Sunday, February 10, 2008

Syri i Fotografit


Jean-Francois Jonvelle
Nga Altin Topi

Jean-Francois Jonvelle lindi ne Cavaillon te Frances ne 1943. Si femi ishte shume i levizshem, e nuk shkelqente ne asgje. Nje dite, ne vitin 1959, ishte nje fotograf, Georges Glasberg, i cili e ftoi Jean, t’i bashkohej atij ne nje turne rreth France per te fotografuar katedralet. Ne moshen 16 vjec, ai nisi aventuren e fotografit, te krijuesit te imazheve fotografike.

Motoja e tij ishte:“Gjithshka qe te besh, beje pa e imagjinuar”. Per ate, te fotografuarit, te kapurit e imazheve fotografike behej si nje krijim i castit, pa ndonje parapergatitje. Ai qe ne momentin qe filloi te shkrepe butonin e aparatit, iu perkushtua artit te fotografise me te njejten pasion e dashuri, qe nuk iu venit pergjate gjithe jetes.


Filmat luajten nje rol te rendesishem ne krijimin e imazheve te tij. Sic thoshte ai vete: … filmat ishin atdheu, kultura, bota shpirterore, esenca e tij. Pasioni per filmat e shpinin ate perdite ne arshiven e bibliotekes per te pare Mankiewicz, Lubitsch, Fritz Long, Orson Welles, Arthur Penn, Minelli, Hitchcock, Marcel L’Herbier, Tourneur, etj. Nje nga filmat e tij me te preferuar ishte “Jules et Jim" i François Truffaut. Ndonjehere, pati tundime per t’u marre edhe me filmin, por e gjykoi te udhes se pasioni per fotografine ishte akoma i fuqishem, e kishte akoma shume per te bere ne kete lemi te artit.

Heroizmi nuk ishte pjese e tij. Bota e tij nuk ishte ne balle te betejes per te fituar te perditeshmen, duke u zgjuar heret, duke disiplinuar veten, ne kerkim te artit te perfeksionit. Syri ishte magjia qe kryente mrekulline per te. Syri i fotografit fliste pa folur, pa nxjerre ze. Syri fliste me gjuhen e lakuriqesise te trupit femror, te perzjere me nje doze perversiteti, e disa doza dobesie e butesie te gjinise delikate.

Femra me xhinse, duke pertypur cimcakiz, e me walkman ne vesh, nuk ishte muza, heroina a tij. Sensualiteti, te dorezuarit, duke i besuar veten syrit magjik te fotografit, ishte ajo gje c’ka ai kerkonte nga femra. Ideali i tij ishte njezetvjecaret, qofte ajo nje Ingrid Bergman, apo nje Silvana Mangano; personazhi me i paarritshem e i enderruar per te do te kishte qene Grace Kelly.

Jean-Francois Jonvelle, ne fillim beri emer ne boten e modes, si fotograf i modeleve ne revisten Harper’s Bazaar. Disa fotografi te Richard Avedon-it, ne bardhe e zi te Ava Gardener dhe Mike Nichols, e terhoqen drejt artit te tij. Jean ishte vetem 18 vjec ne ate kohe; me naivitetin e kurrajon e moshes, i shkruajti nje leter te shkurter Avedon-it, ku i shprehte admirimin e tij. Pas tre javesh, mori nje pergjigje nepermjet te ciles, Avedon-i e ftoi te takoheshin ne nje hotel te Parisit. Pas atij takimi, Jean e gjeti veten te pozicionuar si asistenti i mjeshtrit te modes. Avedoni ne ate kohe, kishte marre ne patronazh ajken e top modeleve, Jean Shrimpton dhe Twiggy. Mjeshtri e mesoi, si te zhvishte tekniken e fotografimit nga cfaredo lloj mistifikimi, duke thjeshtezuar marredheniet me femrat qe fotografonte, e zhvilluar biseda te tilla, qe ato te ndjenin veten te lireshme perballe Nikonit, aparatit te tij. Shume shpejt, artin e tij filluan t'a blenin revista te tilla si Jardin des Modes, Elle, 20 Ans, Nova, etj.

Kamera e tij, nuk shfaqi interes per gjinine mashkullore, prandaj nuk sheh meshkuj ne printet e tij. Megjithate, nje nga deshirat e tij, ishte te fotografonte Papen, por ashtu sic e deshironte ai. Pavarsisht se, imazhe te tilla si ajo e njeriut te pare ne Hene, dramat e terrorizmit apo te luftes apo vuajtjes njerezore, mbeteshin teper te fuqishme ne mendjen e tij; leitmotivi e interesi i tij ne artin fotografik, mbeti nevoja per te transmetuar ate deshire te njeriut per te gezuar jeten, per te percuar ate qe ne frengjisht quhet “joie de vivre”.


Fotografite e Jonvelle jane ekspozuar ne vende te ndryshme. Ne 1983 u hap ekspozita e pare ne Saint-Louis. Dy vite me vone ne Londer, Galeria Hamilton, i perkushtoi nje retrospektive te perceptuar me zgjuarsi. Ne 1986, ne stacionin e St Lazare te Parisit, 35 fotografi dymetroshe, u ekspozuan si postera ne muret e stacionit, e shiheshin cdo dite, nga te pakten 50,000 pasagjere. Ne fotografite e tij dallohet syri i nje vezhguesi te vemendeshem, ku ngjyrat e lehta, i japin jete e gjalleri subjekteve qe ato qemtojne.


Objektet e pare te hulumtimit te tij fotografik, u bene e motra, gjyshja dhe e ema, te cilave ai i kushtoi vendin e nderit, ne librin e tij te pare fotografik titulluar “Atyre qe i dua”.


Sipas Jonvelle, ashtu sic gjerat shkruhen, e zeze ne te bardhe, edhe per fotografite, duhet te behet e njejta gje. Fotografite per te, jane doreshkrimet, shenimet, ditaret e tij intime, bardhe e zi. Ngjyrat perdoren ne pergjithesi per kontratat, punimet e komisionuara nga agjensite e fotove te modes dhe reklamave, pra per publicitetet. Jonvelle, u angazhua ne fushatat publicitare ne vitet 70-te, fillimisht me firmen e xhinsit Levi. Ndersa, kur fotografi punon per vehte, ai i kthehet botes bardhe e zi te artit te vertete te fotografimit.

Aparati qe perdorte ne shumicen e rasteve ishte Nikon, 83mm. Ky aparat e lejonte te kapte nga afer, ate c’ka i shihte syri. Kamera ne kete menyre ishte thjesht nje kornize, brenda te ciles ai fiksonte imazhet; nderkohe qe ishte syri i tij ai qe shtypte butonin, e jo gishti tregues. Jean i pelqente femrat qe silleshin natyrshem e ne menyre spontane. Biles qe te bente cdo gje edhe me te natyreshme, i hidhte gota uji ne fytyre. Tualeti ishte dicka e huaj, ishte si nje lloj plaster mbi fytyre; buzekuqi, do t’i largonte mashkullit deshiren per te puthur nje femer ne buze. Cdo gje perreth, duhej t’i pershtatej gjendjes shpirterore te femres; atmosfera duhet te ishte sa me afer realitet intim te subjektit qe fotografohej. Femra ishte e mbeti pergjate gjithe karrieres se tij, subjekti i tij intim; ato u fotografuan ashtu sic ishin, delikate, pasionante, te mbushura me dashuri e mistike. Nje mozaik ndjenjash e xhestesh qe perdite na ben te mrekullohemi prej femrave.

Jonvelle nuk e pelqente perdorimin e termit “nudo” per fotot lakuriqe te femrave. Mbi te gjitha ai thoshte se ato jane fotografi femrash, qe te bejne per vete. Femrat jane nje realitet i bukur, e realitetet me te bukura jane ato qe gjenden brenda nesh. Duhet t’i duash ato, t’i degjosh e t’i provokosh… “Nudot e femrave” na ngrene ne lartesi marramendese; njemije e nje imazhet, te paparashikueshme, te pashpjegueshme, na zhveshin lakuriq ne brendesine tone.

Jean-Francois Jonvelle vdiq ne 16 Janar 2002.

No comments: