Sunday, January 20, 2008

Literature/Gjuhesi


Privatizimi i shqipes
Nga Ardian Vehbiu
Shekulli 17-01-2008

Në një artikull botuar te "Shekulli" i dt. 4 janar 2008, me titull "E drejta e krijuesit në diskursin mbi gjuhën", Agron Tufa, i cili i paraqitet publikut si "poet, prozator, përkthyes, pedagog i Letërsisë së Huaj të Shekullit XX në Fakultetin Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës", polemizon kryesisht me një specialiste gjuhëtare, Kristina Jorgaqin, për çështje të standardit dhe të gegërishtes. Disa pikëpamje që shpreh autori në këtë polemikë, sidomos për nevojën alarmante të studimit të monumenteve të gegërishtes letrare në shkolla, më duken të drejta dhe të mbështetura. Megjithatë, e veçanta e artikullit është se kërkon t'i qaset problemit të standardit nga këndvështrimi i shkrimtarit, jo i ekspertit; këndvështrim që është legjitim në vetvete, por që në rastin konkret më duket se abuzohet.


Kush i ka ndjekur sado pak debatet për standardin të këtyre 15 vjetëve të fundit, në Tiranë dhe në Prishtinë, do ta ketë vënë re se thelbi i tyre mund të përmblidhet si vijon: a duhet të ruhet standardi ekzistues i shqipes, apo duhet rivështruar me themel për t'i bërë vend gegërishtes? Unë për çështje të standardit kam folur shpesh dhe nuk dua as është vendi t'u kthehem këtu, por nuk mund të lë pa komentuar disa teza shumë të diskutueshme të z. Tufa, të cilat po më dëshmojnë tani edhe shterpësinë e debateve vetë.

Shkruan autori [këtu dhe më poshtë theksimet janë të miat]:
Edhe në duel ka rregulla të qarta loje, të cilat, sipas etikës kalorsiake, i caktojnë sekundantët. Në debatet tona publike nuk ka rregull loje. Prandaj, rëndom, dëgjojmë vetëm njërën palë e, së këndejmi, betonojmë pozicionet e keqkuptuara. Gjuha është një organizëm i gjallë! - Një parrullë, sa e vërtetë, aq dhe e veleritur nga përsëritja e të kuptuarit gabim. Janë lënë të flasin gjithmonë vetëm punonjësit e gjuhësisë, por rrallë, ose asnjëherë nuk janë shprehur krijuesit – pikërisht ata që krijojnë gjuhën. Jo vetëm ata gjuhëtarë që janë thirrur nergut në vitin 1972 të kryejnë eutanazinë mbi gegnishten, por, në përgjithësi, kur gjuhëtarët përvetësojnë arbitrarisht të drejtën e diskutimit mbi gjuhën, më ngjallin përfytyrën e një grupi studentësh-praktikantë të mjekësisë, me bluza të bardha e bisturi në dorë, që bëjnë autopsinë e një kufome. […] Atëherë, kush është krijuesi i gjuhës? Shkrimtari apo gjuhëtari? Si mund t'i vihen kufij shkrimtarit se në çfarë norme do të shkruajë ai?
Këto pohime janë sa të ngutura, aq edhe të njëanshme. Së pari, "eutanazinë mbi gegërishten" në vitin 1972 nuk e kryen gjuhëtarët, por regjimi komunist i cili bënte dhe zbatonte politikën gjuhësore në shoqërinë shqiptare; gjuhëtarët vetëm sa zbatuan, ca me hir e ca me pahir, urdhrat e orientimet ardhur prej së larti. Së dyti, mes atyre që e sanksionuan standardin në Kongresin Drejtshkrimor të vitit 1972, kishte një numër të madh shkrimtarësh e krijuesish, të cilët njëlloj si gjuhëtarët iu bindën politikës gjuhësore totalitare. Së treti, nuk më duket se gjuhëtarët e tanishëm kanë përvetësuar arbitrarisht ndonjë të drejtë diskutimi për gjuhën, sepse dihet që në Shqipëri sot këta kanë hapset e kashtës. Por kam frikë se z. Tufa nuk e mban sa duhet parasysh dallimin midis normës gjuhësore, e cila kristalizohet në përdorim nga të gjithë ata që komunikojnë me anë të shqipes publikisht, duke përfshirë edhe shkrimtarët, dhe kodifikimit, të cilin e bëjnë doemos gjuhëtarët; meqë kodifikimi, si sistematizim i normës, kërkon njohje të specializuar, ose ekspertizë teknike, të cilën vetëm gjuhëtarët mund ta ofrojnë. Përndryshe pyetja e z. Tufa se "Si mund t'i vihen kufij shkrimtarit se në çfarë norme do të shkruajë ai?" më duket pa kuptim, në gjendjen e sotme të shqipes. Qëllimi i shkrimtarit, si rregull, nuk është të përpunojë gjuhën, por të komunikojë me lexuesin; prandaj shkrimtarët shkruajnë me një gjuhë të tillë e cila ta ndihmojë komunikimin, jo ta pengojë. Nëse lexuesi i sotëm i z. Tufa komunikon lirisht me standardin sepse atë ka mësuar në shkollë, atëherë z. Tufa është praktikisht i detyruar të shkruajë në standard, përndryshe libri do t'i mbetej pa lexues. Edhe shtëpitë botuese, kur u kërkojnë shkrimtarëve të përdorin standardin, besoj se nisen nga ky kriter praktik, sepse edhe ato janë të interesuara që libri t'u shitet në mbarë Shqipërinë, jo vetëm në krahina të caktuara.

Shpjegon z. Tufa:

[…] Unë them se miti i standardit do të fillojë të shembet. Në bisedat e shpenguara të përditshme, madje në debatet televizive, sheh jugorë që e përdorin shlirshëm infinitivin e privuar nga standardja. Bisturia e kujt mund t'i presë këta përrenj ligjërimi të gjallë? […] Ku mbërritëm ne si gjuhë me letrarishten pa paskajore? Në një varfërim të tejskajshëm të shprehjes së të vërtetave shpirtërore, metafizike e ontologjike! Nga të gjitha gjuhët europiane e jo europiane, vetëm shqipja standarde dhe greqishtja (e re) janë të privuara prej infinitivit. Por infinitivi është e vetmja kategori gramatikore e nginjur me kuptime abstrakte, e domosdoshme për të kryer operacione të holla të mendimit, semantikës, filozofisë, ndërkaq që folja e zgjedhuar në vetën e parë, numri njëjës, shenjon kategori gramatikore krejt tjetër! Pa këtë kategori gramatikore, edhe dilema shekspiriane më madhe e njerëzimit "to be or not to be" degjeneron në" të rrosh a të mos rrosh - (banosh, gjallosh, jesh, etj.), kjo është çështja" – në vend të: "Me qenë a mos me qenë…!"
Ndoshta miti i standardit mund të shembet, por standardi vetë jo, sepse e kërkon tregu, madje edhe para akademisë dhe nostalgjikëve të totalitarizmit; dhe kjo pavarësisht nga atentatet që i bëhen në "debatet televizive" e që autori ynë i quan "përrenj ligjërimi të gjallë". Po pse vallë "përrenj ligjërimi të gjallë" e jo rrjedhje tubacionesh të një edukimi gjuhësor të çalë e të mangët? Neveria ndaj imponimit të shtangët të normës edhe në ligjërimin e folur nuk ka pse të na bëjë të mallëngjehemi folklorisht me çdo solecizëm ose ngatërrim regjistrash; ose me njerëz që flasin në publik si xhambazë kuajsh. Nga ana tjetër, autori ynë nuk arrin as t'i qaset mirë një çështjeje të tillë relativisht teknike si paskajorja e shqipes. Se të thuash se standardit i mungon paskajorja, është njëlloj si të thuash se qefullit i mungojnë vetullat, ose qenit sqepi. A ka kuptim të thuash se qenit i mungon sqepi? E vërteta është se standardi nuk e ka paskajoren me punue të gegërishtes, duke ia përballuar funksionet pjesërisht me lidhoren e pjesërisht me paskajoren e tipit për të punuar. Nuk e ka jo sepse e ka larguar a dëbuar nga përdorimi, por sepse toskërishtja, e cila i shërben standardit si bazë, nuk e ka. Kjo nuk përbën kurrfarë handikapi, përveçse për ata që nuk arrijnë ose nuk duan ta zotërojnë standardin, për arsye të ndryshme. Edhe rusishtes, sa për të sjellë një shembull, i "mungon" kategoria e nyjës, të cilën gjuhëtari Otto Jespersen e ka përfshirë dikur në dëshmitë e rralla të progresit gramatikor-konceptual në gjuhët; por kjo nuk e ka penguar rusishten të përcjellë një prej letërsive moderne më të plota e më të përkryera. Frëngjishtja nuk e shpreh dot qartë dallimin e tipit "punoj/po punoj"; anglishtja dhe gjermanishtja nuk dallojnë dot morfologjikisht midis së pakryerës dhe së kryerës së thjeshtë; dhe asnjë prej gjuhëve europiane madhore nuk e njeh mënyrën dëshirore të foljes, që e ka shqipja; por asnjë nga këto zgavra gramatikore nuk përthyhet në mangësi mendore të folësve të atyre gjuhëve ose zbrazëti konceptuale të kulturave përkatëse. Natyrisht nuk ka asgjë të keqe e të mangët e joeuropiane te përkthimi fanolian "të rrosh e të mos rrosh" i dilemës së njohur hamletiane, të cilin përkthim z. Tufa nuk ngurron ta quajë degjenerim. Në të vërtetë, funksionet e paskajores ose "infinitivit" siç e quan europianisht autori ynë, standardi ia beson vetës së dytë njëjës të lidhores, duke ndjekur sistemin gramatikor natyror të toskërishtes.

Por ka edhe më. Z. Tufa ka vajtur e ka qëmtuar një citat nga përkthyesi i nderuar Gjon Shllaku, në mbështetjeje të tezës së vet se gegërishtja letrare paska epërsi të vetvetishme ndaj toskërishtes letrare:

Gjon Shllaku, përkthyes i madh, helenist e latinist, thotë se "gegnishtja i ka kultivue të gjitha gjinitë letrare. Ka romanin më të parë, epikën ma të hershme, etj. Si kohë, Naimi vjen pas Fishtës, por tetërrokëshi i tij as që ka të krahasueme me të. "Luftëtarëtë lëftuan", thotë Naimi. Pse, tetërrokësh asht ky? Kurse Fishta të batërdis me një tetërrokësh: "Kush e din sa ujë e dhê/ Mue prej teje ka me m'da!" ("Fjala" 7. 02. 2002).

Krahasimi është vulgar. Unë nuk di nëse Fishta ka qenë apo jo poet më i mirë se Naimi, por di që edhe njëri edhe tjetri kanë shkruar kryevepra, sikurse kanë shkruar edhe bërrllok, vargje pa vlerë, mbushje astari të poemave të tyre epike. "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelaja" kanë me mijëra vargje të dobëta; sikurse edhe "Lahuta" e Fishtës. Quandoque bonus dormitat Homerus, thoshin latinët: ndonjëherë edhe Homerin e mirë e zinte gjumi. Por të marrësh një varg të shëmtuar të njërit poet e ta krahasosh me një varg normal të tjetrit nuk më duket akt i denjë për përkthyesin e madh Shllaku, as i miratueshëm nga autori ynë pedagog letërsie…

Vazhdon z. Tufa:

"Me shkrue a mos me shkrue", – ja pyetja që i bën sot vetes krijuesi i ri shqiptar, të cilit i ra për hise me lindë në viset e gegnisë. E nëse shkrimtari është kipc i Demiurgut, kjo varet kryekëput nga gjuha. Se cilat janë epërsitë e strukturës gramatikore e fonetike, të njërës apo të tjetrës – ky është një problem delikat e i diskutueshëm. Por nuk është aspak argument pozitiv "thjeshtësia". Gramatikisht, i bie që thjeshtësia qëndroka tek mungesa e paskajores?! Prandaj nuk mund të përkthejmë dot gjithë traditën e mendimit dhe filozofisë botërore, sepse nocionet abstrakte që ka infinitivi, pa hyrë në zgjedhim, nuk përkthehen në shqipen standarde! Si mund të përktheheshin në letrarishte, për shembull, foljet në infitiv [sic] që përbëjnë nocionet filozofike të Hajdegerit lidhur me Dasein? Të zgjedhuara në vetë të parë njëjës? Ku qëndron thjeshtësia fonetike, nëse dalim në ligjërimin e thukët të gjuhës së poezisë? Të thuash "menjëherë" apo "saora"? Të thuash "vazhdimisht/gjithënjë/gjithmonë" apo "prore"? Të mos flasim për pjesoret dhe përcjelloret, të cilat instinktit dhe vetëdijes krijuese të poetit, i cili e ka marrë instinktin e gjuhës bashkë me pikën e tamlit të nënës – të gjitha mbaresat e panevojshme me "uër" [sic], "yer", "uar", i shembëllejnë me korin e famshëm të Aristofanit nga "Brektkosat": "kuak-kuak-kuak, verekekeks-kekeks, koaks-koaks".
Një gjë duket qartë nga këto konstatime paragjuhësore: që z. Tufa toskërishtja nuk i pëlqen. Mirëpo përndjekja politike e katolikëve dhe shurdhimi i gegërishtes letrare dje nuk është arsye për ta shpallur sot toskërishten të shëmtuar e kor bretkosash; as për t'ia quajtur mbaresat e pjesores "të panevojshme". Të panevojshme për kë? Sa për pamundësinë e standardit për të përkthyer "traditën e mendimit dhe të filozofisë botërore", unë do të thoja se kjo nuk ka të bëjë aq me "mungesën" e paskajores në standard, as me themelet toske të standardit; sesa me lëvrimin e paktë të shqipes së shkruar në tekste filozofike abstrakte. Ku ta gjejë kompetencën për të shprehur koncepte filozofike abstrakte një kulturë pa traditë filozofike të mjaftueshme si e jona?

Çfarë ndodhi me gegërishten letrare e veçanërisht me kulturën e gegëve katolikë nën komunizëm preku krejt pasurinë kulturore kombëtare, të gegëve por edhe të toskëve, të të krishterëve, por edhe të myslimanëve në Shqipëri. Sanksionimi i standardit gjuhësor si shqipe zyrtare në vitin 1972 ishte produkt i të njëjtave politika totalitare, por njësimi i shqipes dhe genocidi kulturor ndaj katolikëve në Shqipëri janë dy gjëra të ndryshme, që nuk duhen ngatërruar. Sot për sot, kultura shqiptare duhet të gjejë urgjentisht mënyrën për ta rekuperuar pasurinë kulturore gege e për ta integruar në trashëgiminë kulturore kombëtare, çka mund të bëhet vetëm nëpërmjet shkollës. Përkundrazi, dialogu tepër i nevojshëm për rishikim të standardit ka nevojë të mbështetet në një platformë studimesh sociolinguistike paraprake, të cilat të nxjerrin në dritë pikat kritike të standardit ekzistues dhe prirjet tashmë të shfaqura për kapërcimin e tyre, siç e ka shpjeguar mirë Ledi Shamku-Shkreli. Me alergjinë e vet kundër standardit dhe rrënjëve të këtij standardi në toskërishten, krijuesi Agron Tufa vetvetiu po e përjashton veten nga ky dialog; sepse shqipja është e të gjithë atyre që e përdorin dhe nuk mund të kultivohet, as të selitet në një atmosferë urrejtjeje dhe përbuzjeje.

No comments: