Thursday, January 3, 2008

Opinion/Kritike


Tollovitje të panevojshme
Nga Altin Topi
Shekulli/Kritike
26-06-2007

Artikulli i shkurtër i z.Lulushi për një alfabet të ri të shqipes, më krijoi atë ndjesinë sikur të vetmin liqen me pasqyrën ujore të patrazuar, ku secili nga ne mund të shohë veten e përtej krejt kthjellët, dikush sapo i vërtiti me forcë një rrasë guri, pëlltuq, brenda. Uji filloi të tollovitet e pasqyra filloi të humbasë qartësinë e të mos reflektojë me fytyrat tona, qeniet tona.
Kur fillova të lexoj paragrafin e dyte: "Gjuha, çdo gjuhë është si shtëpia…" sikur barra disi u lehtësua. Kujtova se dikush tjetër kishte përqasur gjuhën me shtëpinë, por për Lulushin krahasimi shkon deri tek shtëpia e prekshme fizike, ajo që lyhet me bojë çdo dy-tre vjet e pastrohet ndoshta shumë më shpesh. Kurse filozofi gjerman, Martin Haideger e kishte fjalën për një lloj shtëpie tjetër: "Gjuha është shtëpia e ekzistencës (të qenurit) dhe njeriu jeton në të".

 Por të marrësh të shkruash për domethënien e shprehjes së Haidegerit, nuk do të mjaftonin faqet e gazetës. Të flasësh e të shkruash për të bërë një ndryshim, një përmbysje gjuhësore në prezantimin e një gjuhe, në tre-katër paragrafë, është njëlloj sikur të kërkosh të ngresh një revolucion nga asgjëja, nëpërmjet një manifesti sloganesh.
Jo-gjuhëtarët (si edhe unë) kur duan të bëjnë ndryshime, e nisin gjithmonë me alfabetin; të krijojnë një gjuhë "logjike", duke dashur të krijojnë një sistem të pastër, por ndërkohë abstrakt. Nëse shqipes do t'i imponohet një alfabet latin, në kuptimin e ngushtë të fjalës, pra me 25 germa, për të shkruar shqipen e folur, të gjithë ne shqiptarëve do të na imponohej një lloj sistemi kriptografik, ku njësitë fonetike (diagramat ekzistuese fonetike) të një teksti të zakonshëm të shqipes, do të zëvendësoheshin, apo transpozoheshin në disa kode të reja të paracaktuara orto-gramatike. Mësimi i gjuhës shqipe do të kthehej në një lloj shkence, ku do të na duhej në çdo moment, kur të shkruanim gjuhën e folur, të abstragonim nëpërmjet këtyre kodeve se si duhet të shkruhen fjalët e shqipes. Ata që vendosen që alfabetit latin 25 germash t'i shtonin edhe diagramat fonetike zanore apo bashkëtingëllore, reflektonin dhe transferuan fonetikën historike të shqipes të ardhur deri në ditët e sotme, në alfabetin e shqipes. Për mendimin tim, kjo tregon për një shkëndijë gjenialiteti, dhe jo anasjelltas. Gradimi që i është bërë tingujve fonetikë të plotë, zanorë apo bashkëtingëllorë, nga simbole fonetike, duke i naltësuar në germa alfabeti, është një akt për të lavdëruar, e jo për t'u nëpërkëmbur. Me të drejtë dikush (Xha Xhai) në një forum shqiptar si Alb-Clubi, reagon me profesionalizëm linguisti duke bërë dallimin, dhe e shpjegon këtë proces në pak rreshta.
Rilindësit në Kongresin e Manastirit, duke transferuar sistemin fonetik të shqipes në alfabetin 36 shkronjash, i krijuan mundësi shqiptarëve të sistemonin gjuhën e tyre, që deri në atë kohë nuk shkruhej gjerësisht nga masa e njerëzve. Ndërkohë, duke i hapur këtë mundësi, ato nuk rrezikuan karakterin thelbësisht latin të alfabetit. Diagramat fonetike ku simbolet fonetike të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve janë sistemuar në një mënyrë të tillë, që lehtësisht i lejojnë lexuesit të imagjinojë tingullin fonetik korrespondues. Nëse do të insistohet që shqipja të shkruhej vetëm me 25 germa, shqiptarëve do t'i duhej të mësonin shqipen e shkruar, njëfarëlloj, siç mësohet sot anglishtja, ku krahas çdo fjale të shkruar do të grafohej me simbole fonetike dhe tingëllimi (shqiptimi) i çdo fjale. Ndërkohë, kur ky alfabet që kemi ne, sot e mot, e mundëson këtë pa këtë mundim të dytë të panevojshëm. Të zhbësh sot diçka që reflekton rrugëtimin historik dhe aktualitetin fonetik të shqipes është me pak fjalë një lloj lajthitje, mungesë e pasaktësi historike. Anglishtja apo të gjitha gjuhët e tjera, që përdorin ngushtësisht alfabetin latin, kanë bërë një rruge të gjatë tjetër derisa kanë ardhur në ditët e sotme e nuk mund të krahasohen me shqipen, që është shkruar vetëm diçka më shumë se një shekull.
Mendoj se, për të cekur sadopak këtë temë, si fillim duhet të dish më shumë rreth Fonetikës (që studion tingujt e mundshëm të një gjuhe) dhe Fonologjisë (se si tingujt përdoren në gjuhë). Kjo do të na bëjë që të krijojmë një kuptim më të thelle midis ndryshimit të gjuhës natyrore dhe asaj "logjike" që duam të krijojmë ne, për t'iu përgjigjur një alfabeti 25 germash. Nëse gjuha është shtëpia e ekzistencës ku ne jetojmë, çdo grup tingujsh (fonema) që e dallon një fjalë nga një tjetër për çdo gjuhë, ka karakteristika të dallueshme vetëm për atë gjuhë. Pavarësisht se fjala mund të jetë e huazuar dhe e asimiluar nga ndonjë gjuhë tjetër, çdo fonemë e folur apo e shkruar në kontekstin e shqipes, transformohet e mbetet ekskluzivisht shqiptare. Me të përshtatur një huazim në shqip, fenoma e re e sapokrijuar do të ketë tingujt e shqipes, do t'i bëjë vend ekzistencës së vet, në shtëpinë e gjuhës shqipe ku jetojmë të gjithë. Ortografia e sotme e shqipes, me simbolet e saj fonetike bazuar në alfabetin latin, nuk ka se si të rrezikojë vendin e shqipes në lidhje me gjuhët e tjera.


Nëse do shpikej një ortografi e re e shqipes, si një lloj aspekt i ri krijues i fillimit të këtij shekulli, është njëlloj sikur të doje të shpikje një shqipe tjetër, por, për një botë vetëm në fantazi. Imagjino se si do t'i ofrohej kjo lexuesit shqiptar apo të huaj, që do t'i bënte mishmash fjalët e bukura të shqipes. Fjalët shqip do të lexoheshin sikur të ishin hundore (nazale) angleze, velare frikative gjermane, retrofleksive arabe apo indu, etj. Alfabeti i një gjuhe, nuk krijohet apo zhbëhet brenda një dite. Ai merr formë përgjatë viteve e shekujve; ashtu siç ka ndodhur me të gjitha gjuhët. Alfabeti më i mirë për çdo gjuhë, është ai që është streha më e mirë për ekzistencën e asaj gjuhe dhe e atij kombi. Alfabeti i shqipes së sotme i përgjigjet më së miri hapësirës grafike të perceptuar nga çdonjëri nga ne, kështu që asnjë germë nuk ngatërrohet me tjetrën, asnjë tingull nuk shkëmbehet gabimisht për një tjetër. Ne kemi një alfabet të zgjuar dhe efecient, për gjuhën dhe botën tonë shqiptare, nuk duam një alfabet për një botë tjetër imagjinare, nuk duam një alfabet për një gjuhë që nuk tingëllon më si shqip.