Saturday, January 2, 2010

Art/Perkthime

Shoku Laski
nga Joan Didion*

Mikel Laski, i njohur edhe si M.I. Laski, është një i ri për të cilin nuk dihet shumë, me sy të gjallë, mjekër të vogël, fytyra verdhacuke e tij bie në sy në një vënd si Kalifornia jugore. Me pamjen e tij të dallueshme dhe bisedat ideologjike që s’rreshtin, i përngjason saktësisht një revolucionari të përkushtuar, e në fakt, ai është një i tillë. Ai ka lindur njëzet e dy vite më parë në Bruklin, si fëmijë u rrit në Los Anxhelos, braktisi universitetin në vitin e parë për të organizuar punën për sindikatat e shitësve, kurse sot, ai është Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qëndror të Partise Komuniste të SHBA(Marksiste-Leniniste), një grup i shkëputur me vehte Stalinist-Maoist; si i tillë, i është përkushtuar me fanatizëm një doktrine komplekse e të pandryshueshme, me bindjet se, Partia Komuniste Amerikane është një “klikë borgjeze-revizioniste”, Partia Progresiste e Punës, trockistët, dhe “klika revizioniste e Gas Hallit”, e kanë demaskuar veten si lakej oportunistë të borgjezisë, duke propoganduar paqen, të papranueshme për “punëtoret”, por të pëlqyeshme prej imperialistëve liberalë; e H. Rap Braun është një vegël, në se nuk është një agjent i ndërgjegjëshëm i klasës sunduese kapitaliste.

Pak kohë më parë kalova ca kohë me Mikel Laskin, në Librarinë Ndërkombëtare të Punëtorëve në Uats, qëndra e PKSHBA(M-L) në Uest Kost. U ulëm në nje tavolinë kuzhine, ku në murin përbri varej flamuri me drapër e çekan dhe portretet e Marksit, Engelsit, Mao Ce Dunit, Leninit e Stalinit(Mao i vendosur në qëndër), ku diskutuam rreth revolucionit të nevojshëm për të sjëllë diktaturën e proletariatit. Në te vërtetë, unë nuk isha e interesuar rreth revolucionit, por rreth revolucionarin. Ai mbante me vete një libërth të kuq me poemat e Maos, ndërkohë që ne bisedonim e mbështeti atë mbi tavolinë fillimisht horizontalisht, e më pas vertikalisht. Të kuptosh se kush është Mikel Larski duhet të të ndillet për atë lloj shtyse. Nuk mund të mendosh për atë, si per dikë që mund të ndalë për një moment. Nuk ka asgjë të përbashkët me personalitetet pasionantë që hasen tek e Majta e Re. Ai beson si edhe Mao se, pushteti politik fitohet nga gryka e pushkës, pikë për të cilën këmbëngul me një sinqeritet të natyrshëm e vetasgjësues. Vendi i tij në hartën e të majtës amerikane, pa a stërholluar, është pozicioni i një vetmitari, aspak popullor, krejt i pamundur për tu qasur në realitet. Ai beson se ka “punëtore” në Shtetet e Bashkuara, te cilët kur të vijë koha “do të ngrihen”, jo në anarki, por së toku e të ndërgjegjësuar; ai beson me fanatizëm se, “klasa sunduese” është e ndërgjegjëshme për pushtetin e saj djallëzor. Në gjithshka, ai mbetet veçse një idealist.

Siç pritet, unë ndjehem rehat me Mikel Laskërat e kësaj bote, me ata që jetojnë jashtë e jo brënda realitetit, ata për të cilët ndiesia e katastrofës, e një fundi qe po afron, përjetohet aq e gjalle, sa i kthehen përkushtimeve, militantizmave ekstreme e shkatërruese; unë vetë di diçka rreth frikës, e i vlerësoj sistemet e rafinuara që përdorin një pjesë e njerëzve për të mbushur boshllëkun, i vlerësoj të gjitha llojet e opiumeve të përdorur prej njerëzve, qofshin ato ç’ka mund të gjenden me kollajllëk, siç jane pijet e heroina, apo eksperiencat seksuale lloje-lloje e të rastit, ose ajo ç’ka haset rrallë, besimi në Zot apo në llogjikën historike.

Sigurisht që, nuk i përmënda rëndesën e frikes, Mikel Laskit, për të cilin, opiumi i tij i veçantë është interpretimi i historisë. I shtiva në mënd “depresionin”, duke përmëndur se mund të kishte qënë “depresive” të shihte veçse një dyzinë fytyrash në demostratën e kaluar të Një Majit , por ai mu pergjegj se depresioni ishte një pengesë në aktivitetin revolucionar, një sëmundje që prek vetëm ata që nuk kane ideologji për t’i mbështetur. Mikel Laski, siç e shihni, nuk ndihej aq afër me mua, sa ç’ndihesha unë me të. “Flas me ty,” – më tha, - “veçse si një rrezik i llogaritur. Sigurisht që roli juaj është të mblidhni informacion për shërbimet sekrete. Në thelb, ju doni të kryeni një zhbirilim të njëjtë, ç’ka FBI do të dëshironte të kryente, në se do të mund të na ulte në karrigen e hetuesit.” Ai heshti duke trokëllitur me thonjtë e gishtave mbi libërthin e kuq. “Prapseprapë”, - vazhdoi ai më në fund, - “është një avantazh i sigurtë për mua të flas me ju. Sepse në fakt, këto biseda shërbejnë si dëshmi publike e ekzistencës time.”

Pavarsisht, ai nuk do të diskutonte me mua atë cfarë ai e quante “aparati në ilegalitet” i PKSHBA(M-L), po aq sa, ai s’mund të më tregonte sa ishte numri i kuadrove drejtuese. “Është e qartë që unë nuk mund të jap atë lloj informacioni. “– vazhdoi ai. “Ne e dime se, për pasojë është e pritëshme, që do të nxirremi jashtë ligji.” Libraria Ndërkombëtare e Punëtorëve, megjithatë, ishte “nje objekt i hapur”, e une isha e lirë të kullosja sytë përqark. Shfletova dicka prej literaturës të ardhur nga Pekini(Zëvëndës Kryetari Çen Ji i përgjigjet pyetjeve të korrespondentëve ), nga Hanoi (Presidenti Ho Shi Min i pergjigjet presidentit L.B. Xhonson), dhe nga Tirana, Shqipëria ( Kundra Ndryshimit në Politikën e Titos dhe e Vërteta e Pamohueshme), pastaj u perpoqa të këndoja nën zë notat muzikore, prej një libri këngësh vietnameze veriore, “Kur Partia Ka Nevojë Për Ne, Zemrat Tona Mbushen Me Urrejtje.” Literatura ishte vendosur në hyrje të dyqanit, sëbashku me arkën e tavolinën e gatimit; pas një ndarje prej kompesate ishin dy-tre krevate portative e një shaptilograf, në te cilin Komiteti Qëndron shtypte “organin politik” Zëri i Popullit dhe “organin teorik” Flamuri i Kuq. “Është caktuar një kuadër në këtë ndërtesë për të garantuar sigurinë e saj,” më tha Mikel Laski kur i përmënda krevatet portative. “Ata mbajnë mbrapa një arsenal të vogël, nja dy pushkë e do gjëra të tjera.”

Kaq shumë për të siguruar ambjentet, mund të ngjallë kureshtjen; sidomos kur mendon se çfarë bëjne aktualisht kuadrot, të cilët përveç shitjes të Zërit të Popullit e përpjekjes për të ngritur Grupet Popullore të Armatosura të Mbrojtjes, pjesën më të madhe të kohës e harxhojnë të perfeksionojnë ideologjine e tyre, duke gërmuar e kërkuar për “devijime” e “gabime” në sjelljet, qëndrimet e njëri-tjetrit. “Çfarë ne bëjmë mund t’i duket si bjerrje kohe njerezve të tjerë,” Mikel Larski tha papritur. “Duke mos patur një ideologji vetë, ju mund të pyesni se çfarë te jep Partia. Nuk të ofron asgjë. Të ofron tridhjet apo dyzet vite të vësh Partinë mbi gjithshka. Të ofron tortura. Burg. E për kuadrot e rëndësishëm, vrasjen.”

Por sigurisht, ajo ç’ka afronte ishte shumë domethënëse. Bota që Mikel Laski kishte ndërtuar për vete ishte një pështjellje labirinthi e kthjelltësie të patrazuar, një botë që kishte kuptim jo vetëm prej qellimeve të saj të larta, por prej kërcënimeve te jashtëme e të brëndëshme, intrigave dhe aparatit, një botë e regulluar, e pandryshueshme, ku gjërat kishin rëndësinë e tyre. Le t’ju tregoj rreth një tjetër dite tek Libraria Ndërkombëtare e Punëtorëve. Marksistë-leninistat kishin qënë jashtë duke shitur Zërin e Popullit, e në mbarim, Mikel Laski dhe tre prej kuadrove të tjerë ishin duke llogaritur paranë e mbledhur, një ceremoni po aq formale sa ç’është një mbledhje e partnerëve të Morganit.

“Zoti … Shoku…Saimons…sa ishte e ardhura totale?” – pyeti Mikel Laski.
“Nëntë dollarë e nëntëdhjetë e një qindarka.”
“Sa kohe u desh?”
“Katër ore.”
“Sa ishte numri total i gazetave të shitura?”
“Shtatëdhjetë e pesë”
“E mesatarja për orë?”
“Nëntëmbëdhjetë.”
“Kontributi mesatar?”
“Trembëdhjetë qindarka e gjysëm.”
“Kontributi më i madh?”
“Gjashtëdhjetë qindarka.”
“Më i vogli?”
“Katër qindarka.”
“Nuk ishte një ditë e mbarë, Shoku Saimons. A mund ta shpjegoni?”
“Është gjithmonë keq, një ditë para se të mbrrinë çeqet e ndihmës sociale e të papunësisë.”
“Shumë mirë, shoku Saimons.”

E shihni pra, cila është bota e Mikel Laskit: një triumf i vogël por me rreziqe, i të qënurit mbi asgjënë.
1967


*Joan Didion është një nga gazetaret më të mira të SHBA. E nisi karierën e letrave si noveliste me Rub River dhe Play It As It Lays, por shpejt u bë e njohur si një prej zërave më të fuqishëm të esesë. Studimet e saj rreth prezencës amerikane në kulturën salvadorenje e kubaneze ne Maiami, Florida, janë berë si etalone të gazetarise politike. Ajo jeton në qytetin e Nju Jorkut.

No comments: