimit tim, dhe nxiton duke bërë gabimin dhe fyerjen më të rëndë, kur e mbyll artikullin: “Me alergjinë e vet kundër standardit dhe rrënjëve të këtij standardi në toskërishten, krijuesi Agron Tufa vetvetiu po e përjashton veten nga ky dialog; sepse shqipja është e të gjithë atyre që e përdorin dhe nuk mund të kultivohet, as të selitet në një atmosferë urrejtjeje dhe përbuzjeje”.

Së fundmi, nuk më mbetet tjetër, përveçse t’i them publicistit Ardian Vehbiu, se nuk ka vend për ndjesë pse e shpreh hapur, si krijues, alergjinë time për standardin e vitit 1972 dhe për të gjithë nxënësit e trashëgimisë komuniste të këtij standarti. Dhe nëse është dikush që mund të më përjashtojë nga dialogu mbi gjuhën time, ky me siguri, nuk mund të jetë ai dikush me taban të cekët dhe lidhje të dobëta identitare me gjuhën shqipe. Në ndryshim nga të tjerët, shqipja ime është “shtëpia e qenies time” dhe askush nuk do të mundet të tëhuajësojë lidhjet e mia natyrale më të, në daç si bartës i thjeshtë, në daç si krijues i saj. Urrejtja dhe përbuzja është cilësi e atyre që shkatërrojnë, jo e atyre që krijojnë. Me atmosferën e urrejtjes dhe përbuzjes mund të jetojë dikush që i ka shërbyer instalimit të kësaj situate dhe e mbron prapë këtë vatër toksike radioktive. Po jo ai që propozon rrugë të reja për ta tejkaluar atë. Nëse e tejkaluam regjimin stalinist shqiptar, përballja më e madhe e lirisë individuale dhe shoqërore është të shembim mitet dhe trashëgimitë e tyre. Dhe kjo nuk arrihet duke prodhuar virtualisht, me dashje ose padashje “armiq, urrejtës dhe përbuzës”, sipas teknikës së manipulimit, alibisë apo atentatit mbi imazhin individual të atyre që guxojnë ta refuzojnë trashëgiminë komuniste.

No comments: